Ngjarja e “ifkut” (shpifjes)

Muhamed Eminë Xhundi

"101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë"

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Ngjarja e “ifkut” (shpifjes)

 

Transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit s.a.v.s., se Pejgamberi s.a.v.s. kur shkonte në udhëtim të gjatë hidhte short në mes grave të tij, dhe cilës i binte shorti e merrte me vete. “Në një luftë prej luftërave, pasi që hodhi short, më ra mua. Kështu që unë shkova me Pejgamberin s.a.v.s., hyra në shportë (ulëse e mbuluar për udhëtim). Kjo ishte koha kur ka zbrit ajeti për mbulesën e femrës. Unë e kam vendos mbulesën dhe kam  shkuar me të. Pasi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka  përfunduar betejën, jemi nisur për t’u kthyer në Medine. Natën është dhënë urdhri për nisje. Unë jam bërë gati për vazhdimin e rrugës dhe iu kam bashkangjitur radhëve. Pasi që kam hipur në devenë time, kam shikuar në gjoks kur shoh se qaforja ime ishte këputur dhe më kishte rënë. Jam kthyer për ta kërkuar dhe jam vonuar pak. Në devenë ku kam qenë unë, kanë menduar se kam hipur në të, andaj ata kanë vazhduar rrugën.” Ajo tregon se në atë kohë gratë kanë qenë të holla, nuk hanin shumë ushqim, dhe kanë qenë të lehta. “Për këtë arsye kur e kanë vendosur shportën nuk e kanë kuptuar se unë kam qenë në të, ngase edhe kam qenë shumë e re. Kështu që e kanë tërhequr devenë dhe kanë shkuar. Unë pastaj e gjeta qaforen por ushtria kishte shkuar. Mandej shkova në vendin ku kanë qenë të vendosur ushtria, thirra, por nuk mu përgjigj askush. Atëherë prapë u ktheva në vendin tim, sepse mendoja se kur ta vërejnë se nuk jam në devenë do të kthehen për të më marrë. Duke pritur në vendin e shatorit tim, më kishte kapluar gjumi. Pas karavanit kishte qenë Safvan bin Muatal, i cili ka mesi i natës, duke shkuar pas ushtrisë në vendin ku isha unë, sheh diçka të zezë, si një njeri fjetur, sepse ai më ka pas parë para zbritjes së ajetit të mbulesës. Ai për të më sinjalizuar dhe për të më zgjuar nga gjumi, ka thënë: “Ne jemi të Allahut dhe ne tek Ai do të kthehemi”, pasi që ai veç më kishte parë fytyrën me shaminë time. Për Zotin, as që më ka folur dhe as që kam dëgjuar ndonjë fjalë tjetër prej tij, pos kur ka thënë: “Ne jemi të Allahut dhe ne tek Ai do të kthehemi.” Pastaj e ka përgatitur devenë, e ka ulur dhe unë kam hipur në të. Dhe kështu ai ecte përpara, e unë hipur në devenë, deri sa iu kemi bashkangjitur ushtrisë dhe jemi ndalur në Mugarijne, në mesditë. Është shkatërruar ai i cili është shkatërruar për shkak të shpifjes ndaj meje, në krye të së cilës shpifje ishte kryemunafiku – Abdullah bin Ubej bin Seluli, e pastaj arritëm në Medine. Kur kemi arritur në Medine kam qëndruar e sëmurë një muaj. Njerëzit e kishin përhapur shpifjen, ndërsa unë nuk kisha ditur asgjë. Te i Dërguar i Allahut nuk e shihja atë disponim të mëhershëm ndaj meje, përpos se çdo herë kur vinte në shtëpi, jepte selam dhe thoshte: “Si je me shëndet?”, mirëpo kjo ishte përkujdesje ndaj meje, e nuk kishte asgjë të keqe. Deri sa pas një muaji me Umi Mustahin dolëm në vendin Mesanië, një largësi prej shtëpive dhe aty nuk shkonim, pos kur errësohej, sepse shkonim për të kryer nevojë, paksa larg shtëpie dhe për shkak të ruajtjes së ambientit nuk kryenim nevojë nëpër shtëpi. Shkova së bashku me Umi Mustahin, e cila ishte bija e Ubej Rahmit bin Abdul Mutalibit bin Menafit, ndërsa nëna e saj ishte bija e Sahr bin Amirit. Halla e Ebu Bekrit, e djali i saj ishte Mustah bin Ethathetu bin Ubad bin Abdul Mutalib bin Abdu Menaf. Pasi që kryem punën tonë, unë  dh vajza e Ebi  Rehmit  bin Mustahit u kthyem për në shtëpi dhe e dëgjova Umi Mustahin, e cila zuri në thua duke thënë: “Mallkuar qoftë për ty o Mustah.” I thash asaj: “Po çka po flet kështu, po e shan njeriun i cili ka marrë pjesë në luftën e Bedrit?!” Ajo më tha: “Oj grua, po a nuk ke dëgjuar çka ka thanë?” I thash: “Po çka ka thënë?” E ajo më informoi për shpifjen ndaj meje. Pastaj sëmundja m’u shtua edhe më shumë. Kur arrita në shtëpi më erdhën prindërit. Unë atëherë kam dëshiruar që të dëgjoj prej tyre çka ata mendojnë. Pasi kërkova leje prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu afrova prindërve dhe e pyeta nënën: “Oj nëna ime, po çka po flasin njerëzit për mua?” Ajo më tha: “Oj bija ime, qetësohu, se për Zotin, çdo herë kur  një grua qëllon rastësisht me ndonjë njeri, asaj vetëm se i shtojnë dhe ia zmadhojnë gjërat.” Tregon Aishja: I kam thënë: “Subhanellah”, ashtu kanë folur njerëzit”, dhe kam qajtur tërë natën pandërprerë deri në mëngjes, e lotët më shkonin rrëke. As që kam mundur të fle fare deri në mëngjes. Tregon: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ftoi Ali bin Ebi Talibin dhe Usamete bin Zejdin, para se të zbriste Vahji, i pyet dhe këshillohet me ta për familjen.” Tregon: “Pasi e pyeti i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Usamete bin Zejdin për pastërtinë time, ai i është përgjigjur: “O i Dërguari i Allahut, ne dimë vetëm çka është më e mira për të, ndërsa të tjerët janë të shkatërruar.” Ndërsa Ali bin Ebi Talibi tha: “O i Dërguari i Allahut, mos e ngushto veten, pyeti gratë, ata do  të të informojnë  më  mirë.” Pastaj  i  Dërguari i   Allahut

s.a.v.s. e thirri Berijreten dhe e pyeti: – Oj Berijrete, mos ke vërejtur diçka të dyshimtë te Aishja?” Berijrete i është  përgjigjur: “Pasha Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën, kurrë s’kam parë te ajo asnjë të keqe, përpos që ajo është shumë e re dhe flenë në shtëpinë e saj.” Atëherë Muhamedi a.s. shkon dhe hipi në minber dhe thotë: “O ju musliman! Ai i cili ka gjetur arsye të panevojshme vetëm e vetëm për ta ofenduar familjen time, për Zotin, unë në familjen time nuk di asgjë tjetër, pos atë çka është më e mira, e kanë përmendur (duke akuzuar) për një njeri, për të cilin nuk di asgjë tjetër, pos ajo çka është më e mira, dhe ai kur ka hyrë në familjen time ka hyrë gjithmonë së bashku me mua.” Ngritet në këmbë Sead bin Muadhi r.a., i pari i ensarëve dhe thotë: “O i Dërguari i Allahut, unë konsideroj se ke të drejtë, andaj nëse shpifësi është prej Evsit do t’ia heqim  kokën menjëherë, e nëse është prej vëllezërve tanë të Hazrexhit, çka do që të na urdhërosh të veprojmë me të, do të veprojmë.” Pastaj ngritet Sead bin Ubadete, kryetari i fisit Hazrexh, ai ka qenë njeri i mirë, mirëpo ka qenë i hutuar dhe i kundërpërgjigjet Sead bin Muadhit, duke i thënë: “Po rrenë, se për Zotin, as nuk mundesh ta ekzekutosh, as nuk mundesh ta vrasësh, edhe po të ishte i fisit tënd nuk do të kisha dashur të vritej.” Atëherë ngritet Esjed bin Hudejri, i cili ishte djali i axhës së Sead bin Muadhit, dhe i thotë Sead bin Ubadetes: “Jo, por ti po rrenë, se për Zotin, e vrasim, ndërsa ti je munafik, pasi që po i mbron munafikët. Dhe u konsultuan që të dy fiset, Evsi dhe Hazrexhi dhe deshën që ta mbytnin (shpifësin), deri sa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndronte në minber. Mirëpo i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vazhdimisht kërkoi prej tyre qetësi, deri sa i qetësoi, e pastaj u qetësua edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s.” Pastaj vazhdoi duke treguar Aishja r.a.: “Atë ditë kam qajtur tërë ditën, dhe lotët më shkonin rrëke, e tërë natën nuk flija, ndërsa prindërit e mi mendonin se mushkërit do të më prishen duke qajtur.

Dhe deri sa ata ishin ulur pranë meje, një grua prej Ensarëve kërkoi leje që të vijë tek unë. Unë i thashë eja dhe mu afro”, e  ajo u ul pran meje dhe qante së bashku me mua. Dhe përderisa ne ishim në atë gjendje, hyri edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe u ul. (Vazhdon duke treguar Aishja) Ai nuk ishte ulur pranë meje prej momentit kur kanë thënë çfarë kanë thënë dhe kishte kaluar një muaj që asgjë nuk kishte zbritur për mua prej vahjit (shpalljes). Pasi e filloi fjalimin me shehadet tha: “Aishe, unë kam dëgjuar për ty këtë e këtë, nëse je e pastër dhe e  pafajshme, do të të mbroj dhe do të të shfajësojë Allahu, ndërsa nëse më ke shkaktuar problem me ndonjë mëkat, kërko falje prej Allahut, pendohu te Ai, sepse kur robi e pranon gabimin, kërkon falje e pendohet, Allahu e pranon. Kur i Dërguari i Allahut e përfundoi fjalimin e tij, m’u ndalën lotët, dhe nuk më rridhte asnjë pikë. I thashë babait tim: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.” Ai më tha: “Për Zotin, nuk po di çfarë t’i them.” I thashë nënës: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.” Ajo më tha: “Për Zotin, nuk po di çfarë t’i them.” Edhe pse isha e re, thashë: “Po unë nuk di shumë nga Kur’ani. Por, për Zotin e kam ditur se ju keni dëgjuar çka flitet për mua dhe ju ndoshta u keni besuar  atyre fjalëve. Unë po ju them se jam e pafajshme, Allahu e di për mua se jam e pafajshme. Çka do që të them, ju prapë nuk më besoni, por pasi që Allahu e di pafajësinë time, unë nuk di çfarë t’ju them tjetër, pos atë që e ka thënë baba i Jusufit: “Durimi është më i miri, Allahu është mbrojtësi i imi për ata që po thoni.”

Pastaj u ktheva në krah, dhe u shtrina në shtratin tim. Dhe për Zotin, e kam ditur se Allahu do ta shpalosë pafajësinë time, mirëpo nuk e kam menduar se do të zbresin ajete posaçërisht për mua, sepse e ndieja veten të përulur që Allahu të flasë për mua dhe për çështjen time. Mirëpo kam pasur dëshirë që Vetë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në ëndërr t’i kumtohet pafajësia ime prej Allahut. Për Zotin, posa është larguar i Dërguari i Allahut

s.a.v.s. nga vendi ku ishte, dhe ende pa dalë nga shtëpia asnjeri prej nesh, kur Zoti i Lartmadhëruar ia zbret të Dërguarit të Tij (ajetet e ifkit), ndërsa derisa i pranonte ajetet i djersitej tërë trupi, dhe djersët i binin si shi prej trupit të tij, për shkak të vështirësisë së fjalëve, të cilat i zbrisnin atij. Pasi që përfundoi vahji (shpallja), dhe pasi që iu hoq të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. të rënduarit, e cila e mundonte, filloi të qeshë, dhe fjalën e parë që  e foli ishte: “Përgëzim për ty oj Aishe! Zoti i Lartmadhëruar e vërtetoi pafajësinë tënde.” Atëherë nëna më tha: “Ngritu dhe shko te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.”. I thashë: “Për Zotin nuk shkoj te ai dhe nuk e falënderoj kënd tjetër, pos Allahut të Lartmadhëruar, i cili vërtetoi pafajësinë time dhe i zbriti ajetet:

“Ata të cilët kanë përcjellë shpifjet, janë prej mesit tuaj…” dhe dhjetë ajetet që pasojnë pas tij (Ajetet në suretu En-Nur). Kështu zbritën ajetet të cilat vërtetonin pafajësinë time. Ebu Bekri r.a. e kishte të afërt Mustah bin Ethathen dhe shpenzonte për të vazhdimisht, pasi që ishte i varfër, në atë moment tha:  “Për Zotin, më nuk do t’i jap asgjë pas asaj çfarë ka thënë për Aishen.”

Pastaj Zoti i Lartmadhëruar zbriti ajetin:

“Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të All-llahut lanë vendlindjet e tyre, po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë ju? All-llahu falë dhe mëshiron shumë.”

(En-Nur, 22)

Atëherë Ebu Bekri r.a.thotë: “Për Zotin, dëshiroj që Allahu të më falë. Shkoi te Mustahi dhe vazhdoi t’i japë atë që i jepte më parë”, dhe tha: “Kurrë nuk do t’ia ndërpres ndihmat. Dhe prapë ia vazhdoi ndihmat Mustahit.”

Tregon Aishja r.a.: “I dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeste Zejnebe bin Xhahshin: “Oj Zejnebe, çka di ti dhe çka  mendon për Aishen?” Ajo i përgjigjej: “O i Dërguar i Allahu, unë ruaj dëgjimin dhe shikimin tim (nga ato që fliten e përfliten), për Zotin, unë di vetëm çfarë është mirë për të.” Ajo e ngrite vlerën time dhe ishte gruaja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Për këtë arsye e ka mbrojtur Allahu dhe e ka bërë të devotshme, ndërsa motra e saj (Hamnetu bin Xhahshi) e sulmonte dhe ia kishte zili. Dhe kështu ka dështuar ai i cili ka dështuar. Ibn Shihabi ka thënë: “Dhe kështu përfundoi çështja e atyre shpifësve.”

 

(TRANSMETON BUHARIU DHE MUSLIMI)

 

Neveviju r.a. ka thënë: “Ta dini se në hadithin e ngjarjes së “Ifkut” përfundohen shumë çështje:

E para: Hedhja e shortit mes grave, nëse dëshirohet të udhëtohet me njërën prej tyre.

E dyta: Lejohet udhëtimi i burrit me gruan e tij dhe lejohet që gratë të marrin pjesë në beteja; lejohet që ato të hipin në mjete transportuese (kafshë), dhe lejohet që burrat t’u ndihmojnë atyre gjatë udhëtimit.

E treta: Lejohet që gruaja të dalë për nevoja të domosdoshme të saj, pa lejen e burrit, kuptohet në raste të jashtëzakonshme.

E katërta: Ai i cili hip një grua (të huaj) në devenë nuk flet me  të, nëse nuk është i afërt i saj, vetëm nëse është e domosdoshme, sepse Aishja ka udhëtuar me devenë, por nuk folur me grahësin  e devesë.

E pesta: Është mirë që gratë të mos hanë mish, i cili e trashë shumë, sepse kështu ka qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. E, ajo çka ka qenë në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. ajo është e mirë dhe e dobishme që të praktikohet.

E gjashta: Të ndihmuarit e nevojtarit dhe të atij, i cili ka mbetur në rrugë; të shpëtuarit e të humburit, dhe të nderuarit të vlefshmëve, ashtu siç ka vepruar Safuani r.a.

E shtata: Sjellja e mirë me të huajt, posaçërisht me ata që, për shkak të domosdoshmërisë, kanë mbetur të vetmuar në vend të huaj. Njësoj siç ka vepruar Safuani në rastin e përgatitjes së devesë, pa folur, pa pyetur, dhe duke ecur përpara, as paralel, e  as pas saj.

E teta: Kur të ndodhë ndonjë fatkeqësi, pa marrë parasysh a  është në fe, në jetë, në trup, ose kur ngushëllohet dikush mustehab është t’i thuhet atyre: “Ne jemi të Allahut dhe ne te ai do të kthehemi.”

E nënta: Që gruaja të e mbulojë fytyrën kur ta shikojë i huaji, pa marrë parasysh a është i ndershëm ai apo jo.

E Dhjeta: Mustehab është që të fshihet ajo çka thuhet për ndonjë njeri, deri sa nuk është e dobishme që të tregohet, ashtu siç e kanë fshehur nga Aishja r.a. çështjen e saj një muaj, dhe një  muaj nuk i ka dëgjuar, deri kur është paraqitur nevoja, kur nëna  e Mustahit ka thënë: “U shkatërroftë Mustahi!”

E njëmbëdhjeta: Është mustehab që burri të jetë i butë dhe të sillet mirë me bashkëshorten, nëse i ndodh asaj ndonjë fatkeqësi, që t’ia lehtësojë (ia lehtëson duke u sjell mirë me të), njëherit duhet të pyetet ajo për shkakun dhe problemin, me qëllim që t’ia largojë.

E dymbëdhjeta: Gruaja nëse del për ndonjë nevojë, mustehab është që ta marrë me vete një shoqëruese, për të mos i ndodh diçka.

E trembëdhjeta: Që njeriu të urrejë shoqërinë apo të afërmit nëse ofendojnë të mirët dhe të ndershmit, ose nëse veprojnë gjëra të pahijshme, ashtu siç ka vepruar nëna e Mustahit, kur ka  mallkuar.

E katërmbëdhjeta: Që gruaja të mos shkojë te shtëpia e prindërve të saj pa lejen e burrit.

E pesëmbëdhjeta: Që kur të konsultohet ndonjë njeri për  familjen e tij, për shoqërinë e tij, t’i përgjigjet për gjëra  që kërkon dhe që i nevojiten.

E gjashtëmbëdhjeta: Lejohet të sharit e fanatikut për  ta mposhtur, atë ashtu siq e ka sharë Ejsen bin Hudejri, Sead bin Ibadetin, për fanatizmin dhe dyfytyrësinë e tij, sepse i ka thënë: “Ti je munafik dhe po i mbron mynafikët”. Ai ka pasur për qëllim ti thotë: Ti bën veprimin e munafikëve, e nuk e ka pasur për qëllim munafikllëkun e vërtetë.

E shtatëmbëdhjeta: Pafajësia e Aishes r.a. nga shpifja kundër saj (Ifkut). Ajo është pafajësuar me argument të qartë kur’anor,  dhe nëse ndonjë njeri dyshon diçka, atëherë ai është pabesimtar (Zoti na mbrojt) dhe këtë me ixhmain e muslimanëve.

E tetëmbëdhjeta: Vlerat e Ebu Bekri Sidik r.a. Kjo vërtetohet me ajetin kur’anor.

E nëntëmbëdhjeta: Mustehab është që të bëhet lidhja farefisnore, edhe nëse nuk janë të mirë, dhe mustehab është t’i falet keqbërësit.

E njëzeta: Nëse dikush përbetohet për diçka, ndërsa e kupton se veprimi i kundërt është më e dobishme, atëherë e thyen përbetimin, e kompenson, dhe e bënë atë punë të mirë”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s