MËKATI I NJERIUT DHE MËKATI I SHEJTANIT
–
Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: Pasha Madhërinë Tënde (O Zot), do t’i përvetësoj dhe do t’i mashtroj që të gjithë, përpos atyre që prej mesit të tyre janë robër të sinqertë (ndaj teje) Po ashtu, ka thënë: Dhe ka kundërshtuar Ademi Zotin e Tij, ka rrëshqitur në mëkat dhe devijoi (nga rruga e drejtë). Pastaj, Zoti i Tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi.
Po ashtu, ka thënë: Dhe Ademi mësoi fjalët se si të kërkonte falje prej Zotit të tij (dhe u pendua), ashtu që Ai ia pranoi pendimin. Parashtrohet pyetja: Pse Zoti i Lartmadhëruar ia ka pranuar pendimin Ademit, ndërsa Iblisin e ka mallkuar dhe e ka dëbuar nga mëshira e Vet deri në ditën e kiametit?
Përgjigjja: Mëkati i shejtanit ndryshon nga mëkati i njeriut. Shejtani ka bërë mëkat ndaj Allahut, kur ka refuzuar t’i bjerë në sexhde Ademit; pra, ky ka qenë veprim i tij, ka qenë mëkat.
Ndërsa, Ademi ka bërë mëkat ndaj Allahut, kur ka ngrënë frytet e pemës. Ky veprim ka qenë mëkat. Mirëpo, që të dyja mëkatet kanë dallim të madh nga njëri-tjetri. Kur shejtani ka kundërshtuar, është treguar kryelart dhe arrogant ndaj Zotit të Lartmadhëruar dhe ka insistuar në mëkatin e tij, duke thënë: “Do t’i devijoj ata në tërësi”. Ai ka sfiduar dhe ka vazhduar të sfidojë pandërprerë; ai ka refuzuar të pranojë se ka bërë mëkat, pra ka thyer prapë urdhrin e Zotit të Lartmadhëruar. Ndërsa, sa i përket Ademit a.s., kur ka gabuar, e ka pranuar gabimin e tij, është penduar dhe nuk ka insistuar në atë që ka bërë, por ka thënë: “O Zoti im, unë jam njeri i dobët, më ka mashtruar dhe më ka devijuar shejtani, ai më ka poshtëruar. O Zoti im, unë jam i vetëdijshëm se me të vërtetë Ti je në të drejtë, fjala jote është e drejtë, programi dhe rruga jote janë të drejta, por qenia ime është e dobët, nuk mundi t’i qëndrojë dhe gaboi. E ,Unë kthehem te Ti, O Zot i im, i penduar, i përkulur duke kërkuar falje”. Pra, kjo ka qenë rruga e Ademit se ka pranuar Madhështinë e Allahut, e ka pranuar peshën e mëkatit të vet, është penduar dhe ka premtuar se nuk do të kthejë më në atë mëkat. Krejtësisht ndryshe nga kjo ka vepruar Iblisi. Ai nuk ka pranuar pendimin, por ka insistuar në mëkat dhe ka këmbëngulur se ai është në të drejtë, se ai nuk ka gabuar; ia ka kthyer urdhrin Allahut, vepron si do ai dhe se ai (Iblisi) ka të drejtë. Për këtë arsye e ka dëbuar Allahu nga mëshira e Tij. Por, Iblisi me çka është pajtuar me këtë dëbim? Është pajtuar me sfidimin e tij, kur ka thënë:
“Pasha Madhërinë Tënde (O Zot), do t’i devijoj dhe do t’i përvetësoj ata, që të gjithë”. Mirëpo, edhe gjatë kundërshtimit, ai prapë e ka ditur se urdhri i Allahut do të ketë sukses. Për këtë arsye ka thënë: “Pasha Madhërinë (Fuqinë) Tënde. “E ka përdorur termin “Fuqinë”, sepse Allahu është i pavarur për gjithçka nga gjithë bota. Iblisi, i mallkuari i Zotit, pra është përbetuar në pavarësinë e Allahut ndaj çdo gjëje, në panevojëshmërinë e Allahut ndaj krijesave dhe nuk ka hasur në diçka tjetër që t’u afrojë njerëzve, përpos fuqisë së Allahut, Krijuesit të tyre, i cili nuk ka nevojë për ta. Po të kishte dashur Allahu i Lartmadhëruar që krijesat t’i nënshtrohen vetëm Atij, të udhëzuar vetëm në rrugën e Tij, shejtani nuk do të kishte pasur mundësi kurrë t’iu afrohet krijesave të Allahut. Për këtë ka përdorur formën përjashtuese, kur ka thënë: “Përpos atyre (që në mesin e tyre) janë të sinqertë”. Pra, atë që Allahu e do, e zgjedh që të jetë rob i sinqertë i tij. Iblisi te ai kurrë nuk mund të depërtojë.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”