Dr. Musli Vërbani
SUNETET E NAMAZIT TË XHENAZES
Sunetet e namazit të xhenazes janë:
- Pas nijetit dhe tekbirit të parë me kënduar subhaneken
- Salavatet për Muhamedin a.s. pas tekbirit të dytë
- Duaja pas tekbirit të tretë.
Mendub është që gjatë faljes së namazit të xhenazes të jenë tre rreshta.
Muhamedi a.s. ka thënë:
Cilit ia falin namazin tre safa, i falen gabimet”.
Nëse xhemati përbëhet prej 7 vetëve, atëherë radhitja bëhet kështu:
Një (Imami), pastaj tre, dy dhe një.
Më e vlefshme është që namazi të falet jashtë xhamisë e jo në brendi të xhamisë.
Nëse i vdekuri është varrosur pa u pastruar, i falet namazi edhe pse nuk është pastruar.
Nëse në të njëjtën kohë janë më shumë se një i vdekur, lejohet që namazi i xhenazes t’u falet të gjithëve një nga një, por mundet të falet një namaz për të gjithë duke e bërë nijetin për të gjithë. Në këtë rast prej drejtimit të kibles në rend të parë vendosen kufomat e grave, pastaj fëmijëve, pastaj burrave, dhe para burrave qëndron Imami e pas tij xhemati.
Lejohet që femrat të prezantojnë në faljen e namazit të xhenazes.
Në raste kur nuk ka burra, lejohet që femra me qenë Imam, por në këtë rast ajo qëndron në mes të rreshtit (safit) e jo përpara, sikurse Imami mashkull.