PLANPROGRAMI EDUKATIV NË ISLAM
–
Pyetje: Cila është metodologjia më e mirë për t’i edukuar njerëzit me edukatë Islame?
Përgjigjja: Ta analizojmë hadithin e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., ku thotë: “Çka është në atë tuajin, i cili e bënë këtë e këtë”. Shohim se ai nuk akuzon vepruesin për atë vepër, që mos ta nxjerrë prej taktit, e kur e nxjerr prej taktit, e turpëron. Këtë e bëri, sepse dëshiroi që atë ta nderojë si pjesë të shoqërisë. Mjafton që njeriu ta dijë vet se ka të metë, e të tjerët mos ta dinë se ai ka atë të metë. Pas kësaj, i dërguari i Allahut s.a.v.s. tregon rrugën bazore në edukim, e ajo rrugë është që edukuesi të pasojë rrugën që të edukuarin ta sjellë te edukimi nëpërmjet rrugës sa më të shkurtër, për çfarëdo çështje prej çeshtjeve. Disa çështje është vështirë t’i vulosësh me mendje të të tjerëve, mirëpo edukuesi duhet të ketë përgatitje profesionale dhe t’i vendosë të gjitha mjetet në disponim për të ndikuar te i edukuari, te e vërteta, të cilën e dëshiron në mënyrën më të lehtë dhe rrugën më të shkurtër.
Imam Ahmedi dhe Bajhekiu në librin e tij “Degët e Imanit” kanë regjistruar hadithin nga Ebi Umamete r.a. se një djalosh ka shkuar te pejgamberi s.a.v.s dhe i ka thënë: O i dërguari i Allahut, më lejo që t’i dashuroj gratë. Disa njerëz deshën ta dëbonin, por Muhamedi s.a.v.s tha: Silleni, silleni më afër. Pastaj, i tha të ulet dhe ai është ulur. E, pejgamberi s.a.v.s e pyet: A dëshiron që të tjerët ta dashurojnë nënën tënde? Ai thotë: Jo, për Zotin, po unë do të sakrifikohesha për të. Po ashtu edhe të tjerët i duan nënat e veta (që mos t’i dashurojë askush). Pastaj pejgamberi s.a.v.s. e pyet: Po a dëshiron që vajza jote të jetë ashtu? Jo, për Zotin, po unë do të sakrifikohesha për të. Po ashtu, edhe të tjerët i duan vajzat e tyre (që mos t’i dashurojë askush). Pastaj, i dërguari i Allahut s.a.v.s e pyet: Po a dëshiron që motra jote të jetë ashtu? Jo, për Zotin, po unë do të sakrifikohesha për të. Po ashtu, edhe të tjerët i duan motrat e tyre (që mos t’i dashurojë askush). Pastaj i dërguari i Allahut .s.a.v.s. e pyet: Po a dëshiron që halla jote të jetë ashtu? Jo, për Zotin, po unë do të sakrifikohesha për të. Po ashtu, edhe të tjerët i duan hallat e tyre (që mos t’i dashurojë askush). Pastaj, i dërguari i Allahut .s.a.v.s e pyet: Po a dëshiron që tezja jote të jetë ashtu? Jo, për Zotin, po unë do të sakrifikohesha për të. Po ashtu, edhe të tjerët i duan tezet e tyre (të mos i dashurojë askush). Pastaj i dërguari i Allahut s.a.v.s. e vendos dorën në kraharorin e tij dhe thotë: O Zot falja gabimet, pastroja zemrën dhe bëje të moralshëm. Pas këtij rasti, ai djalosh nuk ka shikuar diçka tjetër dhe ka thënë: Për Zotin, çdo herë kur epshi im anonte të bëjë një mëkat të atij lloji, më kujtohej sikurse do ta bëj më nënën time, me vajzën time dhe për atë jam larguar.
Pra, i dërguari i Allahut s.a.v.s e ka sjellë çështjen aq afër që të shohë ai fisnikrinë e tij, ndjenjat e tij, vendin e tij dhe pozitën e tij. E, kur dëshiron të bëjë një gjë të tillë, ta kujtojë se çka është të veprosh. Kjo është metodologjia më e mirë për të arritur fisnikërinë, të cilën na e ka mësuar i dërguari i Allahut s.a.v.s se si të këshillosh më së miri dhe si ndikon te të tjerët kur të depërtojë e vërteta në zemrën dhe natyrshmërinë e njeriut. Po, pra. Këshillë e mirë dhe logjikë e shëndoshë.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”