Bedri dhe Ramazani
Muslimanët vetëm pse kanë besuar në Allahun, janë torturuar.
Vetëm pse kanë thënë LA ILAHE IL LALLAH, janë plaçkitur.
Në fund edhe janë dëbuar prej shtëpive dhe vendlindjes së tyre.
Shokët e Muhamedit a.s. vazhdimisht kërkonin të luftojnë, por Muhamedi a.s. i këshillonte pandërprerë, duke u thënë: – Duroni!
Pastaj, kur Muhamedi a.s. migroi në Medine,
atje filloi një jetë të qetë, të lumtur,
filloi ta përhap Islamin, pasi që edhe e vendosi shtetin islam.
Kjo nuk i pëlqente pabesimtarëve dhe idhujtarëve.
Për këtë arsye ishin nisur ta sulmonin Muhamedin a.s. dhe muslimanët në Medine.
Për këtë arsye zbret ajeti kur’anor:
“Ju është lejuar lufta atyre që po sulmohen me luftë, sepse atyre iu është bërë padrejtësi dhe janë torturuar. Dhe padyshim se Allahu ka mundësi t’u ndihmojë. Ata të cilët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre pa të drejtë vetëm e vetëm se kanë thënë Allahu është Zoti ynë”.
Numri i muslimanëve ishte i vogël,
numri i idhujtarëve ishte i madh.
Besimtarët kishin përgatitje të vogël luftarake,
idhujtarët kishin përgatitje të madhe luftarake.
Ishte ramazan, besimi i fortë, qëndrueshmëria e fortë, por mbi të gjitha ishte ndihma e Allahut.
Allahu ju dërgoi Melekë si përforcim dhe muslimanët fituan.
Për këtë Zoti i Madhëruar thotë:
“Dhe juve ju ka ndihmuar Allahu në Bedër, derisa ishit të dobët dhe të pafuqishëm.
Frikojuni Allahut dhe bëhuni falënderues ndaj Tij”.
Në këtë vit është bërë obligim agjërimi, kur zbret ajeti kur’anor: “O ju të cilët keni besuar, ju kemi bërë obligim agjërimin, ashtu si ua kemi bërë obligim popujve të më hershëm, që të bëheni të devotshëm”.
Lufta ka përfunduar,
muslimanët e fituan luftën,
u kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
Muhamedi a.s. thotë:
“Jemi kthyer nga beteja e vogël dhe kemi filluar betejën e madhe.
E ajo është beteja (xhihadi) me vetveten, beteja e cila nuk përfundon deri në fund të jetës”.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”