Dr. Musli Vërbani
Es-sulhu xhaaizun bejnel muslimiine il-laa sulhan harreme halaalen ev ehal-le haraamen |
Pajtimi është i lejuar, pos pajtimit i cili e lejon të ndaluarën apo e ndalon të lejuarën |
Pajimi është akt i cili me kushte ligjore eliminon armiqësinë në mes të armiqësuarve.
Pajtimi është i ligjësuar:
– me Kur’an;
– me sunet;
– me ixhmaë.
Edhe argumentet logjike janë argument për pajtimin.
Argumentet nga Kur’ani:
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit për shkak të ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë nuk gabojnë poqëse bëjnë mes vete mbarim (pajtim). PAJTIMI është më i dobishmi.” (En-Nisa : 128)
Pastaj e kemi ajetin tjetër fisnik ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Nuk ka kurrfarë dobie në shumë biseda të tyre të fshehta, pos:
– kush këshillon për sadaka,
– për ndonjë të mirë ose
– PAJTIM mes njerëzve” (En-Nisa : 114)
Kemi edhe ajetin tjetër në Kur’anin Fisnik:
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju PAJTONI ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të All-llahut, e nëse ktheheni, atëherë me drejtësi bëni PAJTIMIN ndërmjet tyre, mbajeni drejtësinë, se vërtet All-llahu i do të drejtit.” (El-Huxherat : 9)
Pastaj edhe ajetin tjetër:
“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni PAJTIM ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kijeni frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar.” (El-Huxherat : 10)
Argument nga hadithi
Buhariu në sahihun e tij transmeton se Keab bin Maliku është konfrontuar me ibn Ebi Hududin për një borxh të cilin ia kishte dhënë. Pejgamberi s.a.v.s i pajtoi ata në atë mënyrë që ibn Keabi të hiqte dorë nga një pjesë e borxhit ndërsa ibn Ebi Hududin e urdhëroi që pjesën tjetër t’ia paguan.
Argument nga ixhmai
Janë pajtuar sehabet në lejimin e pajtimit në përgjithësi edhe pse për disa forma të pajtimit nuk janë pajtuar.
Argumenti logjik
Logjika e pranon lejimin e pajtimit në mes njerëzve sepse kjo e largon çrregullimin i cili veç ka ndodhur, ose e parandalon çrregullimin i cili mund të ndodhë sepse pajtimi ndalon acarimin e mëtutjeshëm, ndërsa acarimi është shkak i çrregullimit.
Pajtimi është shumëllojësh:
- Pajtimi i lejuar;
- Pajtimi i pëlqyer;
- Pajtimi obligativ;
- Pajtimi mekruh;
- Pajtimi haram;
Pajtimi i lejuar është pajtimi i cili është në kënaqësinë e Allahut dhe në kënaqësinë e dy të ngatërruarve. Baza e këtij pajtimi është barazia dhe drejtësia. Zoti i Lartmadhërishëm thotë: “Dhe PAJTONI në mes tyre dhe bëjeni me drejtësi.”
Baza e pajtimit është lejimi i pajtimit në mes njerëzve.
Ka mendime se baza e pajtimit është mendub.
Llojet e të drejtave dhe pajtimit
Të drejtat për pajtim janë tri llojesh:
- Të drejtat e njeriut ndaj Krijuesit;
- Të drejtat e njeriut ndaj njeriut;
- Të drejtat që ndërlidhen në mes njerëzve dhe Krijuesit.
- Të drejtat e njeriut ndaj Krijuesit
Nuk lejohet pajtimi në një të drejtë prej të drejtave të Allahut.
Kjo është aprovuar nga ixhmai si f.v.:
– Nuk lejohet pajtimi për dënimin e prostitucionit.
– Nuk lejohet pajtimi për dënimin për vjedhje.
– Nuk lejohet pajtimi për dënimin e pirjes se alkoolit.
Shembull:
– Prostituti i cili ka bërë prostitucion thotë: Merreni këtë pasuri që të mos ngrihet padia në prokurori, e kjo nuk lejohet nga shkaku se e drejta e Allahut është e prerë dhe absolute, andaj nuk ka amnisti.
– Hajni i cili ka vjedhur të thotë: Merreni këtë pasuri që të mos ngrihet padia në prokurori.
Kjo nuk lejohet nga shkaku se e drejta e Allahut nuk lejon amnisti.
Në raste të ngjashme, as gjykata as prokuroria, as qeveritari, nuk e kanë të drejtën e faljes apo të amnistisë.
Kjo është e njohur me Kur’an dhe me Sunetin e Muhamedit a.s.
- Të drejtat e njeriut ndaj njeriut
Pajtimi të cilin e parasheh ligji islam ka të bëjë me të drejtën e njeriut, nga shkaku se pajtimi është i ndërlidhur me të drejtën e njerëzve:
– ose faljen në tërësi;
– ose faljen e një pjese të fajit;
– ose faljen me kompensim.
- Të drejtat që ndërlidhen në mes njerëzve dhe Krijuesit
– Nëse është e drejta e Allahut me të drejtën e robit, nuk lejohet falja apo amnistia, sepse dominon e drejta e Allahut ndaj të drejtës së njeriut si f.v.: shpifja për prostitucion:
Në shpifjen për prostitucion kemi dy të drejta:
– e drejta e Allahut.
– e drejta e njeriut.
Për shpifje për prostitucion dominon e drejta e Krijuesit ndaj të drejtës së njerëzve.
Në këtë çështje nuk lejohet pajtimi, as amnistia por vetëm realizohet dënimi për shpifje.