Zemra dhe organet tjera fizike të njeriut
Kur Zoti i Lartmadhëruar e ka ligjësuar ligjin e besimit, në atë program ia ka bashkëngjitur faktorët e jetës. Përderisa në atë program ua ka siguruar ushqimet e jetës, u thotë atyre: “Mos e stresoni veten në çështje të rizkut (furnizimi) duke i shkaktuar zemrës vështirësi”.
Sa i përket çështjes përfundimtare të rizkut (furnizimi), ka dallim në mes të:
– ngarkesës së trupit tënd dhe,
– ngarkesës së zemrës tënde.
Ndoshta risku (furnizimi) është i garantuar në tokë:
– Nëse je i fortë, shkon deri te caku dhe e gjen, ndërsa,
– nëse je i dobët, te caku i furnizimit shkon vëllai yt besimtar i cili angazhohet për veten e tij dhe për ty.
Kështu pra, në këtë çështje garantues është planprogrami i Allahut. Përderisa në këtë çështje garantues është planprogrami i Allahut, njeriu nuk duhet ta ngarkojë zemrën, mirëpo këtu nuk bën pjesë ngarkesa e pjesëve të trupit.
Ka njerëz të cilët nuk e bëjnë dallimin në mes të këtyre dy çështjeve. Nëse dëgjon dikë i cili të ndalon që ta ngarkosh veten për çështjen e riskut (furnizimit), thuaj, qëllimi është të mos ngarkohet zemra dhe të mos mundohet shpirti (e kjo nuk ka të bëj me ngarkimin e organeve tjera fizike).
Besimtari posedon:
– zemrën dhe
– pjesët tjera fizike.
Pjesët fizike të trupit lodhen, por zemra mbështetet te Zoti. Ky është dallimi mes tyre. Pjesët e trupit punojnë, ndërsa zemra mbështetet te Zoti. E gjithë kjo është çështja e besimtarit. Ai i cili të thotë mos u mbështet te Zoti, ti thuaji: Jo, nuk është si thua ti.
Po ashtu, ai i cili të thotë: Zoti i Lartmadhëruar të furnizon (të jep riskun) ashtu siç e furnizon shpendin, i cili fluturon i uritur dhe kthehet i ushqyer. Ti kundërpërgjigju dhe thuaji: A fluturon në mëngjes dhe a kthehet në mbrëmje!?. Edhe pse shpendi nuk është i obliguar (me obligime si njeriu), ai shkon (fluturon) dhe kthehet.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëraviu
“Rruga drejt afrimit me Allahun”
Përktheu: Dr. Musli Vërbani