Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami ka ndaluar çdo lloj padrejtësie dhe çdo lloj krimi. Prej krimeve më të rënda janë:
– Shfrytëzimi i kapitalit të të tjerëve në mënyrë të palejuar;
– Moslejimi i grave të trashëgojnë nga kapitali i të afërmve të tyre; dhe
– Shfrytëzimi i kapitalit të jetimit.
Kur’ani i ka dhënë të drejta femrës dhe ndër ato të drejta është edhe e drejta që të posedojë pasuri personale. Ajo ka të drejtë të plotë të veprojë me kapitalin e saj si të dojë, pa marrë parasysh në cilën pozitë është: Në pozitën e nënës, të gruas, të vajzës apo të motrës. Ajo ka të drejtën e plotë:
– Të ketë financat e veta;
– Të ketë fitimin e vet dhe
– Të ketë të drejtën trashëgimore nga të afërmit e saj.
Në ligjin e Kur’anit, e drejta e gruas ka ardhur si reagim ndaj veprimeve të arabëve të kohës së injorancës, të cilët gruas ia ndalonin të drejtën e trashëgimisë.
Në historinë e së drejtës është vërtetuar se Evs bin Samet el-Ensariju ka vdekur dhe e ka lënë gruan e tij të vejë dhe dy vajzat e tij. Dy djemtë e axhës së tij Sufejdi dhe Arfate nuk e kanë lejuar që të trashëgojnë gruaja dhe vajzat e tij. Ajo ankohet te i dërguari i Allahut dhe i dërguari i Allahut i ka thirrur dhe ata iu kanë përgjigjur ftesës dhe i kanë thënë: “O i dërguar i Allahut, fëmijët e saj nuk mund të kalërojnë, nuk mund të ketë fëmijë, nuk mund të ballafaqohet me armikun dhe nuk mund të përfitojmë asgjë prej saj”, atëherë ka zbritur ky ajet dhe iu dha e drejta trashëgimore, pastaj kanë zbritur ajetet e trashëgimisë dhe mënyra e ndarjes së trashëgimisë se sa i takon gjithsecilit.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 7-10:
Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti). (7) Kur të prezantojnë (në pjesëtimin e pasurisë që ka lënë i vdekuri) të afërm, bonjak dhe varfanjak (që nuk janë pjesëtarë në trashëgim), jepuni nga ajo (pasuri e lënë) dhe atyre thojini fjalë të mira. (8) Le të frikësohen ata (në prag të vdekjes) sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët kanë drojë (si do të jetë gjendja e tyre) le t’i ruhen Allahut (dënimit të Tij) dhe le t’ju thonë (jetimëve) fjalë prindore. (9) Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e Xhehenemit. (10)
Ajetet obligojnë që, secilit trashëgimtar t’i jepet e drejta e tij nga kapitali i të trashëguarit, duke filluar prej prindërve e deri te të afërmit, pa dallim meshkuj apo femra, të vegjël e të mëdhenj, pa marrë parasysh pasuria e të vdekurit a është e paktë apo e shumtë.
Për të siguruar familjen, për të siguruar forcimin e raporteve në mes anëtarëve të familjes dhe vazhdimin e dashurisë, respektit dhe lidhshmërisë mes vete, për të zhdukë urrejtjen dhe fatkeqësitë në mes njerëzve. Kur’ani fisnik ka porositur që para vdekjes të testamentohet një pjesë e kapitalit, qoftë edhe e vogël, për ata të cilët nuk trashëgojnë, siç janë jetimët dhe të varfrit. Pastaj ka porositë që atyre të afërmve t’u flitet me fjalë të mira, t’i inkurajojë, të arsyetohet me arsyetim të mirë ashtu që t’i qetësojë zemrat, të shuajë urrejtjet dhe hidhërimet, të pengojë konfliktet, mosmarrëveshjet dhe ankesat e njëri-tjetrit, të mos e kritikojnë apo nënçmojnë njëri-tjetrin, të mos lejohet koprracia dhe lakmia dhe të ju referoj në zbatimin e testamentit.
Edukatë kur’anore është që, trashëgimtarët ose prezantuesit, kapitalin e trashëguar ta ndajnë edhe për të testamentuarit, me fjalë tjera që të testamentuarve t’u lejohet deri në një të tretën e trashëgimisë, e ata janë të afërmit të cilët nuk kanë merituar pjesë të trashëgimisë, jetimët, të varfrit, i cili testament është një formë edukate dhe jo si obligim ligjor, por si çështje e pëlqyer dhe e mirë. Në testament kemi të mirën dhe interesin.
Fjala e mirë siç njihet është që t’u thuhet çdo fjalë përkëdhelëse siç janë lutja, arsyetimi, fjala e urtë e mençur, etj.
Allahu i Madhërishëm i ka porositur ata kujdestarë apo përgjegjës që me jetimët të sillen në formën më të mirë, të mos i lëndojnë ndjenjat e tyre me ashpërsi dhe me sjellje arrogante. Kjo nga shkaku se ata kujdestarë përgjegjës janë kujdestarë të fëmijëve jetim paralelisht me fëmijët e tyre, ndoshta edhe kanë pasardhës të dobët dhe frikësohen për ardhmërinë e tyre, atëherë le të jenë të kujdesshëm ndaj jetimëve të tjerë, ashtu siç dëshirojnë që t’i frikësohen Allahut për të tjerët sikurse po të kishin qenë jetim fëmijët e tij në përgjegjësi dhe kujdestari të të tjerëve. Le t’u flasin fjalë të mira, të cilat largojnë dhimbjet e tyre, pengojnë të keqen kundër tyre dhe fjalë që janë në harmoni me edukatën fetare dhe moralin e të drejtëve. Le të flasin fjalë të cilat i gëzojnë zemrat e tyre dhe i qetësojnë mendjet e tyre dhe le ta zëvendësojnë (kompensojnë) ledhatimin e babës së vdekur të jetimit. Çdo kujdestar i jetimit duhet të sillet mirë me jetimët, të flet mirë me ta, të veprojë mirë me ta dhe të jetojë mirë me ta.
Devotshmëria duhet të jetë në çdo pjesë të pasurisë së tyre, ashtu siç do të frikësoheshin se si do të veprohej me pasurinë e mbetur për pasardhësit e tyre nëse ndonjëri do të ishte kujdestar i tyre.
Keqpërdorimi i pasurisë së jetimit dhe shfrytëzimi me pa të drejtë ose neglizhimi i përdorimit ose moskujdesi i drejtë për të është ngjashëm me futjen e zjarrit në trupin (lukthin) e tyre dhe është veprim i cili do t’i shpie në zjarr të xhehenemit. Për shkak të padrejtësisë së tyre do të përvëlohen dhe do të digjen.
Keqpërdorimi i kapitalit të jetimit është i njëjtë me pengimin e gjinisë femërore nga e drejta trashëgimore nga të afërmit e tyre.