Dr. Musli Vërbani
SI DUHET TË VEPROHET ME PASURINË E TË VDEKURIT NË DITËN E VDEKJES DHE PAS KËSAJ DITE
Tek ne është bërë traditë që familja e të vdekurit, që në mëngjes shkon në restorant dhe porositë 100 shujte, ndonjëherë 200 shujte që pas varrimit të familjarit të tyre të kthehen në shtëpi për të ngrënë drekën e porositur. Pasi të përfundon varrimi njëri prej familjarëve i fton të pranishmit (në varrim) se silla është gati. Kjo traditë patjetër dhe menjëherë duhet të hiqet, sepse është në kundërshtim me parimet islame, sepse në islam kur të lind fëmija, ftohen fqinjët, miqtë, dashamirët në ushqim. Po ashtu kur të bëhet martesa, ftohen miqtë dhe dashamirët në ushqim, ndërsa në rast të vdekjes fqinjët, miqtë dhe dashamirët nevojitet të përgatisin ushqim për familjen e të vdekurit. Pra, në vend se familja të sigurojë ushqim për xhematin e varrimit nevojitet e kundërta xhemati, apo të tjerët të sigurojë ushqim për familjen e të vdekurit, sepse transmeton Abdullah Ibn Xhaferi se Muhamedi a.s. ka thënë:
Përgatitni ushqim për familjen e Xhaferit (pasi që ai kishte vdekur) sepse familja e tij është e zënë me rastin që i ka ndodhur”.
(Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Tirimidhiu)
Në qoftë se në varrim prezantojnë të afërm, miq apo dashamirë nga vendet e largëta, atëherë është e parapëlqyeshme që për të me përgatitë ushqim farefisi apo fqinjët e familjes së të vdekurit.
Kur të vdes njeriu, prej pasurisë së tij rezultojnë menjëherë 4 të drejta dhe detyrime.
E para: Të gjitha shpenzimet të cilat kanë të bëjnë rreth përgatitjes si gusli (pastrimi) kefini (qefini), varrimi duhet të jenë drejtpërsëdrejti nga pasuria e të vdekurit (e jo nga shpenzimet e familjarëve të tij)
E dyta: Kryerja e borxheve. Nëse i vdekuri ka borxh, e tërë pasuria e tij shpenzohet në kryerjen e borxheve, atëherë shpenzimet rreth përgatitjes si gusli (pastrimi), kefini, varrimi bëhen prej shpenzimeve të familjarit, i cili e ka pasur për detyrë që të përkujdeset për të.
Borxhet ndahen në dy lloje:
Borxhet ndaj Allahut
Borxhet ndaj njerëzve.
Borxhet ndaj Allahut janë si p.sh. zekati, zaxhi, përbetimi etj., pra, nëse atë vit i vdekuri nuk e ka dhënë zekatin në rend të parë epet zekati prej pasurisë së tij, nëse atë vit e ka pas obligim haxhin, ndahen mjete prej pasurisë së tij dhe dërgohet zëvendësim (bedel) për haxh, nëse është përbetuar se do ta presë një kurban nëse Zoti i mundëson diçka, atë vit Zoti ia ka mundësuar atë, mirëpo nuk e ka pre kurbanin, atëherë prej pasurisë së tij prehet një kurban e kështu me radhë.
Borxhet ndaj njerëzve. Që nga mëngjesi familjarët duhet të angazhohen që çdo kujt të cilit i ka pasur borxh i vdekuri të shkojnë për t’ia kryer (ose së paku të kërkojnë edhe një afatizim).
E treta: Zbatimi i testamentit. Nëse i vdekuri ka lënë testament më shumë se një e treta, atëherë zbatohet si testament një e treta, më shumë jo.
E katërta: Çka mbetet pas këtyre tri detyrimeve trashëgohet, apo duhet të fillojë menjëherë procedura e trashëgimisë ashtu siç e ka paraparë Allahu i Lartmadhëruar në librin e Tij dhe të cilat i ka shpjeguar i dërguari i Allahut Muhamedi s.a.v.s.
Edhe pse në parim procedura e trashëgimisë fillon që në ditën e varrimit, trashëgimtarët duhet të presin tri ditë ngushëllimet, të qetësohen, t’i vërtetojnë tri detyrimet e para se a janë kryer në tërësi e pastaj me tolerancë, urtësi dhe butësi duhet të ulen të bisedojnë, të jenë të mëshirshëm mes vete, mos ta mashtrojnë njëri-tjetrin, mos ta tradhtojnë njëri-tjetrin, mos ta nënçmojnë njëri-tjetrin, por t’i praktikojnë në përpikëri urdhrat e Kur’anit dhe sunetet e Pejgamberit a.s. rreth trashëgimisë.
Nëse në këtë nuk ka njohuri, Zoti i Madhëruar ka thënë:
Pyetni kompetentët (të cilët gjykojnë) me librin (e Allahut) nëse nuk dini”.
Mustehab është që nga pasuria e të vdekurit, para trashëgimisë me dhënë dhurata, apo sadaka të varfërve (jo trashëgimtarëve) të gjorëve ose jetimëve.