Shërimi i Ejubit a.s.
Ejubi a.s. kishte qenë i sëmurë për një kohë të gjatë.
Për të përkujdesej gruaja e tij.
Një ditë, përderisa gruaja e Ejubit a.s. ishte duke kërkuar ushqim për Ejubin a.s., shejtani u shndërrua në njeri dhe gruas së Ejubit a.s. i tha se ka ushqim vetëm nëse e ndërron bishtalecin për ushqim.
Gruaja e Ejubit a.s. pranoi dhe e ndërroi bishtalecin për ushqim.
E dërgoi ushqimin te Ejubi a.s.
Ejubi a.s. i tha se nuk do të hajë ushqim derisa të tregonte se ku e kishte marrë atë ushqim.
Ajo ia tregoi ngjarjen Ejubit a.s.
Ejubi a.s. i tha:
– Kur të shërohem do të të rrahë me njëqind shkopinj.
Nga ky moment Ejubi a.s. iu lut Zotit:
“O Zoti im, më është vështirësuar gjendja,
Jam në pikë të hallit.
E Ti je më i mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve.”
Zoti i Madhëruar ia pranoi lutjen e i tha:
Bjeri me këmbën tënde (tokës)! Ja ky është një burim i ujit të ftohtë për larje dhe pirje.
Ejubi a.s. piu ujë dhe e pastroi trupin me ujë.
U shërua dhe u kthye i shëndoshë si në gjendjen e mëparshme.
Kur gruaja u kthye, nuk mundi ta kuptonte se si aq shpejt ishte shëruar.
Ejubi a.s. për ta kryer premtimin i mori njëqind thupra, i bashkoi, e me të gjitha i ra lehtë një herë gruas së tij.
Për atë që kishte duruar, prapë Zoti i Madhëruar e shpërbleu Ejubin a.s.
E furnizoi me fëmijë e pasuri.
Vazhdoi jetën i lumtur, duke falënderuar Zotin.
Vazhdoi jetën i lumtur duke i rënë në sexhde vazhdimisht Zotit të Madhëruar.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”