Dr. Musli Vërbani
KEFINI NGA PASURIA E TË VDEKURIT
Kefini bëhet menjëherë pas pastrimit (gusulit).
Kefini blihet prej pasurisë së të vdekurit pasi t’i lahen borxhet prej pasurisë së tij. Nëse nuk ka lënë pas vete mjete materiale, atëherë blerjen e kefinit e bën ai i cili ka qenë përgjegjës apo mbikëqyrës. Nëse nuk ka përgjegjës, atëherë tubohen mjete nga muslimanët dhe i blihet kefini.
Bashkëshortja e vdekur kefinoset me kefinin e pasurisë së burrit të saj edhe nëse ka mjete materiale sepse ende ka obligim dhe përgjegjësi në mbikëqyrje të saj.
Urtësia e kefinit qëndron në atë se rrespektohet apo kursehet nga sytë e njerëzve, sikurse ka qenë obligim mbulimi sa ka qenë gjallë, ashtu është obligim mbulimi pas vdekjes.
Nuk lejohet kefinimi i mashkullit me material të mëndafshtë sepse çka ka qenë e ndaluar për meshkujt prej veshjes për së gjalli, ashtu ndalohet edhe pas vdekjes.
Për femrën lejohet që kefini i saj të jetë prej mëndafshi, sepse ashtu e ka pasur të lejuar sa ka qenë gjallë.
Kefini më i miri është me ngjyrë të bardhë.
Çdo gjë çka lejohet për t’u veshur për të gjallin lejohet të jetë edhe kefin.
Haxhiu nëse vdes deri sa është i veshur me ihram nuk kefinoset, por kefin i vërtet për të është vetë ihrami. Pra mbulohet vetëm me dy pjesët e ihramit të cilat i ka veshur, ndërsa nuk parfumohet dhe nuk i mbulohet koka, por vetëm ashtu si ka qenë i mbuluar me ihram, sepse kur ka vdekur një haxhi në Arafat, Muhamedi a.s. ka thënë:
Pastrojeni me ujë të Siprit” dhe kefinosne me dy pjesët e ihramit të tij, mos e parfumoni dhe mos ia mbuloni kokën, sepse në Ditën e Kijametit ai do të ringjallët duke thënë: Lebejk Allahume lebejk” (O Zot jam i gatshëm që gjithmonë në çdo çast të të përgjigjem [për çka do që më urdhëron])”.