Umeri r.a. meriton respekt
–
Umeri r.a. ishte udhëheqës i muslimanëve.
Arritën stofat Jemenase.
Iu shpërndanë muslimanëve, të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi.
Umeri veshi rrobat e reja të cilat vëreheshin se ishin një numër më i madh.
Këtë e vërejtën muslimanët, pasiqë gjërat shpërndaheshin haptazi.
Umeri hipi në minber dhe filloi të mbajë fjalim.
Në fjalimin e tij thoshte: – Dëgjomëni dhe respektoni.
Dëgjohet zëri lart:
– Nuk ka dëgjueshmëri dhe nuk ka respekt,
mos dëgjoni dhe mos respektoni.
Kështu brohoritën dhjetëra ushtarë duke shprehur pakënaqësi.
Umeri me butësi thotë:
– Po pse kështu? Allahu ju mëshiroftë!.
Njëri thotë:
– Ju keni marrë stof sa kemi marr dhe ne, mirëpo si është e mundur që ajo të të mjaftojë ty për këmishë, kur ti je më i gjatë se ne? Diçka nuk është në rregull! Patjetër se ti ke marrë një hise më shumë se ne.
Umeri e arsyeton veten duke e thirr djalin e tij, Abdullahun, për ta argumentuar.
Djali i tij, Abdullahu, deklaroi me zë të lartë se hisen e tij ia kishte dhënë babës, prandaj që të dy hiset i kanë mjaftuar për një këmishë, sepse vetëm njëra (pjesa e tij) nuk i mjaftonte as për t’i mbuluar organet e turpshme.
Të gjithë e pranuan dhe revoltuesi qetë tha:
– Tani meriton dëgjim dhe respekt.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”