BOTA E PADUKSHME
Çka është bota e padukshme dhe cili është kuptimi i ajetit Kur’anor “Njohës” (Mësues) të padukshëm dhe nuk ia tregon sekretin e tij askujt. A ka lloje të çështjeve të padukshme dhe a mund t’i zbulojë ndokush ato sekrete me logjikën njerëzore, apo ajo është sekret prej sekreteve të madhështisë së Allahut. Dëshirojmë mendim të plotë nga ju, i nderuar, pasi që kjo është prej çështjeve të rëndësishme, me të cilën janë marrë dhe po merren shumica e muslimanëve, që nga njerëzit e rëndomtë e deri te dijetarët më eminentë.
I nderuari u përgjigj:
Të padukshmet janë dy llojesh: E padukshmja absolute dhe e padukshmja relative.
E padukshmja absolute është e padukshmja (fshehtësia), të cilën nuk e di askush tjetër pos Allahut të Lartmadhëruar.
E padukshmja relative (mukajed) është e padukshmja (fshehtësia), të cilën disa e mësojnë apo, me fjalë të tjera, u shpaloset, e disave jo.
Të sjellim një shembull: Kur të përfundojnë provimet e studentëve në fund të vitit, para se të shpalosen rezultatet, atëherë këtu kemi të bëjmë për fshehtësinë (të panjohurën) për mua dhe për ty, mirëpo është e njohur për profesorët dhe komisionin e provimeve. Edhe një shembull tjetër, kur të vidhet diçka prej teje, hajni është i panjohur sa i përket çështjes sate, sepse ti nuk ke njohuri për të, ndërsa sa i përket atij dhe atyre të cilët kanë qenë me të, nuk është fshehtësi.
E, kur ta mësojmë atë fshehtësi, atëherë ka ekzistuar dikush tjetër (detektivi, policia), i cili më ka informuar dhe ka pasur mundësi të ma bëjë të njohur; pra kjo nuk është fshehtësi. Disa njerëz kërkojnë informata prej xhinëve, e ai (xhin) merr përsipër të mbledhë informata dhe të m’i sjellë mua. Këto janë informata që disa kanë mundësi t’i mësojnë. Kështu, pra, është Mësuesi i fshehtësive, Allahu i Lartmadhëruar. Ai e ka paraparë se do t’i tregojë në të ardhmen për ndonjë fshehtësi, të cilën nuk e di askush. Pra, ky është Mësuesi i fshehtësive. Ndërsa, bota e të padukshmes (të fshehtës), kjo kuptohet në vetvete, se Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: Nuk ia shpalos fshehtësinë e Tij askujt, pos atyre me të cilët është i kënaqur prej të Dërguarve. Njerëzve të tillë ua shpalos Allahu fshehtësinë e disa sendeve, mirëpo ti ato nuk mund t’i dish apo të marrësh përgjigje për çdo çështje që dëshiron ti, sepse Allahu ua ka shpalosur vetëm atyre që ka dashur Ai t’i përgëzojë. Dhe ky njeri mund t’ia shpalosë atë lajm të mirë ndokujt. Fshehtësia, pa marrë parasysh se a ka ndodhur në të kaluarën, a do të ndodhë në të ardhmen, kur të shpaloset, ajo bëhet fshehtësi e së kaluarës, pra e ka hequr perden e së ardhmes. Ndërsa, sa i përket të sotmes, kjo do të thotë se është hequr perdja e vendit, e gjatësisë gjeografike, që do të thotë informon apo paralajmëron personi për diçka çka ka ndodhur në Aleksandri, e ai është ulur me mua këtu në Kairo në të njëjtën kohë.
Te Allahu i Lartmadhëruar ndodhitë janë një. Kur të na lajmërojë diçka për të ardhmen, kjo është sikurse të ketë ndodhur sot, sepse nuk ka forcë a fuqi që të veprojë përpos ashtu siç ka thënë. Patjetër duhet të ndodhë siç ka paralajmëruar Allahu se do të ndodhë në të ardhmen. Pra, e ardhmja është realiteti i së kaluarës. Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: Ka ardhur urdhri i Allahut (ka ndodhur kiameti), e ju mos shpejtoni. Pra, fjala “ka ardhur ” është folje e kohës së kaluar, ndërsa pjesa tjetër “mos shpejtoni” tregon se kjo është për të ardhmen, pra, kuptimi i kësaj se kjo çështje do të ndodhë pa kurrfarë dyshimi në të ardhmen, sepse nuk ka forcë tjetër, e cila mund ta ndryshojë atë që e ka thënë Zoti i Lartmadhëruar: çka ka thënë për të ardhmen, ajo do të realizohet dhe sikurse veç të kishte ndodhur.
Koha e kaluar është çështje, e cila ka ndodhur për te njerëzit, ndërsa e ardhmja është çështje, e cila veç ka ndodhur për te Allahu i Lartmadhëruar. Për këtë arsye, kur të thuash: “Filani ma ka shpalosur një fshehtësi”, ne themi: Ajo çështje a ka qenë fshehtësi për ty dhe për të tjerët, apo vetëm për ty? Nëse ka qenë fshehtësi (e panjohur) për ty, e jo fshehtësi për të tjerët, këtë çështje në këtë mënyrë apo në ndonjë mënyrë tjetër ke pasur mundësi ta mësosh.
Nëse një ndodhi e botës më të lartë, të cilën nuk e di askush, dhe Zoti i Lartmadhëruar ua jep mundësinë që ta dinë vetëm disa prej krijesave të Tij, si dhuratë, siç është rasti i lajmërimit të Zekirija a.s se do të ketë një djalë dhe emri i atij djali do të jetë Jahja.
Përfundojmë se fshehtësinë absolute (mutlak) nuk e di askush tjetër, përveç Allahut. Nuk themi se është bota e të padukshmes fshehtësi, por themi se Mësuesi i të fshehtës .
Ne prej njerëzve marrim informata, me fjalë të tjera, na shpaloset për të njohur të fshehtën. Kjo është gabim, sepse prej begative të Allahut është se i ka fshehur disa gjëra; ose tregoja një njeriu se do t’i ndodhin njëqind raste të lumtura në jetën e tij dhe tregoja vetëm një ndodhi të pikëlluar, pastaj shikoje atë; do të shohësh se lajmi pikëllues i tejkalon, i peshon lajmet e mira dhe kjo ndodhi e rrëzon për tokë para se të ndodhë, sepse jeton jetë të izoluar. Allahu është i butë për ne dhe i mëshirshëm, edhe në raste të fatkeqësisë (ditës se Kiametit), e ju pse po shpejtoni, pse po brengoseni?
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”