Peshkuesit e së shtunës
Midis Egjiptit dhe Medinës, në bregun e Detit të Kuq, jetonte një popull.
Është quajtur “As’habi sebt”, që do të thotë “Populli i të shtunës”.
Kjo, sepse ditën e shtunë, këta nuk bënin gjë tjetër veç adhurimit, për shkak se punët e tjera veç adhurimit atë ditë ishin të ndaluara.
Ata i kishin dhënë fjalën edhe Davudit a.s., se në këtë ditë nuk do të gjuanin peshk.
Mirëpo, shejtani ua prishi mendjen duke u thënë:
– Juve nuk ju është ndaluar gjuetia, por të ngrënët!
Ditët e shtuna peshku shtohej, kurse ditët e tjera pakësohej.
Prandaj, pëshpëritja e shejtanit, e joshi një grup prej tyre.
Populli u nda në tre grupe:
Grupi i parë, nuk iu bind urdhrit të Allahut dhe vazhduan të gjuajnë peshk.
Më pas, ata edhe hëngrën vetë, edhe shitën.
Këta e hidhnin rrjetën të shtunën dhe e nxirrnin të dielën.
Grupi i dytë, megjithëse nuk u treguan të pabindur dhe nuk peshkuan ditën e shtunë, ata vetëm heshtën përballë atyre që e thyen urdhrin hyjnor, duke mos i këshilluar e qortuar.
Grupi i tretë, e zbatuan urdhrin hyjnor që u erdhi dhe i këshilluan e qortuan.
Ata që u treguan të bindur, atyre që heshtnin u thanë se nuk po vepronin drejtë.
Pra, ata u përpoqën të urdhëronin në të mirë.
Ata që heshtnin, këtyre që urdhëronin për mirë, u thoshin:
– Përse e këshilloni popullin që Allahu do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë ashpër?!
Kurse ata që urdhëronin për të mirë, u përgjigjeshin:
– Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe për t’i ruajtur ata nga mëkatet!
Më vonë, këta që heshtën ndaj gjynaheve të tyre, ngritën një mur ndarës ndërmjet pjesës së pabindur, me qëllim që të mos i prekte fatkeqësia e cila do t’u binte atyre.
Pas një farë kohe, në anën tjetër të murit zërat e njerëzve u prenë.
Kur ç’të shohin, pjesa e pabindur qenë kthyer të gjithë në majmunë brenda një nate!
Ata filluan të vijnë vërdallë me pamje majmuni, të zymtë e të pashpresë dhe, pas tri ditësh vdiqën të gjithë.
Allahu i Madhëruar thotë se kjo ndodhi është një mësim për njerëzit.
Allahu i Madhëruar, ata që me këmbëngulje u treguan të pabindur, në fillim i ktheu në majmunë, pastaj i shkatërroi.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”