Umeri dhe vajza e cila shiste qumësht
–
Umeri ishte halife.
Një natë, Umeri së bashku me shërbëtorin e tij, Eslemin, del për një inspektim në qytet për të parë nevojat e qytetarëve.
Pas një udhëtimi ndalojnë që të pushojnë në një kënd të qytetit.
Aty dëgjon një zë të një gruaje të moshuar duke e urdhëruar bijën e saj që ta përziente qumështin me ujë.
Mirëpo, vajza refuzonte që ta përziente qumështin me ujë, duke i thënë: – Oj nënë, ti e di se Umeri e ka ndaluar që të përzihet qumështi me ujë dhe të shitet, sepse kështu tradhtohen njerëzit.
Nëna i thotë: – Po edhe nëse është ashtu, ku është Umeri tani, ai nuk na sheh.
Vajza besnike i thotë: – Pse a duhet ta dëgjojmë halifen e muslimanëve – Umerin – para njerëzve, ndërsa në të fshehtë jo?!
Kjo thënie e gëzoi Umerin r.a. dhe e mahniti besimi i saj dhe besnikëria e saj.
Të nesërmen në mëngjes pyeti për atë vajzë dhe u njoftua se ishte Umi Amaretu bin Sufjan bin Abdullah Eth-Thekafij.
Kur e kuptoi se ajo vajzë ishte e pamartuar, atëherë kërkoi që ajo të martohej me djalin e tij Asimin.
Pasi u martuan, Zoti e bekoi këtë martesë dhe pas tyre trashëguan halifen e drejtë, Umer bin Abdul Azizin.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”