Barazia e njerëzimit

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm e ka krijuar gjithësinë si argument se Zoti ekziston, si argument se Zoti cilësohet me cilësi të fuqisë absolute të Tij, me urtësinë e lartë të Tij, me përsosmërinë e Tij dhe me krijimtarinë e Tij të pa shoq.

Prej urtësisë së Allahut është se, njerëzimin e ka bërë në bazë njëfamiljarëshe. E ka bërë me elemente të përbashkëta. E ka bërë që të ndihmohen në mes vete, të duhen në mes vete dhe të kenë respekt ndaj njëri-tjetrit.

Prej urtësisë së Allahut është se Allahu ia do të mirën njerëzimit. Njeriu është vëlla i njeriut, e deshi apo nuk e deshi. Kjo nga shkaku se jeta e tyre është njëjtë, qëllimin e kanë të njëjtë, po ashtu edhe përfundimin e kanë të njëjtë, pra, atëherë kur të përfundon kjo gjithësi dhe fillon bota tjetër për të dhënë llogari dhe për realizimin e të drejtave dhe barazisë së plotë në mes njerëzve.

Kur’ani fisnik haptazi e ka definuar barazinë e njerëzimit, barazinë e familjes.

Kur’ani fisnik haptazi e ka definuar barazinë vëllazërore në besimin e besimtarëve në Allahun, në pejgamberët e Tij, në librat e Tij dhe në Ditën e gjykimit.

Sa i përket barazisë njerëzore është se, njerëzimin e ka filluar nga një trup dhe një shpirt. Këtë e ka deklaruar në fillim të sures Nisa.

Suretu Nisa ka zbritur në Medine:

Ajeti 1:

O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kijeni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju. (1)

Këto ajete tërheqin vërejtjen dhe tregojnë qartë për ekzistimin e Zotit Krijues, projektues dhe planifikues i përsosur.

Në fillim të kësaj sure kemi njeriun si krijesë në gjithësi, me bazën e saj prej një shpirti, i cili është Ademi a.s., babai i njerëzimit, të cilin Allahu vet e ka krijuar, e ka formësuar dhe e ka përcaktuar të jetë prej balte, pastaj i ka fryrë prej shpirtit të Tij dhe është bërë njeri i plotë në krijim dhe në përbërje. Pastaj, Allahu e ka krijuar Havanë nga lloji i Ademit në natyrshmëri dhe në përbërje, në formë, në instinkt, në moral dhe me cilësi të ngjashme.

Për të mbrojtur unifikimin në mes gjithë njerëzimit, Allahu i Madhërishëm i ka urdhëruar dhe i ka porositur robërit e Tij të ndihmohen, të bashkëpunojnë dhe të mëshirohen në mes vete. Ata jetojnë pranë njëri-tjetrit, bashkë i shfrytëzojnë frytet dhe të mirat e kësaj bote, si nga qielli, ashtu edhe nga toka. Ndihmesa në mes vete realizohet duke i krijuar obligimet dhe duke i respektuar të drejtat e njëri-tjetrit. Në këtë koncept është shprehja e cila në terminologji të Kur’anit quhet: Devotshmëri. Pra, zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat, nga çdo gjë që ndërlidhet dhe i frikësohet vetëm Allahut, i Cili nuk ka ortak, ose që ndërlidhet me ndjenjën (shpirtin) njerëzore, ose me të drejtat e robërve të tjerë. Çështjen e termit të devotshmërisë Kur’ani e përdorë në kuptimin e zbatimit të urdhrave të Krijuesit, i Cili u drejtohet të ngarkuarve.

Allahu është Zot i të gjithëve:

– U ka dhënë të gjithëve begati dhe mirësi;

– Ua ka mundësuar mjetet e jetesës që të jetojnë të lirë dhe me fisnikëri;

– U ka treguar se baza e tyre është një, që të gjithë janë prej Ademit, ndërsa Ademi është prej dheu dhe nga njeriu i parë e ka krijuar bashkëshorten, prej nga kanë filluar të shtohen njerëzit, me fjalë tjera lloji njeri, meshkuj dhe femra. Nga kjo lozë ka caktuar bazën më të ngushtë, e ajo është ndërlidhja e familjes e cila është zhvilluar nga një mitër dhe nga një lidhje e gjakut dhe farefisnisë.

E gjithë kjo dëshmon fuqinë e mrekullueshme të njeriut, e cila kërkon devotshmërinë për të siguruar dhe garantuar marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore në nivelin gjinor dhe shoqëror.

Allahu i Madhërishëm e ka deklaruar devotshmërinë ndaj Allahut për përmirësimin e raporteve ndërnjerëzore në dy aspekte:

Aspekti i parë: Ndjenjat e thella natyrore në çdo shpirt, qoftë edhe mohues pabesimtar, ndjenja për madhështimin e Allahut Famëlartë dhe ndjenjat vetanake se vetëm Allahu është Ai i Cili e shpëton në rast të paraqitjes së ndonjë sprove apo katastrofe, të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie, ashtu që ndonjëri i thotë vëllait të tij: Për Zotin, të lutem veproje këtë, të lutem për besimin tënd ndaj Allahut dhe për Madhërimin tënd ndaj Tij të kryesh këtë veprim.

Aspekti i dytë: Forcimin e strukturës familjare dhe lidhjeve familjare duke ua përkujtuar domosdoshmërinë e raporteve të mira bashkëvepruese dhe bashkëndihmuese farefisnore dhe mosndërprerjes së raporteve familjare dhe forcimin e lidhjeve brenda një familjeje.

Allahu ka paralajmëruar njerëzit se ekziston ndjenja e brendshme e cila e kërkon gjirin familjar, ashtu që ndonjëri i thotë të afërmit: Të lutem për hir të afërsisë familjare veproje këtë.

Pastaj Allahu, ajetin e ka përmbyllë në mënyrë të mrekullueshme duke treguar për domosdoshmërinë e përkujtimit të unitetit familjar ndërnjerëzor (ndërkombëtar) dhe unitetin e familjes se, një ditë Allahu do të shpalosë çdo vepër tonën, monitoron dhe ruan çdo vepër dhe çdo situatë të njeriut dhe se Famëlarti ligjëson për ne ligje të cilat na sigurojnë dhe garantojnë interesat tona.

Ai është i informuar për ne dhe sheh situatën tonë.

Lini një koment