ISLAMI DHE FEMRA
Pyetje: A e ka përcaktuar sheriati llojin e punës në shoqëri dhe cilat detyra ia lejon islami femrës për të punuar?
Përgjigje: Duhet të dimë se nëse bëhet unifikimi i detyrave dhe roli i të dy gjinive, atëherë nuk do të kishte pasur nevojë për gjini fare: pra për gjininë mashkullore dhe gjininë femërore. Të sjellim një shembull të shenjave të gjinisë të gjithësisë së kohës. Koha është hapësira e ndodhive. Ndodhitë ndahen në ndodhi të natës dhe të ditës. Koha është si gjinia, hapësira e ndodhive si e llojit. Pra, dita ka rolin e saj, poashtu edhe nata. Nëse dëshiron të thuash: A janë të njëjtë roli i ditës me atë të natës, ose roli i natës me të ditës, atëherë veç ke shkatërruar sistemin natyror të gjithësisë, sepse nata është krijuar për të kryer detyrën e saj, kurse dita të sajën. Nëse shohim se një lloj është ndarë në dy gjini kjo do të thotë specifikat e përbashkëta të llojit, e pastaj ndaji specifikat e secilës gjini. Allahu, kur ka dëshiruar të na e sqarojë këtë çështje, ka thënë: Shikoni llojet e gjithësisë, të cilat janë të pandryshuara, e prej tyre është: p.sh. nëse i pyesim biologët, ata thonë: Drita e diellit e kryen rolin e saj për bimët, e po ashtu edhe nata e kryen rolin e saj për bimët. Bimët lëshojnë dyoksidin e karbonit, i cili është i nevojshëm për natyrën; pra nata ka rolin e të ekzistuarit për gjallesat, e po ashtu, edhe dita ka rolin e të ekzistuarit të gjallesave. Nëse ti thua: Po këto janë dy të kundërta, ne u kundërpërgjigjemi: Jo, nuk janë të kundërta, por kompletues dhe plotësues të njëra-tjetrës. Zoti na ka sjellë shembull kur ka thënë: “Thuaj (O Muhamed), pa shikoni (e analizoni): po të kishte bërë Allahu natë për ju deri në ditën e kiametit (pra, jeta jonë në terr në tërësi), kush pos Allahut do të sillte dritën. A nuk po dëgjoni?”. Pastaj, në ajetin tjetër thotë: “Thuaj: A nuk po shikoni (analizoni): po ta kishte bërë Allahu ditë për ju deri në ditën e kiametit, kush pos Allahut do t’ju sillte natën për të pushuar në të. A nuk po shihni?” Pra, secila prej tyre ka rolin e vet. Nuk duhet që një lloj ta ngarkojë me detyrën e tjetrit, sepse atëherë do të humbte baraspesha, ekuilibri dhe do të ndodhte disproporcion. Allahu i Lartmadhëruar na ka sqaruar se çështje primare në ekzistencën është jetesa në të, pra jeta e njerëzve, e pastaj ka treguar çështjen e mashkullit dhe të femrës. Parashtrohet pyetja: Si? Ata (mashkulli dhe femra) janë si nata me ditën, ata janë të një lloji, pra të llojit njeri, mirëpo të ndarë në dysh: mashkull dhe femër. Atëherë, ata dy si qenie njerëzore kanë specifika të përbashkëta, në të cilat nuk ndeshen, mirëpo ata dy, si dy gjini, secili prej tyre ka rolin e vet. Lexo fjalën e Zotit të Lartmadhëruar: Pasha natën, kur ajo errësohet (dhe lëshon pëlhurën e saj), pasha ditën, kur qartësohet (dhe shpalos veten e saj) dhe pasha atë që ka krijuar meshkuj dhe femra, nuk ka dyshim se angazhimi juaj është i shumëllojtë, pra secili prej tyre ka rolin e vet në ekzistencë. Nëse mundohesh që rolin e mashkullit t’ia ngarkosh femrës, ose rolin e femrës mashkullit, atëherë ti ke shkaktuar tronditje në ekzistencë, sepse, sipas kësaj, nuk ka qenë nevoja të jenë dy gjinitë dhe specifikat e përbashkëta të tyre. Zoti ynë ka thënë: Mashkulli dhe femra janë të një lloji, prej një brumi, dhe prej atij brumi ka bërë bashkëshorten e tij, e nuk është ashtu, si kanë thënë ideologjitë dhe fetë tjera, se shejtani ka krijuar femrën, ose Zoti i të keqes e ka krijuar femrën, e Zoti i së mirës e ka krijuar mashkullin. JO! Islami thotë: Që të dy janë të një përgjegjësie si njeri. Femra është përgjegjëse për punën e saj, e mashkulli është përgjegjës për punën e tij. Këtë e sqaron Muhamedi s.a.v.s, kur thotë: Burri është ai i cili kujdeset dhe është përgjegjës për kujdestarinë e tij; femra është kujdestare dhe ajo është përgjegjëse për kujdestarinë e saj. Përgjegjësia para Allahut: “Kush vepron punë të mira, qoftë mashkull, qoftë femër dhe ai është besimtar”. Ne gjithashtu kemi thënë: Femra ka liri në besim, beson çka dëshiron, mirëpo që nga momenti kur të besojë, ajo patjetër duhet t’i përmbahet atij besimi dhe ligjeve që rezultojnë prej tij. Ajo ka të drejtë të hyjë në besim ose mos të hyjë në besim, varësisht prej burrit ose prindit të saj. Zoti na ka sjellë shembullin e gruas së Nuhit dhe gruas së Lutit. Nuhi dhe Luti, që të dy, kanë qenë të dërguar, mirëpo përkundër kësaj bashkëshortet e tyre nuk e kanë pranuar fenë e tyre. Allahu sjell shembull gratë e Nuhit dhe të Lutit për pabesimtarët: që të dyja qenë nën kurorë të dy robërve tanë të mirë, mirëpo ato i tradhtuan ata dy dhe kjo te Allahu nuk pati kurrfarë dobie për ato (dy gra), por u tha: Hyni në zjarr me hyrësit tjerë. Pastaj sjell shembullin për besim: Allahu për besimtarët sjell shembull gruan e firaunit, i cili i ka thënë vetes Zot, mirëpo, përkundër kësaj, asnjëherë nuk ka arritur ta bindë që të hyjë në fenë e tij. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Kur tha: O Zoti im, më ndërto mua një shtëpi te Ti në xhehnet dhe më shpëto nga firauni dhe puna e tij, më shpëto nga populli kriminel.” Pra, femra ka liri besimi, Islami i ka dhënë femrës të drejtat qytetare të plota, të cilat nuk ia ka dhënë asnjë fe tjetër. Femra jehude, para martesës, ka qenë pronë e babait të saj dhe nuk ka mundur të veproj asgjë në vete, e pas martesës është bërë pronare e burrit të saj. Më vonë, ligjet laike, si ligji XVIII francez, neni 207, thotë: Edhe pse femra është kushtëzuar që të ketë të drejtë pasurie, pavarësisht prej burrit të saj, ky kusht shfuqizohet dhe se ajo nuk ka të drejtë posedimi të pasurisë në mënyrë të pavarur.
Nëse bëjmë një analizë, do të shohim se perëndimi është duke ia humbur femrës cilësitë e saj. Cilat janë cilësitë primare të njeriut? Forma, reputacioni dhe emri. Në Evropë kur të martohet femra, quhet Madam i Filanit, që do të thotë se nuk ka të drejtë ta mbajë mbiemrin e saj ose të babait të saj, ose të nënës së saj. Kur tradicionalistët kanë ardhur në Egjipt në fillim të zhvillimit bashkëkohor dhe e kanë parë këtë, ata thanë se duhet të harrohet (fshihet) emri i tyre. Ato kanë pranuar të ndërrojnë emrin e baballarëve dhe të nënave, mirëpo kanë vazhduar ta mbajnë emrin e tyre. HEJD Shaëraviju e ka marrë emrin e saj HEJD dhe e ka marrë mbiemrin e familjes së burrit të saj. Ali Basha Shaëravijut nuk i është dhënë e drejtë ta ndërrojë mbiemrin e saj. Mirëpo, në Evropë dhe Amerikë e ndërron emrin dhe mbiemrin e familjes (emrin) dhe emërtohet me emrin e burrit të saj. Po çfarë e drejte është kjo, çfarë barazie e femrës, pasi që i merret emri i saj. Në Islam gratë e Pejgamberit, të cilat kanë qenë femrat më të nderuara, nuk janë quajtur Madam Muhamed bin Abdullah. Nuk janë quajtur Zonja Muhamed, por janë quajtur Ajshe bin Ebu Bekr, Hafsa bin Umer, Zejneb bin Xhash, pra e kanë ruajtur edhe emrin e tyre, edhe emrin e baballarëve të tyre, ose të familjeve të tyre. Pas gjithë kësaj dëgjohen zëra: “Dëshirojmë të jemi si perëndimi”. Perëndimi nuk i ka dhënë liri femrës as në emërtim, as në pasuri, por lirinë të cilën e ka fituar femra, ka qenë si shkak i luftërave. Kur meshkujt kanë shkuar ushtarë në luftë, është ndier nevoja për t’u zëvendësuar krahu i tyre në punën qytetare. Atëherë ua kanë dhënë disa të drejta për të shtuar prodhimin shoqëror, nëpërmjet duarve të tyre. P.sh. Sokrati thotë: Femra nuk është e përgatitur për të kuptuar diçka në dituri, por nga natyrshmëria e saj, ajo është e përgatitur për kuzhinë dhe edukim të fëmijëve. Pas tij vjen Platoni, i cili i jep pak të drejtë për dituri, mirëpo që të gjithë ngriten kundër tij dhe e kundërshtojnë. Kundër tij ngritet edhe filozofi Aristofan, i cili shkruan librin “Gratë MUTEHADHLIKAN (gratë e nënçmuara) dhe i akuzon gratë, të cilat kanë arritur shkallë të lartë të diturisë. Pas tij vjen Molier Fransi dhe shkruan “Paramendimi i grave”. Islami nuk e ka marrë atë qëndrim, por ka thënë: “Kërkimi i diturisë është farz për çdo musliman e muslimane”, pra ne e kemi bërë farz arsimimin e femrës. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s është martuar me Hafsa bin Umer r.a., ndërsa, para martesës, te shtëpia e Umerit shkonte një grua nga Beni Adij, ku e ka mësuar shkrim e leximin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka kërkuar nga Omeri r.a. që ajo të vazhdojë mësimin te shtëpia e të Dërguarit. Omeri r.a. i thotë: po ajo e ka përfunduar mësimin, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i thotë: le ta përsërisë dhe ta përforcojë. Femra le të mësojë, por të mësoj atë që i përshtatet llojit të saj. Ne i ndajmë meshkujt nga shkolla fillore në paralele dhe në drejtime p.sh. industri, bujqësi, tregti etj, për femra mësimin përkatës dhe drejtimin, i cili i përshtatet asaj, që ajo me lehtësi t’i arrijë pikësynimet e saj. Femra duhet të jetë falënderuese për të mirat që ia ka dhënë Allahu, sepse njerëzit punojnë punë të llojeve dhe drejtimeve të ndryshme. Bujku e blegtori angazhohen në kultivimin e kafshëve, industrialisti punon në industri, ndërsa femra merret me edukimin dhe arsimimin e krijesës më fisnike, pra me edukimin e njeriut. Femra nuk dëshiron që në këtë mision të dështojë. Femrës, e cila dëshiron ta kryejë detyrën e saj si edukuese e familjes, si grua, si nënë etj., nuk i mbetet kohë të merret me punë të tjera. Le të mësojë dhe të jetë mësuese speciale, ose le të mësojë rrobaqepësi për fëmijët e saj dhe të të tjerëve. Nëse shikon aktivitetin e saj në jetë, ajo sjell përfitime në shtëpi më shumë se sa paga mujore. Na plotëson neve nevojat dhe bukurinë e saj në jetën tonë. Pastaj shikojmë realitetin. Femra që ngritet sa më më lart në punë, a dëshiron që edhe më shumë të punojë apo sa më shumë që ngritet me punë, dhe sa më shumë që shtyhet në moshë, dëshiron që të jetë edukuese e familjes, deri sa edhe gratë e perëndimit, si Merlin Monro, e cila ka thënë: “Ruajuni nga dritat të cilat ju verbërojnë. Po të rikthehej jeta ime prej fillimit, do të dëshiroja që të isha edukuese e familjes”, kur është bërë statistika në mes të vajzave dhe grave rreth asaj se sa prej tyre kanë dëshirë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe ta kenë detyrën si edukatore e familjes? Pra, çështja është se në perëndim ka, çka tek ne nuk ka. Neve nuk duhet të shikojmë atje, e në bazë të atje-hit ta rregullojmë jetën tonë, sepse në perëndim që nga momenti kur të rritet fëmija, largohet nga familja dhe fillon jetën e pavarur. Po edhe vajzës, që nga momenti kur të rritet, i thuhet “tani shko ku të duash”. Tek ne nuk ka nevojë që femra të ballafaqohet me probleme në shoqëri për të siguruar jetën e saj. Kur perëndimi e ka shpikur ditëlindjen e gruas, ne e kemi pasuar verbërisht dhe nuk i kemi analizuar shkaqet, të cilat kanë ndikuar që perëndimi të shpikë një ditë të tillë, pra ditën e nënës. Intelektualët perëndimorë kur kanë vërejtur se fëmijët kanë harruar nënat e tyre, nuk përkujdesen dhe nuk i kushtojnë rëndësi atyre, kanë vendosur që të caktojnë një ditë në vit që fëmijët së paku atë ditë t’i kujtojnë nënat e tyre. Mirëpo, tek ne festë e nënës është çdo çast prej çasteve të saj në shtëpinë e saj. Tek ne, që nga momenti kur njeriu del nga shtëpia, ia puth dorën nënës së tij, kërkon lutje prej saj dhe gjithmonë i kthehet me dhurata. Pra, tek ne nuk është e domosdoshme një festë e tillë. Mirëpo, ne e kemi marrë se është një traditë prej traditave perëndimore, ndërsa ajo është nënçmim për të. Tek ne nuk është kështu. Islami i ka paraparë të drejtat në bazë të aftësive të prindërve. Islami i ka renditur të drejtat: (nënën tënde, pastaj nënën tënde, pastaj nënën tënde, pastaj babain tënd), sepse babai yt është burrë sa që, edhe nëse bëhet lypës, e ka lehtë, ndërsa nëna jo.
Kur’ani në mënyrë të veçantë e thekson këtë çështje, kur thotë: “Dhe ne e kemi porositur njeriun që të sillet me prindërit me mirësi.” Mirë pra, po porosit për mirësi ndaj prindërve, mirëpo nëse i analizon ajetet kur’anore, shohim se ajetet vazhdimisht, pas porosisë për mirësjellje të përbashkët, e cekin në mënyrë të veçantë nënën; pra, vazhdon ajeti: “e ka bartur nëna e tij me plot vështirësi dhe e ka lindur me vështirësi, e ka bartur dhe i ka dhënë gji (që të dy operacionet së bashku) tridhjetë muaj”. Kjo do të thotë se nuk e ka përmendur zanafillën prej babait!!!
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”