Zbritja e Kur’anit dhe Ramazani
Në Meke jetonte një fëmijë i mençur, i butë dhe i sjellshëm.
Ai ishte jetim.
Në fillim përkujdesjen e tij e merr gjyshi i tij – Abdul Mutalibi.
Pasi që Abdul Mutalibi vdes, atëherë përkujdesjen ndaj tij e merr axha i tij – Ebu Talibi.
Ky fëmijë u rrit, u zhvillua dhe filloi të mendojë për natyrën, vendin dhe njerëzit të cilët ishin rreth tij.
Ai i shihte se ata adhuronin idhuj prej balte, prej guri e prej druri. Idhujt i kishin vendosur në brendi të Qabes dhe iu luteshin atyre.
Ky fëmijë jetim quhej Muhamed, i cili nuk mund ta duronte këtë gjendje të popullit të tij. Mendja e tij nuk mund ta pranonte të adhurohej dielli, hëna, guri e druri, për shkak se të gjitha këto i kishte krijuar Zoti.
Ai po ashtu e shihte se si njerëzit ishin injorant, të padrejtë, të cilët nuk e nderonin jetimin, nuk i respektonin prindërit, nuk iu ndihmonin të varfërve. Kështu që ai u detyrua të kalojë në malin Thevr, në shpellën e quajtur Hira. Ashtu qëndronte me javë e me muaj të tërë.
Në natën e Kadrit, Muhamedit a.s. i vjen Meleku Xhibril dhe i thotë:
– LEXO!
Muhamedi a.s. i thotë: – Nuk di të lexoj.
Xhibrili pasi e përsëritë edhe dy herë tjera, i thotë:
“Lexo me emrin e Zotit Tënd i cili ka krijuar (çdo gjë).
E ka krijuar njeriun prej një rrecke.
Lexo se Zoti yt është më fisniku.
Ai e ka mësuar (njeriun) me përdorë lapsin.
E ka mësuar njeriun çka nuk ka ditur”.
Pas këtyre fjalëve, Muhamedi a.s. doli nga shpella e quajtur Hira dhe në horizont e sheh Melekun i cili i thotë:
– O Muhamed, unë jam Xhibrili, ndërsa ti je i dërguari i Allahut.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”