Umeri r.a. dhe familja e jetimit

Umeri r.a. dhe familja e jetimit

Një natë Umeri r.a. kishte dalë për të kontrolluar qytetin.

Arrin në një tendë, e cila ishte tri milje larg Medinës.

Vëren se në atë tendë ishte i ndezur një zjarr.

I afrohet tendës.

Sheh se brenda ishte një grua me fëmijët e saj, të cilët qanin.

Umeri e pyet gruan:

– Si po kaloni?

Ajo i përgjigjet:

– Është natë e ftohtë.

– Po fëmijët pse po qajnë?

– Për shkak se janë të uritur.

– Po çka ka në kusi?

– Ujë. E përziej që fëmijët të mendojnë se është ushqim, deri sa fëmijët të flenë.

Pastaj gruaja thotë:

– Allahu është në mes nesh dhe Umerit.

Umeri i thotë:

– Zoti të mëshiroftë, po ku e di Umeri gjendjen e juaj?

Gruaja i përgjigjet:

– Ai e ka marrë përsipër qeverisjen për ne, ndërsa nuk di asgjë për ne?!

Umeri me të shpejtë shkon në depon shtetërore. Merr gjëra ushqimore: miell, vaj, dhe i vendos në shpinën e tij për t’ia sjellë në tendë,

Nuk e lejon që dikush tjetër t’i bartë pas tij, duke thënë se në Ditën e Kijametit askush nuk do të mund t’i bart mëkatet e tij.

Pastaj Umeri, Emiri e besimtarëve, përgatiti ushqimin për fëmijët, ndërsa gruaja habitet me atë përgatitje dhe thotë:

– Zoti të shpërbleftë me të mira. Për Zotin, ti ke më shumë të drejtë të jesh Emir i besimtarëve se sa Umeri.

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një koment