Dr. Musli Vërbani
Laa vasijjete lil vaarithi |
Trashëgimtari nuk ka të drejtë testamenti |
Në fillim të islamit testamenti ka qenë obligativ për prindërit dhe familjarët. Këtë e tregon ajeti në Kur’anin fisnik:
“U është bërë juve obligim, kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, le të testamentojë testamentin për prindërit dhe për të afërmit, por ashtu siç është drejtë…” (El-Bekare : 180)
Pastaj testamenti është specifikuar me ajetet e trashëgimisë, që do të thotë:
– Trashëgimia u takon trashëgimtarëve.
– Testamenti u takon jotrashëgimtarëve.
Rregulla e cila e ka bazën në hadithin e Muhamedit a.s. e ka kuptimin:
– Asnjëri nga ju të mos lë testament diçka për trashëgimtarin, sepse Zoti i Lartëmadhëruar secilit trashëgimtarë ia ka përcaktuar të drejtën dhe është e padrejtë të përfitohen dy të drejta për diçka në të njëjtën kohë, se i bëhet e padrejtë palës tjetër.
Nga kjo rezulton se:
– Nëse një person i lë testament trashëgimtarit ai testament është i pavlefshëm (nuk zbatohet).
– Nëse një person i lë testament një trashëgimtari dhe pajtohen trashëgimtarët tjerë, atëherë llogaritet si dhuratë prej trashëgimtarëve dhe jo si e drejtë testamentale.
Kjo bazohet në hadithin të cilin e transmeton Ibn Abasi r.a. se pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Nuk i lejohet testament trashëgimtarit, pos nëse e lejojnë trashëgimtarët tjerë.”
Përfundim:
Ky lloj testamenti nuk konsiderohet testament i ligjësuar si testament në kuptimin e fjalës, por konsiderohet dhuratë prej trashëgimtarëve tjerë.