URTËSI DHE MËSIME TË PËRFITUARA NGA SUREJA JUSUF
–
Suretu Jusuf është një prej tregimeve më të bukura për njeriun më të bukur dhe për Kur’anin i cili është programi më i mirë dhe më i bukuri i jetës në përgjithësi.
Në këtë sure përfitojmë urtësi dhe mësime si në vijim:
– Urtësi dhe mësime të raportit të njeriut me Zotin;
– Urtësi dhe mësime për vetveten;
– Urtësi dhe mësime për bashkëshortë;
– Urtësi dhe mësime për babën me djalin;
– Urtësi dhe mësime për djalin me babën;
– Urtësi dhe mësime vëlla me vëlla;
– Urtësi dhe mësime për qeveritarin ndaj qytetarit;
– Urtësi dhe mësime për qeveritarin për të vepruar me drejtësi;
– Urtësi dhe mësime për prokurorë e gjykatës;
– Urtësi dhe mësime për raporte regjionale dhe ndërshtetërore;
– Urtësi dhe mësime për etikën dhe moralin;
– Urtësi dhe mësime për politikë;
– Urtësi dhe mësime për diplomaci;
etj., etj.
URTËSI DHE MËSIM PËR BABËN ME DJALIN
Babai e ka këshilluar (prindërit duhet t’i këshillojnë fëmijët) të mos i tregonte vëllezërve ëndrrën. Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”.(Jusfuf, 5)
Edhe pse e ka dëgjuar prindin dhe nuk ua ka treguar ëndrrën prapëseprapë e kanë lajkatuar dhe prapëseprapë e kanë larguar nga vendlindja, mirëpo kjo nuk do të thotë se përfundimi nuk do të jetë i mirë.
URTËSI DHE MËSIM PËR DJALIN ME BABËN
Djali e ka dëgjuar Babanë.
Edhe pse Jusufi a.s. ka qenë i ri, ai e ka dëgjuar fjalën dhe këshillën e babait dhe nuk ju ka treguar vëllezërve për ëndrrën.
Dëgjimi i këshillës së babait ka ndikuar që ai të shpërblehet dhe të bëhet ministër i financave edhe pse për një kohë ka hasur në vështirësi.
URTËSI DHE MËSIM PËR VËLLEZËRIT NË MES VETE
Allahu i Madhërishëm në Kur’an tregon se:
“…ata (vëllezërit e Jusufit) kanë thënë: “Pasha Zotin, Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur te baba ynë se sa ne.” (Jusuf, 8)
Vëllezërit kanë xhelozuar ndaj Jusufit a.s., për këtë arsye e kanë hedhë në bunar mirëpo Jusufi a.s. e ka vepruar të kundërtën, i ka nxjerrë nga kriza ekonomike dhe nga humnera e varfërisë në gjendje të mirë ekonomike (i ka nxjerrë nga “errësira” e bunarit në “dritë”).
URTËSI DHE MËSIM PËR TË ÇMUAR VLERËN E NJERËZVE
Jusufit a.s. nuk i është ditë vlera “E kanë shitë për disa dirhem.”
Ata të cilët e kanë shitë Jusufin a.s. me çmim simbolik, nuk e kanë ditë se ai ka pas çmim të lartë dhe të pakrahasueshëm. Nuk e kanë ditë se ai është në gjendje ta nxjerr një shtet dhe një regjion nga kriza ekonomike.
Këtë e tregon ajeti në vijim:
“Dhe e shitën atë (Jusufin (për një çmim të vogël, për disa dërhemë…” (Jusuf, 20)
URTËSI DHE MËSIM PËR VLERËN E NDERËSHMËRISË DHE TË MORALIT
Gruaja e Azizit, Zulejhaja ka dashur ta përvetësoj Jusufin a.s., mirëpo këtë qëllim nuk ka arritur ta realizoj.
Tradhtia bashkëshortore është një gjë e neveritshme dhe tradhtia më e keqe është të tradhtosh dikë që është i sjellshëm dhe fisnik ndaj teje, që të respekton, të mbron dhe që të ka besuar.
Jusufi a.s ka ikë nga mëkati. Kjo ikje nga mëkati ka ndikuar që ai fillimisht të burgosej, por kjo nuk ka ndikuar që të mbetet përgjithmonë në burg, përkundrazi është liruar dhe është bërë ministër i financave.
Kur gruaja e Azizit e ftoi Jusufin a.s. të bëjë imoralitet me të, gjëja e parë që ka bërë ai ka qenë kërkimi i mbrojtjes tek Allahu, ka thënë: “Allahu më ruajttë!” Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu është mjet sigurie për muslimanin prej të gjitha sprovave dhe të këqijave.
Madhështia e vërtetë arrihet me vlera të moralit të mirë. Virtytet e vërteta dhe morali i mirë mbeten, ndërsa të mirat materiale zhduken.
URTËSI DHE MËSIM PËR PËRZGJEDHJE NË MES TË MËKATIT DHE DËNIMIT
Jusufi ka ardhur në një situatë saqë i është dashur të vendosë:
– ose të bënte mëkat,
– ose të burgosej.
Jusufi e ka përzgjedh burgun dhe ka thënë: “Për mua burgu është më i dëshiruar se sa të veproj atë që më urdhërojnë.”
Njësoj sikurse Jusufi edhe besimtari i sinqertë, ndërmjet dënimit të kësaj bote dhe mëkatit, zgjedh dënimin e kësaj bote.
URTËSI DHE MËSIM PËR TU DËSHMUAR PAFAJSIA
Jusufi a.s është arrestuar dhe është dërguar në burg i pafajshëm. Atëherë kur kanë dashur ta lirojnë nga burgu, ai nuk ka pranuar të dalë nga burgu pa u dëshmuar pafajësia e tij.
Atëherë kur është dëshmuar pafajësia e tij ka dalë nga burgu.
JUSUFIN KANË DASHUR TA LIKUIDOJNË FIZIKISHT
Jusufin a.s. kanë dashur ta mbysin dhe ta likuidojnë fizikisht, por kjo nuk ka ndodhë, ai ka shpëtuar, andaj mos u brengos nga komplotet e tjerëve ndaj teje sepse dëshira e Zotit është mbi dëshirat dhe apetitet e çdokujt tjetër.
JUSUFIN A.S KANË DASHUR TA PENGOJNË POLITIKISHT
Jusufin a.s. kanë dashur ta eliminojnë politikisht, për këtë arsye e kanë hedhë në bunarë dhe ia kanë fsheh gjurmët, ndërsa Allahu e ka ngritë në pozitë më të lartë, ai ka arrit pozitën e ministrit të financave.
Mos u brengos nga planet e tjerëve kundrejt teje sepse vullneti Zotit është mbi planet e çdokujt tjetër.
JUSUFIN KANË DASHUR TA PENGOJNË TË MOS ARRIJ FAMË
Jusufin a.s. e kanë shitë si skllav, por pastaj ai ka mbërritur pozitë të lartë shtetërore dhe është bërë ministër. Nga kjo pozitë, me besnikërinë e tij, me bujarinë e tij fisnike ka arritur famë të madhe.
Andaj:
Mos u brengos nga planet dhe komplotet e tjerëve ndaj teje sepse dëshira e Zotit është mbi dëshirat dhe apetitet e çdokujt tjetër.
URTËSI DHE MËSIM PËR PROKURORËT DHE GJYKATËSIT
Në suretu Jusuf të Kur’anit përmendën tri këmishat e Jusufit a.s., me fjalë tjera tri fakte dhe prova për t’u dëshmuar e vërteta atëherë kur kryerësi i veprës mundohet të fsheh krimin dhe të vërtetën.
Ato këmisha, ato fakte dhe ato prova janë:
– Këmisha e pa shqyer (e pa grisur);
– Këmisha e shqyer (e grisur) dhe
– Këmisha me aromë.
Në esencë ato nuk janë këmisha por janë dëshmi konkrete për prokurorin për të proceduar një lëndë gjyqësore dhe gjykatësin për të gjykuar një lëndë dhe për qytetarin për të menduar dhe për të mos gjykuar me hamendje, por me fakte.
a. Këmisha e pa shqyer (e pa grisur)
Këmisha tregon për fabrikim të lajmeve, dëshmive, etj.
Këmisha e pa shqyer, e cila ka qenë dëshmi se Jusufin a.s. nuk e ka ngrënë ujku. Vëllezërit e tij e sjellin si dëshmi dhe thonë se prej Jusufit ka mbetur vetëm kjo këmishë dhe se ata janë të pafajshëm, ndërsa në realitet ishte e kundërta, e në fakt ajo këmishë, për shkak se ishte e pa shqyer, ishte dëshmi e tradhtisë së tyre.
Kjo është dëshmi se fshehja e gjurmës zbulohet nga vet ajo që është si dëshmi për ata (prokurorët, dëshmitarët e rrejshëm, etj.) të cilët i fshehin gjurmët me vetëdije.
Për këmishën e parë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dhe e sollën këmishën e tij (të Jusufit a.s.) të përgjakur, me gjak të rremë.” (Jusuf, 18)
b. Këmisha e shqyer (e grisur)
Këmisha e dytë tregon për tentim të fshehjes së fakteve.
Sa i përket këmishës së dytë:
Këmisha e shqyer në trupin e tij (Jusufit a.s.) në shpinë ka qenë dëshmi pro tij, pasi me të është vërtetuar se ai nuk ka vrapuar pas bashkëshortes së sundimtarit, porse ajo ka vrapuar pas tij.
Për këmishën e dytë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Një i afërt i saj tha:
– nëse këmisha e tij është e shqyer përpara, ajo thotë të vërtetën, kurse ai (Jusufi) gënjen;
-nëse këmisha e tij është e shqyer prapa, ajo gënjen, ndërsa ai (Jusufi) e thotë të vërtetën.” (Jusuf : 26)
c. Këmisha me aromë.
Këmisha e tretë tregon për aromën që sjell lajmi i mirë.
Për këmishën e tretë, Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë atij iu kthye shikimi.” (Jusuf : 96)
I dëmtuari i cili më në fund e gjen shpëtimin dhe gëzimin. Këmisha e lajmit përgëzues për prindin e Jusufit a.s., Jakubin a.s., si dëshmi se Jusufi a.s. është i gjallë dhe do t’i kthehet prindit të tij, madje po me këtë këmishë Jakubit a.s. i është rikthyer shikimi.
URTËSI DHE MËSIM PËR SJELLJEN NË RASTE KRITIKE DHE TË MIRA
Urtësi dhe mësim për personat në pozitë dhe jo pozitë, për personat kur arrijnë poste dhe kur nuk janë në poste.
Jusufi a.s kur nuk kishte pozitë dhe deri sa ishte në burg i thoshin:
“Ne e shohim se je prej të mirëve”. (Jusuf, 36)
Jusufi a.s. deri sa ishte ministër i thoshin:
“Ne e shohim se je prej të mirëve”.(Jusuf,78)
I mirë është ai cili nuk ndryshon pavarësisht prej ndryshimit të rrethanave apo ndryshimit të pozitës sepse ari i pastër është i pastër dhe i vlefshëm kudo që të jetë.
URTËSI DHE MËSIME PËR MERITOKRACI DHE JONEPOTIZËM
Mbreti i Egjiptit kur e ka kuptuar aftësinë e Jusufit a.s., e ka marrë dhe e ka emëruar ministër të ekonomisë dhe financave edhe pse nuk e ka pasur familjar.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Mbreti tha, ma sillni mua që ta siguroj për veten time dhe kur bisedoi me të tha, sot ke një pozitë të lartë dhe të ndershme.”
Kështu mbreti, Jusufin a.s e ka emëruar ministër të ekonomisë dhe të financave.
Në politikë, ekonomi, për zhvillim të shoqërisë dhe të vendit duhet gjetur me të mirët e profesioneve dhe jo më të dëgjueshmit.
Pas emërimi të Jusufit në postin e ministrit të ekonomisë dhe të financave, ai me planprogramin e vet ekonomik dhe me menaxhimin e tij i ka sjell zhvillim vendit dhe shoqërisë.
URTËSI DHE MËSIM PËR PLANIFIKIMIN DHE PROGRAMIMIN KOMBËTAR
Jusufi a.s. ishte emëruar ministër. Ai ka planifikuar dhe ka programuar sistemin programor “shtatë plus shtatë”:
– Shtatë vite të rendimenteve të larta të bujqësisë dhe blegtorisë t’i rezervon në depot shtetërore që të ketë rezerva, për shtatë vite tjera kur nuk do të kishte rendimente për shkak të thatësisë dhe për shkak të krijimit të kushteve të ashpra klimatike.
– Gjatë shtatë viteve kur nuk kishte krizë ekonomike vendosi drejtësi, sinqeritet, barazi.
Po ashtu, pas shtatë viteve tjera të krizës, për t’i shpenzuar rezervat shtetërore ka qenë dashtë drejtësi, barazi dhe sinqeritet.
URTËSI DHE MËSIME SE GËNJESHTARËT DËSHTOJNË
Gënjeshtrat e njëpasnjëshme të cilat ishin fabrikuar për Jusufin a.s., që të gjitha kanë dështuar, ndërsa e vërteta gjithmonë ka fituar.
Gënjeshtrat sado të fuqishme dhe dominuese të jenë në një moment të caktuar, fati dhe fundi i tyre është dënimi dhe fitorja përfundimtare i përket të vërtetës dhe të drejtëve.
DIPLOMACIA PËR TË FITUAR TË DREJTËN
Jusufi a.s. ishte ministër i ekonomisë dhe financave. Ai dëshironte që t’i bashkëngjitej vëllai i tij. Për tu realizuar kjo çështje nevojitej urtësi, planifikim dhe diplomaci. Për të arritur këtë qëllim ka qenë dashur plan i thuktë dhe i detajuar.
Ai i dinte ligjet, kushtet dhe rrethanat e vendit ku kishte lindur. E dinte diplomacinë e vendit ku ishte shitur dhe i dinte rrethanat ku kishte jetuar.
Vëllezërit e Jusufit a.s. kur kanë shkuar në Egjipt, me vete e kishin marrë vëllain e tyre të vogël.
Hapi i parë:
Hapin e parë që e ka bërë Jusufi a.s ishte se e ka ndarë vëllain e tij të vogël prej të tjerëve dhe ia ka zbuluar atij identitetin e tij të vërtetë.
“E kur hynë te Jusufi, ai (Jusufi) e afroi pranë vete vëllain e vet (Benjaminin) dhe i tha: “Unë jam vëllai yt, e ti mos u pikëllo për atë që ata vepruan!” (Jusuf: 69)
Hapi i dytë:
E ka fshehë gotën në barrën e Benjaminit. Kur janë nisur të ktheheshin me ngarkesën e tyre.
Pastaj, njëri prej nëpunësve ose administratorëve ka kërkuar që të kontrolloheshin ngarkesat e vëllezërve të Jusufit a.s
Gota e mbretit ka qenë e fshehur të ngarkesa e Benjaminit.
Hapi i tretë:
Vëllezërit e Jusufit janë pyetur se çfarë mund të ishte dënimi nëse do të zbulohej se gota ishte në posedimin e tyre?
Sipas ligjit të tyre, pronari i thesit në të cilin do të gjendej gota do të ndalohej dhe do të mbahej në arrest.
Hapi i katërt:
Sipas ligjeve të Egjiptit, Jusufit a.s. nuk i takonte të mbante vëllain e tij pranë vetes edhe pse e kishte gjetur gotën në barrën e Benjaminit. Mirëpo sipas ligjit të tyre (të vëllezërve të tij), pronari i thesit (Benjamini) në të cilin është gjetur gota është ndaluar dhe është mbajtur në arrest.
Jusufi a.s e ka arritur qëllimit ta ndalte vëllain e tij duke vepruar me diplomaci, ashtu që ka vepruar në bazë të ligjeve të vendit ku ka lindë dhe jo në bazë të ligjeve të Egjiptit, ku edhe ishte ministër i ekonomisë.
Allahu i Madhërishëm e tregon këtë ngjarje si në vijim:
“E kur i pajisi ata me pajimet e tyre, e vuri tasin (gotën) në barrën e vëllait të vet, e pastaj një thirrës thirri: “O ju devexhinj, ju jeni vjedhës!” U kthyen (devexhinjtë) dhe thanë: “Çka keni humbur?” (Shërbëtorët e sundimtarit) thanë: “Kemi humbur gotën e sunduesit, e kush e sjell atë (gotën), ka (shpërblim) një barrë deveje (drithë). Unë vetë jam për këtë garantues!” Ata (vëllezërit e Jusufit) thanë: “Pasha Allahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur për të bërë shkatërrime në tokë dhe nuk jemi vjedhës!” (shërbëtorët) Thanë: “Nëse jeni gënjeshtarë, çfarë duhet të jetë ndëshkimi i atij (që ka vjedhur)?” (Vëllezërit) thanë: “Dënimi i tij është, vetë ai (të robërohet) në barrën e të cilit gjendet. Kështu ne i dënojmë të padrejtit!”
Ai (Jusufi) filloi (kontrollimin) në barrët e tyre, përpara barrës së vëllait të vet, e pastaj e nxori atë (gotën) nga barra e vëllait të vet. Kështu Ne e mësuam të planifikojë Jusufi. Sipas ligjit të mbretit, atij (Jusufit) nuk i takonte ta ndalte (peng) vëllain e vet, përveç kur është dëshira e Allahut! Atë që duam Ne e lartësojmë shumë në dituri, e mbi secilin të dijshëm ka edhe më të dijshëm.” (Sure Jusuf: 70-76)
URTËSI DHE MËSIM SE DASHURIA E CILA BURON NGA BRENDA NUK MUND TË LARGOHET NGA JASHTË
Jakubi a.s. e donte Jusufin a.s.
Vëllezërit e Jusufit kanë tentuar që ta largonin dhe ta zhduknin dashurinë e tij nga zemra e babait Jakubit, por ajo nuk ka ndodhë, përkundrazi dashuria e Jakubit për djalin e tij vetëm se është shtuar edhe më shumë edhe në mungesë të tij.
URTËSI DHE MËSIM SE MBËSHTETJA BËHET TEK ALLAHU E JO TEK NJERËZIT
Jusufi ishte ne burg, kur njëri nga shokët është liruar i ka thënë: Përmendja qeveritarit çështjen time se jam i pafajshëm në burg.
Nga shkaku se kërkoi mbështetje te njeriu dhe përkohësisht e ka harruar mbështetjen e vërtetë te Allahu Jusufi a.s.mbeti ne burg edhe për disa vite.
Pastaj:
Pas disa viteve, me ndërhyrjen qiellore dhe me interpretimin e ëndrrës është liruar nga burgu i pafajshëm dhe është emëruar ministër i ekonomisë dhe financave.
Te jesh i sigurt se nëse i mbështetesh Allahut, Allahu nuk harron, Allahu nuk e humb kurrë shpërblimin e të mirëve.
URTËSI DHE MËSIM SE ÇËSHTJET DUHET DORËZUAR TEK ALLAHU
– Kur Jakubi a.s. për njërin djalë (për Jusfin a.s) ka thënë: “Kam frikë se do ta hajë ujku.” Jusufi është zhdukë dhe i kanë humbë gjurmët, e Jakubi është verbuar nga pikëllimi. Ndërsa,
– kur Jakubi a.s. për djalin (Benjaminin) e dytë ka thënë: “Unë çështjen time ia dorëzoj Allahut”. Dhe kur ka thënë: “Allahu është siguruesi më i mirë.”
Allahu ia ktheu Beniaminin, Jusufin, por edhe shikimin.
Kështu pra:
Dorëzoje çështjen tënde Allahut se vërtet Ai ka urtësi te madhe ne ate qe vepron.
URTËSI PËR BESIMIN E DREJTË
Besimi në Allahun pengon dhe frenon të mos biesh në mëkate. Kur njeriu beson Allahun, me këtë e di se Ai është duke e parë atë, e di të brendshmen dhe të jashtmen e tij, Atij nuk i fshihet asgjë. Nëse besimtari e ka këtë besim në zemër dhe ia kujton vetes në çastet e rrezikut të rënies në sprovë, atëherë do të ketë turp prej Allahut ta shohë në këtë vepër (imoralitet), të cilën Ai nuk e dëshiron dhe rrjedhimisht e frenon veten përballë atij mëkati.
URTËSI PËR SINQERITETIN
Sinqeriteti është mjet për ruajtjen dhe shpëtimin e njeriut prej sprovave, belave dhe të këqijave. Allahu thotë për Jusufin: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” Ajeti 24.
Ai që është i sinqertë me zemrën e tij në raport me Allahun, atëherë epshet e ndaluara, imoraliteti, veprat e shëmtuara dhe kënaqësitë e ndaluara, nuk gjejnë rrugë të depërtojnë në zemrën e tij. Andaj, rrjedhimisht, kur ka mundësinë të bie në këto, me lejen e Allahut ruhet dhe nuk bie në to.
URTËSI DHE MËSIM SE MBËSHTETJA NË ALLAHUN SJELL SUKSESE
Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Kush i bindet Allahut, Ai do ta mbrojë atë.
Besimtari duhet të jetë i sigurt se Allahu do t’i hapë rrugë dhe lehtësim, edhe nëse vitet e pikëllimit dhe sprovës zgjaten.
Përderisa njeriu është i bindur dhe ka mendim të mirë për Allahun, Allahu nuk do t’i tradhtojë shpresat e atyre që i besojnë Atij.
Ndarja me njerëzit e dashur është e padurueshme dhe momentet më të lumtura janë momentet e takimit me të dashurit pas një ndarje të gjatë. Jakubi a.s. u verbua nga mallëngjimi për djalin e tij Jusufin dhe kur ndjeu aromën e të dashurit të tij nga aroma e këmishës së Jusufit a.s. iu kthye shikimi.
URTËSI DHE MËSIM PËR PËRFUNDIMIN E MIRË
Devotshmëria, durimi dhe bamirësia janë tri cilësi të cilat sjellin përfundimin e mirë dhe të lumtur.
Jusufi a.s. ishte i devotshëm, durimtar dhe bamirës dhe në fund pasi u bë ministër i Egjiptit e ftoi babën, vëllezërit dhe familjen në Egjipt dhe iu siguroi jetë të mirë dhe të qetë në kohën kur ekzistonte kriza ekonomike gjithandej.
KUR’ANI ËSHTË PËR MËSIME DHE URTËSI PËR TË MENÇURIT
Suretu Jusuf përfundon me ajetin si në vijim:
“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e urtësi për të mençurit. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Dr. Musli Verbani