Suhejbi r.a.
–
Suhejbi ishte një djalë i mirë, bujar dhe fisnik.
Një ditë ushtria bizantine shkon dhe e zë rob në shtëpinë e tij.
Pasi që e zë rob, ai rritet si skllav, por pasi që rritet ikë dhe shkon në Mekë.
Në Mekë filloi të merrej me tregti.
Duke u marrë me tregti pasurohet shumë.
Një ditë, derisa kthehej nga tregtia, dëgjon se Muhamedi, i biri i Abdullahut, është dërguar Pejgamber dhe ka filluar t’i thërras njerëzit në besimin e të vetmit Zot.
Prej të parëve që e kanë pranuar Islamin është edhe Suhejbi.
Për shkak të Islamit është maltretuar shumë.
Muslimanët migrojnë në Medinë, e edhe Suhejbi vendos të migrojë.
Kur e merr rrugën e migrimit, i shkojnë pas mekasit dhe e arrijnë atë në periferi të Mekës.
Ai përgatit shigjetën dhe u thotë:
– Asnjë nuk mund të më afrohet derisa të më harxhohen të gjitha shigjetat, e pastaj e kam shpatën dhe nuk do të dorëzohem derisa të më punojë dora.
Njëri prej mekasve i thotë:
– Ti ke ardhur në Mekë pa pasuri, ndërsa sot je prej më të pasurve.
Suhejbi i thotë:
– Po sikur t’ju lë tërë pasurinë time, a do të ma lironit rrugën?
– Po – i përgjigjen.
Suhejbit nuk iu dhimbs pasuria, u tregoi atyre ku e kishte pasurinë dhe ata shkuan, e morën pasurinë e tij dhe e lirojnë.
Kishte mallëngjim që sa më shpejtë të takohej me të Dërguarin e Allahut.
Ecte me të shpejtë, lodhej e nuk pushonte derisa e pa të Dërguarin e Allahut.
Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i thotë Suhejbit:
– O Ebu Jahja, triumfoi pasuria jote.
Fytyra e Suhejbit shkëlqeu dhe ai tha:
– Për Allahun ty nuk të ka treguar askush pos Xhibrilit.
Xhibrili e kishte zbritur ajetin kur’anor, shkak i të cilit ishte rasti i Suhejbit:
“Ka njerëz që flijojnë veten për të fituar kënaqësinë e Allahut,
Allahu është shumë mirënjohës ndaj robërve të Vet.”
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”