ÇKA KA PARË I DËRGUARI I ALLAHUT NATËN E ISRASË DHE MIRAXHIT
Çka ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s natën e miraxhit dhe cilat janë argumentet, si p.sh. pirjen e qumështit dhe mospirjen e alkoolit, dhe se a ka ndonjë lidhje kjo dukuri me çështjen obligative?
I nderuari, Muhamed Muteveli Sheëraviju, thotë:
Kanë thënë se: mendja është ekzekutiv i obligimeve të pranuara prej Allahut, ndërsa alkooli është dehje e mendjes, sepse Allahu detyrat ia obligon mendjes, e cila i pranon obligimet; sepse për të çmendurin nuk ka çështje obligative, ngaqë mjeti, i cili ka të drejtë zgjedhjeje, është paralizuar; sepse mendja është ajo, e cila zgjedh në mes sendeve. E, nëse është çështje për diçka që nuk ka të drejtë zgjedhjeje, atëherë mendja aty nuk ka çka të kërkojë; dhe derisa ekziston çështja e zgjedhjes në mes të dy sendeve, atëherë ajo patjetër duhet të jetë mendja e shëndoshë dhe vaga e drejtë, dhe sikur që njeriu të përdorte alkoolin do ta prishte këtë begati të madhe, pranimin e besimit në Allahun dhe që në fazën e parë ka dashtë Allahu me thënë: natyrshmëria është e pastër dhe e shëndoshë dhe atë e prishë veprimtaria e juaj. Qumështin të cilin e ka pirë Pejgameri s.a.v.s. dhe nuk ka pirë alkool, është se qumështi është burim (lëndë) i natyrshmërisë, ndërsa ju alkoolin e keni prishur, sepse ju e prodhoni, pra me duart tuaja keni ndërhyrë dhe keni përpunuar atë. Pasi ka qenë begati e pastër, ju e keni bërë të ndotur dhe e shpini te ekzekutivi i obligimit te Allahut, pra tek mendja. Për këtë arsye begatia e madhe është kthyer kundër jush.
Kjo ka qenë çështja e parë, të cilën e ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. natën e miraxhit. Pas kësaj vjen faza e dytë, ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. sheh një popull, i cili aty mbillte, aty menjëherë e mblidhte dhe kjo përsëritej vazhdimisht. E ka pyetur Xhibrilin se kush ishin ata? I është përgjigjur: Këta janë luftëtarë në rrugën e Allahut. Lufta në rrugën e Allahut është përkushtimi dhe angazhimi në thirrjen e Pejgamerit, i cili ka zbritur prej Allahut te njerëzit për t’i udhëzuar në atë rrugë. Andaj, këta luftëtarë në rrugë të Allahut patjetër duhet të kenë fryte të llojllojshme. Po pse fryte të llojllojshme? Sepse ata angazhohen me pasuri të tyre, me shpirtra të tyre. E premtimi i Allahut është harmonik me shpërblimin në bazë të punës dhe të angazhimit, e kjo do të thotë shpërblim i vazhdueshëm. Dhe, çdo herë kur të luftosh në rrugën e Allahut, e prej aty përhapet feja e Allahut, ti do të kesh shpërblim të vazhdueshëm.
Pra, këtë e ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s për të sqaruar të vërtetën e muxhahidinëve dhe shpërblimin e tyre: “Dhe çka do të shpenzoni, qoftë ai i vogël, shpërblimi pason.”
Pas kësaj faze Allahu i Lartmadhëruar i paraqet një pasqyrë tjetër të botës me një grua plakë të mbushur me stoli. E, kur e ka pyetur Xhibrilin: Çka është kjo? Ai i është përgjigjur: Nuk ka mbetur prej botës më shumë se sa i ka mbetur kësaj plake. Me këtë Muhamedi a.s. sikur ka dashur të thotë: Unë e kjo botë do të jemi sikur jeta e kësaj plake, pra sa ka mbetur nga jeta e kësaj plake, aq ka mbetur edhe koha deri në ditën e kiametit. Pasi që kësaj plake i ka mbetur shumë pak kohë, mos u angazhoni shumë në të. Jepi rëndësi aq sa ke për të jetuar në të. Duhet punuar për këtë botë aq sa ke për të jetuar në të. Të mirat në këtë botë janë të kufizuara brenda kufijve të mundësive të mia, mirëpo në botën tjetër nuk janë të përkufizuara, sepse aty është mundësia dhe fuqia e Allahut.
Çështje tjetër çka ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është se ka parë njerëz të cilëve me gërshërë ua prenin buzët dhe gjuhët e tyre. Pse? Sepse buzët dhe gjuha janë mjete komunikimi. E, kur e ka pyetur “Kush janë këta, o Xhibril?”, ai është përgjigjur: “Këta janë ligjëruesit e përfituesve material. Janë ata, të cilët thonë atë që nuk veprojnë. Fjalët e tyre janë më të ëmbla se mjalta, ndërsa veprat më të hidhura se e hidhura e rrënjëve, sepse shkaktojnë fitne; sepse për ato mendohet se janë thirrës, ndërsa ata janë ligjërues apo, më mirë të themi, shkaktues të fitneve.” Ata me të vërtetë flasin dhe njerëzit i dëgjojnë, por veprimtaria e tyre është në kundërshtim me fjalët e tyre. Atëherë, njerëzit i krahasojnë fjalët me veprën e tyre dhe kuptojnë se fjala flitet, e vepra veprohet dhe, kur të jetë në kundërshtim me sjelljet, atëherë çdo gjë çrregullohet.
Pastaj, Imami i nderuar thotë: Këto janë disa çështje, të cilat i ka parë i Dërguari i Allahut .s.a.v.s., ku Muhamedi a.s është takuar me pejgamerët, ku shumica e tyre kanë qenë prej beni Israilit. Në atë natë është bërë obligim namazi. Shejh Shaëraviju tregon urtësinë dhe arsyen e shikimit të këtyre çështjeve. Është një mjet prej mjeteve sqaruese për disa çështje të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me thirrjen islame, e pas kësaj vijojnë çështjet tjera, të cilat kanë të bëjnë me pasurinë, nderin dhe fjalët.
Ajo çka ka të bëjë me pasurinë, Allahu i Lartmadhëruar ia ka paraqitur të Dërguarit të Allahut s.a.v.s një popull, i cili nxitonte mbi lum me gjak, e pastaj gjuheshin me gurë. Për këtë popull e ka pyetur Xhibrilin: “Po kush janë këta”? I është përgjigjur: “Ushqyesit me mjete të kamatës”.
Pastaj, pasqyrimi i nderit. Është interesant se përgojimi, i cili i është paraqitur të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, është paraqitur në tri forma: Njëherë e ka parë një popull me thonj të hekurt, të cilët i shqyenin fytyrat e tyre. Kur ka pyetur për ta, ka marrë përgjigje se ata janë njerëz që përgojojnë të tjerët. Ka parë edhe formën tjetër, ku ata merrnin mishin e njerëzve dhe e hanin. Herën tjetër ka parë duke marrë mishin e njerëzve të vdekur dhe duke e ngrënë. I është paraqitur në tri forma, për shkak të krimit të madh të përgojimit.
Pastaj, Zoti i Lartmadhëruar ka paraqitur një pasqyrë tjetër, e ajo është prostitucioni në formën më të egër. Ka parë një popull, i cili para vetes kishte mish të pastër dhe nuk e hante atë mish të mirë, por shkonte e hante mishin e ndotur, të përlyer dhe jo të pastër. Kur ka pyetur për këtë, ka marrë përgjigje: “Njeriu, i cili e ka gruan e tij hallall për kontributin seksual, e lë atë dhe shkon te gruaja e huaj, e pastaj kontakton me të, të cilën e ka haram; ose gruaja, e cila ka burrin, që në kontakt me të e ka hallall, ndërsa shkon me burrë të huaj, të cilin e ka haram.”
Sa i përket fjalëve, edhe për të ka parë Muhamedi a.s. .
Pra, ka parë një lopë të madhe, e cila del prej një vrime dhe dëshiron të hyjë prapë në atë vrimë, por nuk mundet. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka pyetur për këtë, ka marrë përgjigje: “Kjo është sikur një njeri që e thotë një fjalë, pastaj dëshiron ta kthejë mbrapa, por nuk mundet”.
Pas kësaj Muhamedi a.s. ka parë diçka tjetër: Ka parë një njeri, i cili ka një barrë të rëndë në shpinën e tij që nuk mund ta bartë, mirëpo kësaj radhe e zgjat dorën për të marrë edhe një barrë tjetër për ta vendosur në kraharorin e tij. Kur ka pyetur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për këtë, ka marrë përgjigje: “Janë ata, të cilët marrin detyra me përgjegjësi (emanete), e janë të paaftë t’i kryejnë ato. Edhe përkundër kësaj, ata dëshirojnë përgjegjësi tjera e emanete tjera”.
Të gjitha këto ndodhi, të cilat i ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sqarimet e atyre ndodhive, janë që besimtari t’i kuptojë ose t’i dënojë ata, të cilët veprojnë ashtu, në formën më të egër, dhe t’i largojë sa më parë ato dukuri negative. Prej ndodhive që ka parë i Dërguari i Allahut s.a.v.s është se ka parë një popull, kokat ë të cilëve copëtoheshin me gurë dhe sa herë që copëtoheshin, ktheheshin në gjendjen e mëparshme; pastaj u bihej me gurë dhe prapë copëtoheshin kokat. Kur ka pyetur: “Kush janë këta, o Xhibril”? Merr përgjigje: Këta janë mosfalësit e namazit. E vërteta, përse copëtoheshin kokat e tyre, është se namazi është proces i mendjes; kur ta përqendrojë njeriu mendjen për t’u falë, ai falet pa marrë parasysh kushtet, rrethanat dhe angazhimin e tij.
Pas obligimit të namazit për Umetin e Muhamedit s.a.v.s. Muhamedi a.s shkon e takohet me Musa a.s. për t’u lehtësuar namazi, deri sa mbetet në pesë kohë. E tëra tregon për vlerën dhe rëndësinë që ka namazi.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”