–
Një ditë, Hasan el-Basriu po sillej rrotull Qabes në Meke.
Aty takoi një djalë të ri.
Djali i ri mbante në shpinën e tij një kosh.
E pyeti se çfarë kishte në atë kosh.
– Nënën – iu përgjigj djali i ri dhe vazhdoi:
– Jemi njerëz të varfër.
Nena ime donte të vinte në Qabe shumë kohë më parë,
por ne nuk kishim me se t’i përballonim shpenzimet e udhëtimit.
Këtë dëshirë të saj e dija mirë.
Edhe kur u plak e s’mund të udhëtonte,
Qaben nuk e hiqte nga mendja.
Çdo herë që e përmendte, sytë i mbusheshin me lot.
Nuk munda ta shoh nënën në atë gjendje.
E futa në kosh dhe e solla duke e mbajtur në shpinë prej shtëpisë tonë në Siri, e deri këtu.
Tani po i sillemi rrotull Qabes.
Thonë se të drejtat e nënës janë shumë të mëdha. A thua po ia laj borxhet me këtë që bëra?
Hasan el-Basriu iu përgjigj:
– Edhe sikur ta bësh këtë punë edhe shtatëdhjetë herë të tjera, nuk lan as borxhin e një shqelmi që i ke dhënë kur ke qenë në barkun e saj.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”