Nata e Kadrit
Pejgamberi ynë i dashur largohej nga fëlliqësitë e paganizmit dhe injorancës.
Ai përpiqej ta kuptonte krijimin e gjithësisë, urtësinë e të mirës dhe të keqes.
Tërhiqej në vetmi në shpellën e malit Hira ku mendonte për këto gjerë e gjatë.
Edhe hanifët, ndjekësit e traditës monoteiste të pejgamberit Ibrahim të Mekës
tërhiqeshin në vetmi në malin Hira në disa muaj të caktuar.
Pak para se t’i vinte vahji (shpallja) i parë, Muhamedi a.s. nisi të shihte disa ëndrra besnike.
Çdo gjë që shihte në ëndërr, i dilte e vërtetë.
Këto ëndrra e përgatitën mirë zemrën e tij.
Nga ana e Allahut, atij iu bë më e pëlqyeshme të veçohej në vetmi.
Ai e merrte me vete ushqimin dhe në shpellë e kalonte muajin e Ramazanit.
Në shtëpi kthehej vetëm për të marrë ushqim.
Ishte muaji i Ramazanit të vitit 610, kur qe veçuar përsëri në shpellën e malit Hira.
Atë muaj, afër mëngjesit të natës së 27 (nata e Kadrit), meleku i vahjit, Xhibrili,
i solli vahjin e parë.
Nga kjo natë e ramazanit ka filluar zbritja e Kur’anit.
Zbritja e Kur’anit ka zgjatur 23 vjet.
13 vjet në Meke.
10 vjet në Medine.
Për këtë edhe ka zbritur sureja Lejletul Kadr, e cila sure tregon vlerën dhe rëndësinë e kësaj nate.
“Ne e kemi zbritur Kur’anin në natën e Kadrit (të vlefshme).
Po ti (o Muhamed) a e di çfarë vlere ka nata e Kadrit?
Nata e Kadrit është më e vlefshme dhe se një mijë muaj.
Melekët dhe shpirti i shenjtë (Meleku Xhibril) në këtë natë zbresin në tokë me lejen dhe urdhrin e Zotit për çdo çështje.
Dhe përshëndesin me selam deri sa të agojë dita”.
Kur Ajshja r.a. e ka pyetur Muhamedin a.s. – cilën dua duhet bërë në këtë natë? Muhamedi a.s. i thotë:
“Thuaj:
– O Zoti im! Ti je falës i gabimeve, e do faljen e gabimeve, mi fal gabimet e mija”.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”