Junusi a.s.
Junusi a.s. quhet edhe “DHENUN” – Shoku i Peshkut.
Jetonte në qytetin “Nino”.
Populli i tij ishte kriminel, e mohonin Allahun dhe i bënin shok Atij, ishin edhe të pamoralshëm.
Për këtë arsye, Zoti i Madhëruar ua dërgoi Junusin a.s. që t’i drejtojë në rrugë të drejtë, të besojnë vetëm Allahun, të pendohen për gabimet, të kërkojnë falje dhe t’i luten vetëm Allahut.
Populli nuk e dëgjoi, i refuzoi këshillat e tij.
Junusi a.s. pa pritur shumë, i hidhëruar u largua nga ai popull, shkoi pranë detit, aty kaloi një anije dhe hipi në të për të shkuar në një vend tjetër.
Duke lundruar anija, filloi mot i lig, erërat e forta, retë e zeza, shi i madh. Anija lëkundej, gati sa nuk rrëzohej.
Udhëtarët e anijes mendonin se ndonjëri është fatkeq dhe duhet të hidhet në det për t’u qetësuar deti dhe moti.
Kur e hodhën shortin, shorti ra në Junusin.
Ata e panë se Junusi ishte i lodhur dhe nuk ia prishën gjumin.
Edhe herën tjetër shorti ra në Junusin a.s.
Kur u zgjua Junusi a.s., e kuptoi se ai nuk është dashtë të largohej nga populli i tij aq lehtë, prandaj vetë u hodh në det.
Kur ra në det, e gëlltiti një peshk i madh, mirëpo Zoti i Madhëruar e urdhëroi peshkun që të mos e prish trupin e Junusit, por vetëm ta mbaj sikur në burg. Në burgun e barkut të peshkut, Junusi a.s. u lut:
LA ILAHE ILA ENTE SUBHANEKE IN-NIJ KUNTU MINE DHALIMINE.
“Nuk ka Zot tjetër përpos Allahut. O Zoti i im, Ty të takon lavdërimi, vërtetë kam qenë i padrejtë ndaj vetes sime.”
Zoti i Madhëruar e shpëtoi Junusin ashtu që peshku e nxori nga barku dhe e gjuajti në breg, të shëndoshë pa asnjë të metë.
Në anën tjetër populli i Junusit kishte rënë në sprovë.
Ishte tharë toka. Ishte shtjerrë uji, ishin tharë bimët.
Ata e kuptuan se kjo ishte për shkak se nuk e kishin dëgjuar Junusin a.s. dhe këshillat e tij.
Nuk dinin si t’i luteshin Zotit që t’ua falë gabimet e tyre.
I ndanë qengjat nga delet. I ndanë viçat nga lopët. I ndanë fëmijët nga nënat.
Kështu filluan të qajnë derisa erdhi Junusi a.s.
Kur erdhi Junusi a.s. u gëzuan dhe e mirëpritën dhe iu kthyen rrugës së drejtë.
Ashtu Zoti i Madhëruar i shpëtoi nga pikëllimi dhe vuajtjet dhe i shpërbleu me jetë të lumtur pa brenga dhe në qetësi.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”