Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Është fakt, Islami është fe e mëshirës së përgjithshme për të gjithë njerëzimin.
Islami është shpallje e shpëtimit dhe zhvillimit, prosperitetit dhe ruajtjes së vlerave të moralit, e cila e bën sigurimin e interesit të të gjithë njerëzve, posaçërisht interesin e të dobëtëve dhe jetimëve.
Jetim quhet ai të cilit në vegjëli i humb prindi.
Islami përkujdeset për çështjen e jetimëve me përkujdesje të plotë, përkujdesje fizike dhe ekonomike. Islami e ka bërë farz autorizimin e kujdestarëve të mëdhenj dhe të rriturve prej familjarëve të tij si f.v., babai (gjyshi), gjyshi (stërgjyshi), që të marrin përsipër interesin e jetimit përderisa është i vogël.
Kujdestaria është dy llojesh:
– Kujdestaria për fizikun (shëndetin) e tij; dhe
– Kujdestaria në çështjet ekonomike të tij.
Sa i përket kujdestarisë fizike: Është dhënia e përgjegjësisë serioze për të afërmin e jetimit si gjyshi, vëllai, axha, për ta edukuar jetimin, për ta ruajtur atë, për ta arsimuar, për mjekimin e tij dhe zhvillimin e tij të shëndetshëm, ashtu që të jetë i barabartë me moshatarët e tij, të ketë fatin sikurse të gjithë fëmijët tjerë, në mirësi, ledhatim dhe çështje tjera.
Në hadithin të cilin e transmeton Taberaniju nga Ebi Hurejre, pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasha Atë, i Cili më ka drejtuar me drejtësi, Allahu nuk e dënon në Ditën e kijametit mëshiruesin e jetimit, i cili sillet butësisht me fjalë, e mëshiron dhe ia forcon (plotëson) dobësinë e tij”, që do të thotë: Sillet butë me jetimin, i ndihmon atij, flet mirë me të, vepron me lehtësi dhe me dhembshuri, i zgjedhë shprehjet e ëmbla gjatë komunikimit me të, mënjanohet nga të mrrolurit dhe ashpërsia me të dhe zemrën e ka të mbushur me ledhatim, butësi, mirësi dhe me bujari para jetimit.
Pejgamberi a.s. kujdestarin dhe përgjegjësin e jetimit e ka përgëzuar me xhenet. Në hadithin të cilin e transmeton Buhariu, Muhamedi a.s. ka thënë: “Unë dhe përkujdesësi i jetimit jemi në xhenet kështu, dhe ka sinjalizuar me gishtin e mesëm dhe i ka bashkuar dy gishtat (e dorës)”.
Me zinxhirë të rregullt (të mirë) transmeton Nesaiu se pejgamberi a.s. ka thënë: “O Zoti im, unë e mbroj të drejtën e dy të dobëtëve: të jetimëve dhe të gruas”.
Po ashtu në hadithin tjetër Muhamedi a.s. ka thënë: “A dëshironi të ndihmoheni dhe të furnizoheni nëpërmjet dikujt tjetër pos të dobëtëve tuaj”.
Këto janë porosi fisnike të pejgamberit a.s. për të respektuar jetimin dhe për t’u përkujdesur për personalitetin edukativ të tij.
Kujdestaria në çështjet ekonomike të tij. Ekziston teksti kur’anor i cili sqaron domosdoshmërinë e përgjegjësisë për çështjet e jetimit e cila është më serioze dhe më e rëndësishme, e ajo ka të bëjë me çështjen ekonomike. Kujdestari i jetimit e ka për obligim të sigurojë pasurinë e jetimit, ta zhvillojë ekonominë e tij dhe ta bëjë produktive dhe të mënjanohet nga keqpërdorimi i pasurisë së jetimit dhe ndalohet të mos tregojë interesim në mbrojtjen e pasurisë së jetimit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e Xhehenemit” (En-Nisa: 10)
Siç sqaruam, Kur’ani fisnik e ka bërë obligim që, kur të rritet jetimi t’i kthehet pasuria e tij dhe kjo pa kurrfarë hezitimi dhe neglizhence.
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Bonjakëve (jetimëve) kur të rriten jepini pasurinë e tyre, dhe mos e ndërroni të pastrin (mallin tuaj që e keni hallall) me të ndytin (me haramin) edhe mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj, pse ky është mëkat i madh.” (En-Nisa: 2)
Ky ajet ka zbritur për një njeri nga Gatafani, i cili kishte shumë pasuri të djalit jetim të vëllait të tij. Kur jetimi është rritur, e ka kërkuar pasurinë, ndërsa axha i tij e ka privuar dhe nuk ia ka kthyer atë pasuri. Kërkojnë të shqyrtohet te pejgamberi a.s. dhe për këtë rast ka zbritur ky ajet. Kur axha e ka dëgjuar këtë ajet ka thënë: E dëgjuam Allahun dhe të dërguarin, kërkojmë mbrojtje te Allahu nga mëkati i madh dhe ia jep pasurinë jetimit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush frikësohet për veten e tij dhe kthehet (pendohet) nga e kaluara kështu, ai e ka të lejuar shtëpinë në xhenet”. Kështu pra, ajeti u drejtohet kujdestarëve të jetimëve.
Ibn Zejdi ka thënë: “Ky ajet dhe referimi i tij është për arabët tek të cilët zakonisht fëmija i vogël nuk trashëgonte së bashku me të madhin. U është thënë atyre, le të trashëgojnë pasurinë e tyre dhe ju të mëdhenjtë mos lejoni pjesën tuaj të lejuar të mirë dhe të merrni gjithë pasurinë padrejtësisht, të ndaluar, të fëlliqur, atëherë veprimi juaj është një lloj zëvendësimi.”
Si do që të jetë sqarimi i shkaqeve të zbritjes së ajetit, ky ajet kërkon që, jetimit t’i jepet e drejta e plotë e tij, pa marrë parasysh të drejtën e tyre trashëgimore ose të drejtë tjetër ose dorëzimin e tyre kur të arrijnë moshën e pjekurisë, atëherë është e obligueshme për kujdestarët apo përgjegjësit t’ua kthejnë pasurinë jetimëve kur të jenë plotësisht të pjekur dhe është i ndaluar shfrytëzimi, keqpërdorimi, bashkëngjitja e pasurisë së jetimit me pasurinë e kujdestarit të tij: O ju kujdestarë (të jetimëve) keni kujdes, mos e shfrytëzoni dhe mos e shpenzoni pasurinë e jetimit në vendin ku e shfrytëzoni apo shpenzoni pasurinë tuaj. Nëse ju e shpenzoni pasurinë e tyre për veten tuaj dhe nuk e shpenzoni pasurinë tuaj për pasurinë e tyre, atëherë e keni zëvendësuar të keqen me të mirën, haramin (të ndaluarën) në vend të hallallit (të lejuarës). Ligjërisht kjo është e ndaluar dhe ky qëndrim llogaritet veprim i keq dhe mëkat i madh.
Kjo çështje tregon mënyrën e përkujdesjes ndaj jetimit në islam, tregon anën legjislative të rëndësishme, e ajo është për rastin kur i forti dëshiron (lakmon) shfrytëzimin e të dobëtit, i madhi e shfrytëzon të voglin dhe se Allahu monitoron çdo veprim. Kjo, nga shkaku se Allahu i Madhërishëm e pyet çdo njeri për gjithçka, qoftë e vogël, qoftë e madhe.