Hadithi Sahihë (i saktë)

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Shkëputur nga: “Kryesore në terminologjinë e hadithit”, i autorit Abduhu Abas el-Velidi.

Hadithi Sahihë (i saktë)

 

Përkufizoje hadithin “SAHIHË” الصحيح  në etimologji dhe në terminologji?

Përgjigjja:

Në etimologji, sahihë do të thotë i shëndoshë, e cila është e kundërt me të sëmurën.

Në terminologji, sahihë është çdo hadith me:

  • hallka të transmetuesve të ngjitura,
  • me transmetues të drejtë,
  • me tekst të përpiktë fillim e mbarim,
  • (teksti) pa të meta dhe pa mangësi a sëmundje.

Shpjego përkufizimin në pika të shkurta.

Përgjigjja:

  1. Hallkat e zinxhirit të transmetuesve i ngjitur: Secili transmetues i hadithit e ka marrë drejtpërdrejtë hadithin nga transmetuesi i mësipërm, pra prej fillimit deri në mbarim pa u këputur.
  2. Drejtësia e transmetuesit: do të thotë  që transmetuesi me qenë:
    –  musliman,
    –  i moshës madhore,
    –  i mençur;
    –  burrëror dhe jo mëkatar.
  3. Teksti i hadithit i përpiktë: që do të thotë, secili transmetues të përcjellë hadithin me tekst të plotë, të përpiktë dhe preciz, pa marrë parasysh se a është përcjellë ai hadith me shkrim apo me gojë.
  4. Pa të meta: pra hadithi, i cili nuk ka ndonjë të metë, nëse krahasohet me një hadith të njëjtë, i cili është në një shkallë më të lartë dhe i cili është i besueshëm.
  5. Pa sëmundje apo mangësi: Sëmundja apo mangësia është një turbullim i lehtë, i cili nga jashtë duket se hadithi është i vërtetë dhe i plotë, ndërsa në brendësi ka simptome, të cilat tregojnë se është i shtrembëruar.

Në bazë të shpjegimit të hadithit sahihë, përmendi cilat janë kushtet e hadithit sahihë.

Përgjigjja:

Nga përkufizimi dhe shpjegimi kuptohet se hadithi sahihë ka pesë kushte, e ato janë:

  1. Hallkat e zinxhirit të transmetuesve të jenë të ngjitura.
  2. Transmetuesit të jenë të drejtë (besnik, jo gënjeshtar).
  3. Teksti i hadithit të jetë i përpiktë.
  4. Hadithi të jetë pa të meta apo mangësi.
  5. Hadithi të jetë i shëndoshë, pa ndonjë simptomë të dobësisë apo sëmundjes.

 

Shëno një shembull të hadithit sahihë.

 Përgjigjja:

Hadithin, të cilin e ka  regjistruar Buhariu  në “Sahihun” e tij:

“Na ka treguar Abdullah bin Jusufi, i cili ka thënë: Na ka treguar Malik bin Enesi, e ai nga Shihabi, e ai nga Muhamed bin Habir bin Mut’ami, e ai nga baba i tij, se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke e kënduar suretu “Turë” në namazin e akshamit.”

Ky hadith është sahihë, sepse:

  • transmetuesit  janë të lidhur mes vete,
  • janë të përpiktë,
  • nuk ka të meta dhe nuk ka ndonjë simptomë që lë të dyshohet në të.

Për  këtë  arsye veprimi me këtë hadith është vaxhib, e kjo edhe sipas mendimit unanim (të ixhmait) dhe sipas ekspertëve të hadithit.

 

Trego shkallët e hadithit sahihë!

Përgjigjja:

Hadithi sahihë ka shtatë shkallë e ato janë:

  • Shkalla e parë: Hadithi për  të  cilën  janë  pajtuar  Buhariu dhe Muslimi.
  • Shkalla e dytë: Hadithin të cilin e transmeton vetëm Buhariu.
  • Shkalla e tretë: Hadithin të cilin e transmeton vetëm Muslimi.
  • Shkalla e katërt: Hadithi i cili i ka plotësuar shartet (kushtet) të cilat i kanë paraparë Buhariu  dhe  Muslimi,  por nuk i kanë regjistruar ata, por është regjistruar në koleksionet e të tjerëve.
  • Shkalla e pestë: Hadithi i cili i ka plotësuar kushtet e Buhariut por nuk është i regjistruar në Sahihun e tij.
  • Shkalla e gjashtë: Hadithi i cili i ka plotësuar kushtet e Muslimit por nuk është regjistruar në Sahihun e tij.
  • Shkalla e shtatë: Hadithi i cili është Sahihë te të tjerët përpos tyre (Buhariut dhe Muslimit), si te Ibni Huzejme dhe Ibn Habani.

Përkufizo hadithin sahihë li gajrihi الصحيح لغيره (i vërtetë nga tjetri)

Përgjigjja:

Në esencë është hadithi hasen lidhatihi  (në vetvete), por i cili transmetohet në një rrugë tjetër të transmetimit më të fortë.  Quhet Sahihë ligajrihi për arsye se vërtetësia nuk vjen për shkak të hallkës zinxhirore të tij, por për shkak se i bashkëngjitet diçka tjetër që e vërteton dhe e përforcon.

 

Trego një shembull të hadithit sahihë li gajrihi (i vërtetë nga tjetri).

 Përgjigjja:

Hadithi: Muhamed  bin Amri nga Ebi Selemete e ai nga Ebi Hurejrete se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Sikur ta dija se nuk e rëndoj shumë umetin tim do t’i urdhëroja për ta përdorur brushën për pastrimin e dhëmbëve (MISVAKUN) para çdo namazi.” (Transmeton Tirmidhiu në temën “Pastërtia”)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s