Ihsani
Një ditë, i dërguari i Allahut rrinte me shokë.
Shfaqet një njeri me tesha të bardha.
Me flokë të zeza.
Në të nuk vëreheshin shenja udhëtimi.
Asnjëri prej sehabeve nuk e njihte.
Ulet pranë të dërguarit a.s.
I mbështet gjunjët me gjunjët e tij.
I vendos duart mbi kofshët e tij.
E pyeti Muhamedin a.s.:
– O Muhamed, më thuaj ç’është Ihsani (Mirësia)?
Muhamedi a.s. iu përgjigj:
– Ta adhurosh Zotin sikur ta shihje, sepse, ndonëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.
E pyeti gjithashtu:
– Ç’është çasti i Kijametit?
Muhamedi a.s iu përgjigj:
– Për këtë ai që po pyetet nuk di më shumë se ai që po pyet.
Ai njeriu, pas kësaj përgjigjeje, pyeti:
– Atëherë më trego për shenjat e Kijametit.
Muhamedi a.s. iu përgjigj:
– Kur robëreshës fëmija t’i bëhet zonjushë. Kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë, teksa garojnë pas ndërtimit të godinave të mëdha.
Sehabet çuditen se si njëherë po e pyeste e mandej po ia vërtetonte përgjigjen.
Ai njeri shkoi, e sehabet mbetën të habitur.
Muhamedi a.s. parashtroi pyetje:
– O Umer a e njohe atë që po më pyeste.
Umeri i përgjigjet: – Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.
Muhamedi a.s. tha:
– Ai ishte Xhibrili.
Kishte ardhur për t’ua mësuar fenë besimtarëve”.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”