Dallimi i njerëzve në zbatimin e obligimeve

Njerëzit, në zbatimin e obligimeve ndryshojnë varësisht prej natyrshmërisë dhe përgatitjes paraprake, varësisht prej ndikimit të besimit (imanit) të tyre dhe varësisht sa janë atdhedashës dhe sa kanë ndjenja në veten e tyre.

Po ashtu, njerëzit dallojnë për shkak të dukurisë së frikës dhe sa e duan jetën, mirëpo besimtari përkujdeset për të ardhmen, e ndërton bazën e shoqërisë, për të arritur nivele të larta te Zoti i tij, përshpejton në zbatimin e obligimeve, sigurimin e nderit, krenarisë dhe ngritjen e shoqërisë. Kur’ani fisnik na ka paralajmëruar situatën e të frikësuarve dhe të cilët nuk e zbatojnë obligimin e luftës dhe ballafaqimit dhe kundërvënies ndaj sulmeve të armikut.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 77-79:

A nuk i vure re ata të cilëve iu pate thënë: “ndalni duart tuaja jepne zekatin!” E kur iu bë atyre obligim lufta, që një grup prej tyre u frikësoheshin njerëzve siç është frika ndaj Allahut, e edhe më fort. Thonin: “Zoti ynë, pse na e bëre obligim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë deri në një afat të afërt!” Thuaju: “Përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme. Nuk do t’ju bëhet pa drejtë as sa fija. (77) Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qoftë se jeni në pallate të fortifikuara. E nëse i qëllon ata (munafikët) ndonjë e mirë, thonë: “Kjo është nga Allahu”. E nëse i qëllon ata ndonjë e keqe: “Kjo është nga ti (Muhamed)”. Thuaju: “Të gjitha janë nga Allahu!” ç’është me këtë popull që nuk kupton gati asnjë send? (78) çfarëdo e mire që të vjen është nga Allahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vetë ti. Ne të dërguam ty Pejgamber për mbarë botën. Mjafton që Allahu është dëshmues për këtë. (79)

Ajetet kanë zbritur për një grup besimtarësh të cilët shkojnë te pejgamberi a.s. dhe i thonë: “O i dërguar i Allahut, kur ishim idhujtarë ishim të fortë, ndërsa kur besuam u bëmë të dobët”. Thotë: “Jam urdhëruar për falje, mos luftoni!” Kur shkuan në Medine, pra pas hixhretit të njëjtit janë urdhëruar që të luftojnë, mirëpo ata nuk e kanë zbatuar urdhrin. Atëherë Allahu e zbret ajetin:“A nuk i vure re ata të cilëve iu pate thënë: “ndalni duart tuaja.” (En-Nisa: 77)

Koncepti i ajeteve

A nuk i ke vërejtur ata të cilëve në Meke, në fillim të islamit u është thënë: Përmbajuni qetësisë dhe paqes dhe mos e lejoni veten të organizoni luftëra të injorancës, por faleni namazin me përulshmëri dhe devotshmëri, jepeni zekatin në të cilin gjendet mëshira ndërmjet krijesave (njerëzve) dhe me të cilën forcohet umeti dhe shoqëria, mirëpo kur pas hixhretit (migrimit) u bë obligim lufta, disa prej tyre – e ata ishin hipokritët dhe mjeranët – u frikësoheshin idhujtarëve njësoj siç i frikësohen Allahut ose edhe më shumë dhe iknin nga lufta (fronti) duke refuzuar me fjalët: Zoti ynë, pse na e obligove këtë luftë, pse nuk e vonove obligimin e luftës për një afat tjetër sepse në luftë ka gjakderdhje, mbesin shumë jetim dhe mbesin shumë gra pa burra apo të veja.

Allahu u reagon duke u thënë: O Muhamed thuaju atyre: Jeta në këtë botë të cilën po e lakmoni aq shumë, është e shkurtër dhe kalimtare, ndërsa bota tjetër është e përgjithmonshme, ajo është më e mirë dhe më e qëndrueshme për ata të cilët e dëgjojnë Allahun dhe i zbatojnë urdhrat e Allahut dhe janë të devotshëm duke u larguar nga ajo që Allahu e urren dhe ju do të jepni llogari për veprat tuaja, nëse është vepër e mirë, shpërbleheni mirë, ndërsa nëse është vepër e keqe, ndëshkoheni dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi as sa një grimcë. O ju njerëz në përgjithësi, vdekja është çështje e vulosur së cilës nuk mund t’i ikë askush, ajo është e ndërlidhur me momentin e caktuar, as nuk mund të përshpejtohet e as nuk mund të ngadalësohet dhe kudo që të jeni në shtëpi, në treg, ose në fushëbetejë, ose në kështjella të fortifikuara, vdekja do të ju përfshijë. Melekun e vdekjes nuk mund ta pengojë asnjë pengesë, shpirti merret vetëm në momentin e paraparë. Sa luftëtari ka shpëtuar, dhe sa kanë qenë ata të cilët kanë ikur prej betejës (apo luftës) dhe kanë vdekur me shpejtësi!!

Çështja më interesante është kur disa prej hipokritëve i kanë thënë pejgamberit a.s.: Nëse të ndodhë ndonjë e mirë e luftës, ose nga fitorja e luftës, ose e furnizimit prej luftës, me ndonjë pemë, apo të korrur, apo fëmijë, (ata thoshin): Kjo është mirësi vetëm prej të mirave të Zotit, pa kurrfarë mundi dhe angazhimi, ndërsa nëse të ndodhë ndonjë e keqe, si disfata e luftës, lëndimet, vuajtjet dhe pakësim në pemë, në të korrura dhe vdekje të fëmijëve, thonë: Kjo është për shkak të mallkimit tënd o Muhamed. Kjo është për shkak se të kanë pasuar ty.

Allahu u reagon atyre duke ju thënë: Që të dyja, e mira dhe e keqja janë prej Allahut. Allahu është Krijues dhe programues i gjithçkaje ndërsa logjika e këtij populli është se nuk dëshirojnë që të kuptojnë fjalët dhe referimet dhe çështjet të cilat ndërlidhen me shkaqet e tyre.

O njeri, e mira e cila të ndodhë është prej të mirave të Allahut dhe begative të Tij dhe suksesit tënd për mirësi dhe shpëtim.

O njeri, e keqja e cila të ndodhë është për shkakun tënd, për shkak të neglizhencës dhe indiferencës tënde nga shkaku se nuk e ke trasuar rrugën e logjikës, urtësisë dhe vizionit.

Sa të përket ty o Muhamed, ti je vetëm i dërguar të cilin e kemi dërguar për njerëzit, ua transmeton ligjet dhe dispozitat e sheriatit. Ti je vetëm transmetues edhe pse të krijuarit e së mirës dhe së keqes është prej Allahut.

Mjafton që Allahu të dëshmojë të vërtetën e shpalljes tënde dhe zbatimin e detyrave tua dhe obligimeve tua.

–

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një Përgjigje