Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kapitali është begati dhe pasuri, si për individin ashtu edhe për shoqërinë.
Pasurinë duhet ruajtur, duhet zhvilluar. Pasurinë duhet siguruar edhe nga shkapërderdhja, qoftë edhe pa kamatë.
Pasuria nuk është e drejtë ekskluzive e pronarit, por është e drejtë e umetit dhe shoqërisë. Shoqëria duhet të merr pjesë në mënyrën e menaxhimit pasurisë, zhvillimin e asaj pasurie, përdorimin në mënyrë ligjore, me të cilën realizohen interesa të veçanta dhe të përgjithshme. Për këtë arsye, Islami nuk pranon që t’i lejohet në dispozicion personit i cili nuk është i aftë ta ruaj dhe ta sigurojë atë pasuri si f.v., mendjelehtëve, shkapërderdhësve të cilët nuk dinë ta menaxhojnë pasurinë e jetimëve të cilëve u mungon përvoja e administrimit, përdorimit dhe zhvillimit të pasurisë, por pasurinë ia besojnë personave të autorizuar ligjërisht. Kjo për shkak të gjendjes së tyre apo vegjëlisë së tyre, Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 5 dhe 6:
Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkamje, e ata ushqeni nga ajo, vishni dhe u thoni fjalë të mira. (5) Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzojuani atyre pasurinë e tyre. Mos e hani atë duke shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata. Kush është i pasur le të i ruhet (shfrytëzimit të pasurisë së jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t’jua dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni). Mjafton që Allahu është llogaritës. (6)
Edhe pse thuhet se ajeti ka zbritur për fëmijët e burrit të vogël (shkurtabiq) dhe gruas së tij, më e sakta është se ka zbritur për shpenzuesit pa nevojë, për shkapërderdhësit dhe për mendjelehtët.
Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar umetin që t’i bëj kujdestarë mendjelehtët të cilët nuk dinë të menaxhojnë me pasuri dhe nuk dinë të dorëzojnë pasurinë në vendin dhe në kohën e duhur, që të mos bëhet mjet keqpërdorimi për shoqërinë, por pasuria duhet të jetë në kompetencën e të ndershmit, i cili para se të shpenzojë e di se do të jep llogari për atë veprim, kjo derisa mendjelehti të aftësohet që ta sigurojë pasurinë e cila është bazë e jetës së njeriut, e umetit dhe shoqërisë. Kujdestari e zhvillon pasurinë dhe e shfrytëzon (e përdor) në forma ligjore dhe logjike dhe shpenzon në barrë të mendjelehtit, shpenzim mesatar nga përfitimi dhe shtimi i asaj pasurie dhe jo nga pasuria e vet, ku shpenzon varësisht prej nevojës, për veshmbathje, arsimim dhe shëndetin personal sepse këto janë ana e jashtme e tij.
Kujdestari duhet të sillet mirë me mendjelehtin, me sjellje moralo-edukative, t’i flet butësisht, nuk duhet të sillet ashpër dhe nuk duhet t’i flet me gjuhë të ashpër, por vepron me të ashtu siç vepron me fëmijët e tij, me butësi dhe mëshirë, duhet t’i jep vullnet dhe kurajë dhe ta mësojë se çka duhet të shpenzojë nga pasuria e tij, se si duhet të jetë i kujdesshëm me pasurinë. Në pasuri nuk ka privilegje, por ai do ta pranojë kur të rritet dhe kur të jetë i aftë.
Ajeti ka zbritur për jetimët, që t’u sigurohet pasuria e tyre dhe për organizimin e raporteve në mes tyre dhe kujdestarëve të tyre.
Kujdestarët duhet ta testojnë jetimin kur të arrijë moshën e pjekurisë. Mosha e pjekurisë është mosha e martesës dhe pjekurisë mendore (logjike). E aftëson për mënyrën e përdorimit të pasurisë dhe menaxhimit të saj. Kur kujdestari ta vërtetojë pjekurinë e jetimit, ia dorëzon pasurinë në tërësi, pa i lënë mangët asgjë. Kur t’ia dorëzoni, le të prezantojnë dëshmitarë, që të mos pretendohet se ka ndalë për vete ndonjë pjesë të pasurisë.
Sigurimi (bashkëngjitja) i kapitalit të jetimit me kapitalin e kujdestarit apo të afërmit të tij është më i mirë se sa lënia e jetimit të izolohet dhe të jetojë i vetëm. Kujdestari nuk duhet të prekë në kapitalin e jetimit që të shpenzojë dhe të ushqehet me atë kapital, nga shkaku se natyrshmëri e njeriut është që të shpenzojë nga kapitali i të tjerëve. Nuk duhet të përshpejtojë që nga kapitali i jetimit të përfitojë para se jetimi të arrijë moshën e pjekurisë.
Përderisa, nëse kujdestari e shfrytëzon kapitalin e jetimit pa e tepruar dhe pa e shkapërderdhur, lejohet në rast domosdoshmërie (nevoje), por duhet të jetë i matur dhe ta shpenzojë proporcionalisht me mundin e shpenzuar:
– Nëse kujdestari është i pasur, nuk ushqehet me atë pasuri dhe ai duhet të heq dorë nga kompensimi.
– Nëse kujdestari është i varfër, nevojtar, atëherë ai kujdestar le të shpenzojë aq sa është e lejuar ligjërisht dhe sipas zakonit, duke mos e tepruar dhe duke mos shkapërderdhë.
Umeri r.a. ka thënë: “Unë e konsideroj veten se jam në pasurinë e Allahut (pasurinë e umetit) si në pozitën e kujdestarit të jetimit. Nëse jam i pasur, përmbahem, nëse kam nevojë, e shfrytëzojë sa të jetë e nevojshme, nëse e kam gjendjen e mirë ekonomike, heq dorë në shpenzimin e pasurisë së jetimit”.
Kështu pra, Kapitali është amanet edhe i individëve edhe i shoqërisë. Me mjete ekonomike zhvillohen dhe ndërtohen civilizimet. Kapitali është bazë e zhvillimit dhe prosperitetit shoqëror. Për këtë arsye, Kur’ani e ka cilësuar bazë të jetesës, andaj kujdestarët dhe përgjegjësit duhet ta ruajnë dhe ta sigurojnë kapitalin e jetimit dhe të mendjelehtëve, ashtu që jetimi dhe mendjelehti të mos mbeten të varfër dhe kësisoj të bëhen barrë e shoqërisë.