Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Ata janë prishësit e marrëveshjeve
Mëkatarët janë ata të cilët e prishin besatimin me Allahun. Kjo është çështja e parë e mëkatimit:
وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ
“Dhe nuk humb, përpos mëkatarët.” (El-Bekare : 26)
Sa i përket “besatimit”, është marrëveshje e shkurtë e cila duhet të zbatohet. Kur është bërë ai besatim?
Pasi Zoti i Lartmadhëruar e ka krijuar “mendjen” me të cilën dallohen çështjet e jetës tënde, si p.sh., çka të bën dëm dhe çka të bën dobi, do të duhej që ajo mendje të arrinte në nivelin më të lartë për të përfituar begati. Paramendo, sikurse ti të ishe në shkretëtirë dhe e ke rregulluar tendën dhe flenë i vetëm në të, pastaj befasohesh kur e sheh një sofër të mbushur me të gjitha të mirat dhe me artikuj ushqimor. Për Zotin, para se të ushqehesh a nuk mendon njëherë se nga të kanë ardhur ato ushqime?!
Kështu është. Ti je në këtë gjithësi dhe befasohesh se je i shërbyer me këto begati. Këto begati nuk i ke bërë ti. Dhe askush para juve, i ngjashëm me ju, nuk ka thënë se ai vet i ka bërë këto begati. A nuk do të duhej të parashtrohet pyetja: Nga kanë ardhur këto begati?
Kështu pra, besatimi i parë është: besatimi i natyrshmërisë për t’i menduar begatitë. Kur ti nuk mendon për të dobishmen, kjo është sikurse, ti këtë besatim natyror dhe logjik e ke prishur. Ti nuk e ke prishur për çështjet e jetës tënde sepse ti i ke shikuar çështjet të cilat të bëjnë dobi. Por, përderisa nuk e mendon çështjen e cila të bën dobi, atëherë këtu ndryshon situata, për këtë arsye Zoti e falë të çmendurin.
Çka vjen prej Allahut, besimtari e pranon me veten e tij.
Çka vjen prej Allahut, pabesimtari e pranon me veten e tij.
Secili e pranon çka vjen prej Allahut, varësisht prej fuqisë së besimit apo fuqisë së pabesimit.
Ai i cili beson në Zotin, e rendit dhe e rregullon çdo gjë çka i vjen prej Zotit të Lartmadhëruar si rezultat i besimit në Allahun. Përderisa ka besuar në Allahun Zot, Krijues, të Fuqishëm, të Urtë dhe është i kënaqur me Të, dhe ka bindje të thellë në Të. Tema për një çështje buron prej Tij dhe konsiderohet kthim në bazën e çështjes së besimit.
Përderisa ke besuar se Zoti është i fuqishëm dhe se Ai është i Urtë dhe se ai është i Ditur, dhe ne kur të pranojmë diçka nga Allahu patjetër se duhet ta pranojmë mbi bazën e besimit në të cilën kemi besuar. Nëse largohesh nga diçka, për të cilën je njoftuar prej Allahut se duhet larguar, e analizon edhe një herë, ta dish se je kthyer në çështjen e besimit. Për këtë arsye, kur Zoti i Lartmadhëruar i obligon robërit e tij nuk thotë: “O ju njerëz, ju obligoj për këtë”, por i ka obliguar ata të cilët kanë besuar, siç thotë “O ju të cilët keni besuar, u është bërë obligim juve…”
Kjo do të thotë: O ti i cili ke besuar në Zotin dhe ke besim në mua se jam Zot dhe i Fuqishëm, i Urtë dhe i Dijshëm, beson në krijimtarinë e Tij dhe se Ai ka krijuar, Unë të obligoj për këtë dhe për këtë. Nuk është mirë që ta polemizosh atë detyrë përsëri sepse nëse e polemizon obligimin, atëherë je kthyer në bazën e çështjes së parë të besimit. Baza e çdo çështjeje obligative pranohet nga Zoti dhe besimi në Zot. Besimi në diçka nënkupton vërtetimin se çdo gjë çka vjen te ti vjen prej rrugës së Allahut.
Të sjellim një shembull: Kur pejgamberi s.a.v.s. shkoi në Isra dhe populli dëshiroi që ta luhatnin besimin e Ebu Bekri Sidikit, kur i thanë, shoku yt pretendon se ka shkuar në Mesxhidi Aksa. Ata mendonin se Ebu Bekri do të heqë dorë nga ky lajm.
Çka u tha Ebu Bekri?
Tha: Nëse veç e ka thënë, atëherë e ka thënë të vërtetën. Po ashtu ka thënë: Unë besoj në atë çka i zbret prej qielli, e si mos t’i besoj se ka shkuar në Mesxhidi Aksa?!
Na ka dhënë një çështje të sinqertë.
Kështu pra, logjikën time e kam përdorur për kategorinë e parë, e ajo është se: Unë kam besuar në Zotin dhe kam besuar në të dërguarin e Tij, e pas kësaj, kam besuar që të më transmeton çka të dëshiron.
Një ngjarje tjetër. Pejgamberi s.a.v.s. i kishte marrë borxh një personi. Pas kësaj pejgamberi s.a.v.s. atë borxh ia kthen borxhdhënësit, mirëpo askush nuk ishte prezent. Pas një kohe, borxhdhënësi shkon te pejgamberi s.a.v.s. dhe ia kërkon borxhin duke menduar se ka harruar pejgamberi s.a.v.s. se ia ka larë borxhin.
Pejgamberi s.a.v.s. i thotë: Borxhin e kam larë te ti.
Borxhdhënësi i thotë: Nuk e ke larë.
Pejgamberi s.a.v.s i thotë: E kam larë borxhin te ti.
Aty pranë ishte Huzejme r.a. dhe i thotë: “Po, ta ka kthyer borxhin.” Edhe pse nuk kishte qenë prezent në momentin e kthimit të borxhit.
Pas kësaj, shkon pejgamberi s.a.v.s. te Huzejme dhe i thotë: Kur e kam kthyer borxhin asnjëri nuk ishte në atë moment.
Huzejme i thotë: O i dërguar i Allahut, unë të besoj me të gjitha ato që ke ardhur, e a të mos besoj për kthimin e disa dërhemëve borxh!?
Shikojeni pra fikhun e besimit dhe fikhun e ixhtihadit.
Pas kësaj, shikojeni të kaluarën (të parët tanë) dhe lidhjen e tyre me Kur’anin. Na është transmetuar se duke u tubuar Kur’ani nga sahabët dhe nga fletushkat tjera, ai i cili e ka marrë përsipër këtë përgjegjësi nuk e ka shkruar asnjë ajet përderisa nuk e ka parë të shkruar dhe për të cilën kanë dëshmuar dy dëshmitarë. Gjatë këtij procesi hasën në një ajet të shkruar dhe për të dëshmon vetëm një dëshmitar, e ai dëshmitar ishte Huzejme. Pra, u pranua dëshmia e vetme e tij, pa pasur dëshmitarë tjetër, nga shkaku se pejgamberi s.a.v.s. për të ka thënë: “Për kë dëshmon Huzejme, mjafton vetëm dëshmia e tij.” Kështu ne e shohim çështjen ashtu siç e parashtruam edhe më parë. Kështu besimtari i pranon gjërat.
Për këtë arsye, unë gjithmonë them për atë i cili mundohet që nga çdo çështje të adhurimit ta gjen urtësinë e saj: Mundohu ta gjesh urtësinë sa të dëshirosh, mirëpo, mos pretendo se ajo është urtësia e atij adhurimi. Urtësia e Allahut është përsosmëria. Urtësia e Allahut është përsosmëria absolute dhe nuk bie në kundërshtim urtësia e çështjes me atë adhurim, ndërsa urtësia të cilën e gjen ti, mund të jetë në kundërshtim me atë çështje të adhurimit.
Urtësia është prezent në çdo obligim të cilin e obligon Allahu. Kur Zoti i Lartmadhëruar të urdhëron për një çështje, nuk duhet të pyesësh për urtësinë e saj, sepse kjo nuk është çështje e juaja. Urtësia e obligimit a duhet të jetë te i urdhëruari apo te Urdhëruesi?! A mos e di fëmija urtësinë e dhimbjes së gjilpërës kur i japim injeksion?! Mirëpo, ai i cili e di çështjen e saj dhe urtësinë e saj, është ai i cili e ka urdhëruar dhe e ka paraparë atë. Kur mendja e atij fëmije e arrin pjekurinë, ndoshta do ta kupton. Shembull: Kur të sëmuret njeriu, atëherë fillon të mendoj dhe ta pyes veten:
Çka më ndodhi?
Ndoshta kam ngrënë diçka dhe jam sëmurë?
Nëse i dhemb stomaku shkon dhe e pyet mjekun specialist të stomakut (lukthit).
Kjo është detyra e trurit (mendjes).
Kur specialisti e përfundon ekzaminimin, e gjen llojin e sëmundjes dhe e merr lapsin për të përshkruar ilaçet, unë nuk ia marr lapsin, ose nuk i them mos e shkruaj ilaçin apo mos e shkruaj diagnozën. Mendja ime ndalet aty sepse aty është mjeku specialist.
Pastaj, pasi që unë kam shkuar te specialisti, unë vetëm e dëgjoj atë.
Kur të vjen vizitori që të më vizitoj për shkak të sëmundjes dhe të më pyes: Pse po e përdor këtë ilaç, a duhet të hyj me të në laborator kimik. Jo. Ti përgjigjesh: Kështu ka thënë mjeku specialist.
Kështu, ti agjëron sepse Zoti ka thënë “Falu dhe agjëro.” Për shkak se Zoti i Lartmadhëruar ka thënë falu, duhet të kesh kujdes të mos e bësh të varur ligjin me arsyeshmërinë (urtësinë) e tij. Kush agjëron, agjërimi e shëron agjëruesin, e atëherë agjërimi nuk është adhurim. Shembulli i tij është sikurse zjarrputisti i cili agjëron për t’u shëruar. Te besimtari, bazike është që të pranoj urdhrat e Allahut pa e ditur urtësinë e urdhrit. Ky është besimi.