Musai a.s. te Shuajbi a.s.
Musa a.s. u ndihmoi vajzave të Shuajbit a.s.
Njëra prej vajzave të Shuajbit a.s. shkoi te Musai a.s. e i tha:
– Të fton babai ynë, që të të shpërblejë për shkak se na ndihmove që t’i japim bagëtisë ujë.
Musai a.s. shkoi në shtëpinë e tyre.
Ndërkohë që Musai po ngrihej e po u kërkonte leje të ikte, vajza e vogël iu afrua të atit dhe i tha:.
– O baba, a nuk kërkoje vazhdimisht një burrë besnik e të fuqishëm për të të ndihmuar në punët e tua? Ja ku të erdhi te dera. Merre Musain në punë, atë e ke shumë të përshtatshëm, edhe besnik, edhe të fuqishëm.
Shuajbi e pyeti:.
– E ku e di ti se është i fuqishëm?
Vajza i përgjigjet:
– E pashë kur ngriti i vetëm një shkëmb që mezi e lëvizin dhjetë burra.
Baba e pyet vajzën:
– Mirë i fuqishëm, po nga ta dimë se është besnik?
Vajza i përgjigjet:
– Kur erdhëm në shtëpi, nuk deshi të ecte pas meje që unë të mos ndihesha keq. Kur flet me të, ai skuqet dhe nuk i ndan sytë nga toka.
Shuajbi u kthye nga Musai, që po bëhej gati të dilte, e i tha:
– Musa, kam një propozim për ty. Në qoftë se rri këtu e bëhesh ndihmësi ynë për tetë vjet, do të të martoj me njërën prej vajzave të mia e do të të mbaj si bir.
Po ndenje dhjetë vjet, kjo tregon mirësinë e bujarinë tënde.
Po unë nuk dua të të mbaj të lidhur, ti e di vetë. Po as mirësia, as bujaria ime, nuk ka për të të munguar.
Musait a.s. i qeshi fytyra. Ky propozim ishte dashamirësia e Zotit vetë!
Ai nuk ngurroi aspak dhe pranoi.
Ai u martua me vajzën e vogël dhe për dhjetë vjet me radhë i shërbeu Shuajbit.
Dhjetë vite të cilat i kaloi pranë Shuajbit ishin një periudhë shumë e rëndësishme në formimin e Musait a.s.
—
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”