Davudi a.s. dhe Xhaluti
Ushtritë e Talutit dhe Xhalutit ishin përballë njëra-tjetrës.
Taluti kishte vetëm një grusht ushtarë.
Xhaluti kishte shumë ushtarë dhe ishin të armatosur.
Kur panë një armik aq të fuqishëm përballë vetes, disa ushtarë të Talutit u trembën.
Ata thanë:
– Si do i mundim ne këta gjigantë?
Por të tjerët, të vendosur të luftonin e të fitonin, iu përgjigjën:
– Ne jemi të bindur të luftojmë. Forcën na e jep besimi dhe vendosmëria që kemi.
Xhaluti u hodh në shesh i veshur i tëri me mburojë, me topuz në krah, shpatë e heshtë në dorë dhe kërkoi një trim nga ushtria e Talutit që të kishte guximin të ndeshej në duel me të.
Të gjithë ushtarët u frikësuan kur panë përballë Xhalutin gjigant.
Asnjëri nuk mori guximin të hidhej të luftonte i pari.
Ndërsa ushtarët shihnin njëri-tjetrin, Davudi i cili ishte djalosh, doli një hap para dhe shkoi pranë Talutit t’i kërkonte leje për t’u ndeshur me Xhalutin.
Taluti e refuzoi kërkesën e tij. Ai ishte tepër i ri, pastaj nuk ishte ushtar i mirëfilltë, nuk dinte asnjë teknikë luftimi. Nuk kishte as armë. E vetmja gjë që kishte, ishte një shkop që mbante në dorë kur kulloste delet.
Davudi kishte një zemër plot me besim të sinqertë te Zoti, që e bënte të besonte se ishte më i fortë se Xhaluti. A nuk ishte Zoti, burimi i mirëfilltë i çdo fuqie? Atëherë fare mirë, po të donte Ai, Davudi mund të fitonte mbi Xhalutin.
Davudi i shkoi prapë mbretit dhe i kërkoi leje për t’u ndeshur me Xhalutin.
Mbreti u bind.
Davudi doli në mejdan për t’u ndeshur me shkopin e vet në dorë, me pesë gurë dhe me një llastik.
Xhaluti, që i ngjante një gjiganti prej hekuri, ishte i armatosur gjer në dhëmbë.
Kur e pa Davudin ashtu pa armë, Xhaluti nisi të tallej e të qeshte.
Davudi vuri një gur mu në llastik dhe mori shenjë fytyrën e armikut.
Ai gur ra fiks në ballin e Xhalutit, duke e lënë atë top në vend.
Trupi i stërmadh i Xhalutit ra në tokë pa jetë.
Davudi iu afrua, mori shpatën e tij dhe nxori një britmë triumfi.
Kuptimi i kësaj ishte fundi i luftës.
Kishin fituar.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”