VLERA E LEXIMIT TË KUR’ANIT
–
Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe lexoni çka është më së lehti prej Kur’anit”.
Po ashtu, thotë: “Dhe Ne e kemi lehtësuar Kur’anin për përkujtim, por a ka ndonjë që logjikon?”.
Po ashtu, thotë: “Dhe e kemi marrë përsipër, e detyrë e jona është që ta tubojmë dhe ta lexojmë atë. Dhe atëherë kur ta lexojmë atë, përcille leximin e tij.”
Leximi i Kur’anit është ibadet. Koha më e vlefshme e të lexuarit të Kur’anit është sabahu, ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe leximi i Kur’anit në sabah është dëshmuar”. Pra, e dëshmojnë edhe melaqet e natës dhe të ditës.
Pyetja është: Cili lexim ka me shumë shpërblim: leximi në heshtje apo leximi me zë?
Përgjigjja: Më së miri është të lexuarit me zë dhe përmendësh.
Po ashtu, lexo edhe duke shikuar në Mus-haf, ashtu që të ketë shpërblim shikimi yt dhe dëgjimi yt (i veshit tënd). Po ashtu, të ketë shpërblim gjuha jote. Kur’ani nuk është thjeshtë vetëm fjalë, e cila theksohen, por secila shkronjë është melaqe. Kur’ani ka dashuri, sikurse është dashuria njerëzore: nëse e lë anash, e harron.
Pyetje: Ka njerëz të rëndomtë dhe të huaj, të cilët e lexojnë Kur’anin dhe nuk i kuptojnë domethëniet e tij, as mrekullitë e tij.A shpërblehen ata për leximin e Kur’anit?
Përgjigjja: Leximi i Kur’anit është dy llojesh. Lloji i parë është lexim adhurimi dhe ky lexim nuk ka të bëjë me kuptimin, sepse sado që ta kuptojmë Kur’anin, ajo është çka na ka mundësuar Allahu dhe sa kemi mundësi ne. Leximi i shprehjeve të Kur’anit, të cilat Allahu dëshiron që të na mundësojë të kuptojmë prej tij, ndërsa nuk është ajo çka dimë dhe çka kuptojmë prej tij.
Ndërsa, kur ta lexojmë Kur’anin për të nxjerrë ligje prej tij, kjo është krejt një çështje tjetër. Studiuesi e lexon Kur’anin dhe thotë: “prej këtij kuptimi nxirret kjo, prej kësaj fjale kjo”. Dhe sikur të ktheheshim te i dërguari dhe te ata, të cilët vet e kanë emëruar, do të dinim atë që e kanë nxjerrë ata prej tij (prej vet mesit të tyre).
Pra, unë e lexoj Kur’anin për të kuptuar qëllimin që dëshiron Allahu ta kuptojë prej tij. Duhet ta dimë se shfrytëzimi (dobia) në çështje nuk do të thotë të kuptuarit e mënyrës së shfrytëzimit (dobisë). Njeriu i rëndomtë përfiton prej ekranit televiziv, ose prej zërit të radios, mirëpo inxhinieri e di çdo çështje të saj në brendi. Mirëpo, pse unë nuk i di pjesët e brendshme të atij mjeti, nuk do të thotë se nuk mund të përfitoj prej tij. Nëse nuk e di përbërjen e barërave, a do të thotë se unë nuk do të përfitoj asgjë prej atyre barërave?
Jo, kurrsesi jo, se atëherë çdo pacient (i sëmurë) do të kërkonte prej farmacistit përbërjen e çdo hapi (bari), të cilin e merr prej tij.
Pra, leximi i Kur’anit, e kuptova apo nuk e kuptova, më bën dobi.
Ne duhet ta kuptojmë Kur’anin aq sa kemi mundësi, e Allahu nuk na ngarkon më shumë se sa kemi mundësi.
—
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”