Dr. Musli Vërbani
NGUSHËLLIMI
Ngushëllim do të thotë nxitje për durim apo përpjekje për durim.
Ngushëllimi është mustehab, sepse me ngushëllim manifestohet ndihma reciproke, përkrahja e ndërsjellët, mëshira mes vete përmes të cilit fitohet shpërblimi.
Ibni Maxhe dhe Bejhekiu transmetojnë me senedin Hasen nga Amër bin Hazmi se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Çdo musliman kur ta ngushëllojë ( e nxitë për durim) vëllain e tij për ndonjë fatkeqësi, Allahu e zbukuron atë me rroba të ndershmërisë në Ditën e Kijametit”.
Ngushëllimi mund të bëhet edhe para varrimit, por edhe pas varrimit.
Në islam nuk lejohet të mbajturit zi, sepse të mbajturit zi është jo islame.
Sa i përket femrës, nëse i vdes babai, vëllai, djali, mixha, daja etj., ajo gjatë tri ditëve pret ngushëllime, mirëpo jo të vishet me rroba të zeza për të mbajtur zi, por rroba të rëndomta.
Ndërsa gruaja për vdekjen e burrit të saj katër muaj e dhjetë ditë e ka të ndaluar të stoliset, zbukurohet dhe parfumohet, ndërsa gjatë kësaj kohe vishet me rroba të rëndomta.
Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:
وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنْكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجاً يَتَرَبَّصْنَ بِأَنْفُسِهِنَّ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَعَشْراً
E ata që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë
(El-Bekare,234)
Pritja katër muaj e dhjetë ditë nuk lejohet të quhet Të Mbajturit Zi”, por pritje. Që do të thotë ajo brenda këtij afati e ka të ndaluar të martohet, të parfumohet, të stoliset, të zbukurohet dhe të dal nga shtëpia e burrit të saj, përpos nevojave elementare dhe të domosdoshme.