XHENETI NËN KËMBËT E NËNAVE TUAJA
Imam i nderuar, cili është kuptimi: “xheneti është nën këmbët e nënave?”
Përgjigjja: Thuhet: Filani pranë duarve të filanit, që d.m.th. para tij.
Thuhet: “Nën këmbët e filanit”. Kjo është alegori, si p.sh.: Kur thua: Filani ma dha dorën, pra filani ta ka dhënë dorën, edhe pse as që e ke prekur dorën e tij. Kjo përngjan sikur t’a kishe marrë dorën e tij dhe ta sjellësh në cilin drejtim dëshiron dhe vepron me dëshirën e tij, edhe pse nuk e ke prekur dorën e tij. Kjo do të thotë: Ai është urdhërdhënës, i cili nuk del jashtë kornizave të dëshirës së tij, ashtu siç nuk del dora e tij, të cilën e ke në dorën tënde. Dhe kur themi: Vërtetë xheneti është nën këmbët e nënave tuaja, ky nuk është lajmërim për vendin e xhenetit, por kuptimi i kësaj është: Kush dëshiron xhenetin, le të qëndrojë më afër këmbëve të nënës tij, që do të thotë të qëndrojë në vendin, ku njerëzit mendojnë se është poshtërsi.
Për këtë arsye kuptimi “Xheneti nën këmbët e nënave” është: O ti, i cili e dëshiron xhenetin, përulju dhe nënshtroju, ashtu siq ka thënë Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an: “Dhe shtriji këmbët e përulshmërisë së mëshirës”.
Kur ka këshilluar Muhamedi a.s., ka këshilluar për t’u përkujdesur më shumë për nënën se për babain. Kjo për arsye se babai ka mundësi më të shumta për të siguruar ekzistencën dhe ai më pak ka nevojë, ose edhe nuk mund të ketë fare, por, edhe nëse paraqitet nevoja dhe bëhet lypës, ai e ka më lehtë. Ndërsa, nëna të arrijë në atë gjendje, pra të ketë nevojë të lypë, është poshtërim për ta. Duhet që kurrë të mos vijë në atë gjendje dhe të largohet nga ajo gjendje.
Kur është pyetur Muhamedi a.s. kush ka më së shumti përparësi për shoqërim, ai ka thënë: Nëna jote, nëna jote, nëna jote, e pastaj babai yt. Pra, ka porositur tri herë për nënën, para se të porositë për babain, sepse nëna përfaqëson anën e të dobëtëve, ajo përfaqëson ledhatime, ndjeshmëri. E, Allahu ka dashur ta sigurojë atë.
Kur Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Zoti im, mëshiroji ata dy, siç janë sjellë me mëshirë ndaj meje, kur unë isha i vogël.” ai ka kërkuar nga fëmija që të lutë të Lartin dhe të Gjithëfuqishmin për të dy prindërit, që ndaj tyre Allahu të jetë i mëshirshëm. Pastaj ka treguar se edukimi dhe përkujdesja ka qenë prej të dyve, edhe prej nënës, edhe prej babait.
Nëna është ajo, e cila e përkëdhel dhe përkujdeset, ndërsa babai është ai, i cili sjell furnizime, ushqime, veshmbathje, mirëpo, në esencë, që të dy janë bashkëpjesëmarrës në edukim dhe përkujdesje. Zoti i Lartmadhëruar, gjithashtu, ka porositur për mirësi: “Dhe ne e kemi porositur njeriun për mirësi ndaj prindërve.” Pra, ka porositur mirësi për të dy prindërit. Ndërsa, në ajetin tjetër: “Dhe thuaj, O Zoti im, mëshiroji ata dy, siç kanë qenë të mëshirshëm dhe janë sjellë mirë me mua në vegjëli.” Pra, Zoti i Lartmadhëruar ka porositur për të dy prindërit. Në një ajet tjetër, ndërkaq, shohim: “Ne e kemi porositur njeriun për mirësi ndaj prindërve, e ka bartur nëna e tij me vështirësi e mund të madh dhe e ka lindur me vështirësi e mund të madh.” Ne ajetin tjetër: “E ka bartur nëna e tij me vështirësi përmbi vështirësi.” Në të dy ajetet fisnike ka treguar shkaqet pse ka porositur për nënën, sepse çështjet, të cilat i vepron babai për të birin, janë çështje të qarta dhe të njohura. Atëherë kur fëmija fillon të kuptojë, e sheh se çdo gjë e ka burimin prej babait të tij, se ai sjell pasuri, me të cilat blihen gjërat e nevojshme; për këtë arsye ai fillon të kuptojë se të gjitha shpenzimet janë prej babait. Fëmijës nuk ka nevojë t’ia tërheqësh vërejtjen për këto çështje, sepse ai i sheh vet, sepse me pjekurinë e tij e kupton se çfarë bën babai për të. Ndërsa, sa i përket mendimeve për nënën, ato mendime për fëmijën kanë ndodhur atëherë kur ai nuk ka qenë i moshës së rritur, kur ka filluar të kuptojë se ajo fazë veç ka kaluar. Ai nuk mund t’i kuptojë mendimet, të cilat i ka përjetuar nëna gjatë kohës së shtatzënisë, gjidhënies dhe lodhjen e tepërt, duke u përkujdesur për të kur ai ka qenë foshnje. Për këtë arsye mundimet e nënës, të cilat nuk i ka parë, i drejtohet Zoti i Lartmadhëruar me këshilla. Mirëpo, këshillimi vjen atëherë kur ai të rritet, kur të jetë i aftë për të kuptuar se çka veprojnë prindërit e tij momentalisht. Ajo çka ka vepruar nëna e tij në të kaluarën, ai nuk mund ta kuptojë vetvetiu, por mund ta kuptojë atëherë kur t’ia shpjegojë tjetri. E, për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar ia përkujton atë kohë dhe e këshillon.
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”