O JU, TË CILËT BESUAT
–
Pyetje: Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “O ju, të cilët keni besuar, kini kujdes”.
Po ashtu, ka thënë: “O ju, të cilët keni besuar, mbrojeni veten tuaj dhe familjen tuaj prej zjarrit, ku lëndë djegëse në të janë njerëzit dhe gurët”.
Po ashtu, ka thënë: “O ju, të cilët keni besuar, mos t’ju shkatërrojë pasuria juaj dhe fëmijët tuaj duke mos kujtuar Allahun”.
Po ashtu, ka thënë: “O ju, të cilët keni besuar, ka prej bashkëshortëve tuaj dhe fëmijëve tuaj, të cilët janë armiqtë tuaj. Andaj, keni kujdes dhe ruajuni prej tyre”.
Po ashtu, ka thënë: O ju, të cilët keni besuar, pendohuni te Allahu me pendim të pastër dhe të sinqertë. Në këtë ajet dhe ajete të tjera Zoti i Lartmadhëruar u drejtohet besimtarëve. Mirëpo, në ajetet tjera thotë:
“O ju njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, nuk ka dyshim se tronditja e çastit të kiametit është çështje shumë e madhe.” Këtu u është drejtuar njerëzve në përgjithësi, si individë por edhe si besimtarë. Pse ndonjëherë u drejtohet vetëm besimtarëve, e ndonjëherë njerëzve?
Përgjigjja: Bazë e praktikimit të programit të Allahut është Imani (besimi). Për këtë arsye, kur Allahu u drejtohet robërve të tij në praktikimin e programit të Tij, gjithmonë thotë: “o ju, të cilët keni besuar”, e kjo formë përsëritet në shumë ajete. Parashtrohet pyetja: Pse? Sepse bazë e praktikimit të programit të Allahut është besimi në Allahun, pejgamberët e Tij, melaqet e Tij dhe çështjet e padukshme. Ky është çelësi, ndërsa çdo gjë jashtë kësaj është e pavlerë; nëse vepron diçka që ka urdhëruar Allahu, por ti nuk beson, vepra jote është e pavlefshme. Allahu i Lartmadhëruar ka urdhëruar t’u japësh lëmoshë të varfërve për të fituar kënaqësinë e Allahut, besimin në Allahun dhe programin e Tij; nëse beson në këtë, ke shpërblim. Mirëpo, ta konsiderojmë një njeri, i cili jep lëmoshë, që të thuhet se ai është fisnik, ai i tubon të varfrit, u ndihmon, i përkrah, u jep lëmoshë, e me atë lavdërohet; ai u jep para njerëzve që ta shohin dhe të flasin për të, e të tjerët flasin vazhdimisht për të. Mirëpo, kur ndonjë i varfër shkon te ai dhe kërkon ndonjë lëmoshë, ai nuk i jep. Ai do reputacion, ai nuk e do kënaqësinë e Allahut. Ky njeri nuk shpërblehet, edhe pse ka bërë vepër, të cilën e ka kërkuar Allahu i Lartmadhëruar. Ai ka vepruar, por nuk ka besuar në Allahun dhe nuk e ka bërë për Allahun. Ai me zemër nuk beson në Allahun dhe tek ai nuk zbatohet thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “O ju që keni besuar”. Kështu, p.sh. një njeri falet para njerëzve, mirëpo kur të jetë i vetmuar, nuk falet. A shpërblehet ai për atë namaz? Asnjëherë. Kurrë nuk shpërblehet, ani pse ai vepron atë që ka urdhëruar Allahu; pra është pa iman. Allahu i Lartmadhëruar nuk ka nevojë për ortak. Për këtë arsye, çdo vepër që bëhet për ta fituar kënaqësinë e Tij, e pranon, por nëse bëhet për të fituar kënaqësinë e njerëzve, Ai nuk ka nevojë për atë vepër dhe nuk e pranon prej tij, edhe pse është një pjesë, e cila i kënaq njerëzit. Allahu i Lartmadhëruar është i pavarur nga gjithë bota.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”