Bazë e të gjitha ligjeve të sheriatit – pa marrë parasysh se ligji apo detyrimi sheriatik a buron nga Allahu nëpërmjet tekstit të qartë apo nga i dërguari i Allahut a.s. – është Shpallja e Zotit. Ligji i Allahut dhe i të dërguarit të Tij është Një. Dëgjueshmëria ndaj të dërguarit llogaritet dëgjueshmëri ndaj Allahut Një. Unifikimi i bazës është çështje e domosdoshme në unifikimin e besimit, ligjësimit dhe të dispozitave. Kur’ani fisnik e drejton këtë parim të përgjithshëm dhe e orienton në ku ai i cili i analizon dhe studion të gjitha ajetet sheh një ndërlidhmëri në të gjitha ligjet dhe se asnjë ligj nuk bie ndesh me ndonjë ligj tjetër. Nuk kundërshtohet një ligj nga një ligj tjetër. Të gjitha ligjet e Kur’anit janë në harmoni me njëra-tjetrën edhe pse Kur’ani ka zbritur në një periodë prej njëzetetre viteve.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 80-82:
Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam roje kundër tyre. (80) Dhe thonë: “jemi të bindur”. E kur largohen prej teje, një grup prej tyre (natën) planifikon diçka tjetër nga ajo që u thua ti. Allahu shënon atë që e ndryshojnë. Mos u vë veshin atyre e mbështetu Allahut. (81) A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie. (82)
Shkaku i zbritjes së ajetit
Siç tregon Mukatili, shkak i zbritjes së ajetit është se pejgamberi a.s. thoshte. Kush më do mua, e do Allahun. Kush më dëgjon mua e ka dëgjuar Allahun. Atëherë hipokritët thoshin: A nuk po e dëgjoni çka po thotë ky njeri? Në njërën anë është bërë idhujtar, në anën tjetër neve na ka ndaluar ta adhurojmë dikë tjetër pos Allahut, ndërsa dëshiron që ta konsiderojmë Zot siç e konsiderojnë të krishterët Isën Zot. Atëherë ka zbritur ajeti: “Kush e dëgjon të dërguarin, ai veçse e ka dëgjuar Allahun.” (En-Nisa: 80)
Kur’ani famëlartë na lajmëron se dëgjueshmëria ndaj të dërguarit a.s. është dëgjueshmëri ndaj Allahut nga shkaku se urdhërues dhe ndalues në fakt është Allahu, ndërsa i dërguari është transmetues i urdhëresës dhe ndalesës, ndërsa nuk është dëgjueshmëri e qenies së tij, por është dëgjueshmëri për atë që transmeton, e Ai është Allahu i Madhërishëm.
Këtë koncept e vërtetojnë edhe ajetet tjera: “Dhe nuk flet nga dëshira e tij, por është shpallje e cila i shpallet. E ka mësuar i fuqishmi me fuqinë e Tij.” (En-Nexhm: 3-5)
Sehabet (shokët) e pyetnin për ndonjë çështje: A mos është shpallje o i dërguar apo mos është mendim i yti i lirë? Nëse ishte shpallje e dëgjonin pa hamendje. Nëse ishte mendim (njerëzor) i lirë i tij, konsultoheshin në bazë të urtësisë dhe dobisë së atij mendimi, e ndonjëherë i dërguari i Allahut a.s. e pranonte mendimin e shokëve të tij, ashtu siç ka ndodhur në betejën e Bedrit dhe Uhudit.
Kush kundërshton dhe refuzon të dërguarin, ai ka humbur dhe ka dështuar. O pejgamber, mos u merakos për ta, ti je vetëm transmetues (kumtues), ti nuk je imponues. Ty nuk të kemi dërguar monitorues dhe përgjegjës për dëgjueshmërinë e tyre.
Mirëpo hipokritët, para të dërguarit haptazi thoshin: E dëgjojmë urdhrin tënd, ne jemi të dëgjueshëm, mirëpo kur largoheshin nga vendi ku qëndron ti, të kundërshtojnë dhe gjatë natës planifikojnë në mes vete një mendim krejtësisht tjetër, mirëpo nuk ta tregojnë ty. Allahu i shkruan dhe i regjistron se çka bisedojnë fshehurazi gjatë natës dhe e mbajnë sekret, ne do t’i ndëshkojmë për veprimet e tyre. Mos u mërzit për ta, por sillu me kujdes me ta dhe qëndro larg kritikave të tyre, mbështetju Allahut dhe çështjen tënde lëre në kompetencë të Tij. Të mjafton Allahu, për t’u mbrojtur nga e keqja e tyre. Mjafton që Allahu të jetë ndihmëtari yt, përkrahës dhe përkujdesës i çështjeve të atij i cili mbështetet te Ai dhe kthehet te Ai.
Hipokritët devijantë, injorantë dhe shkurtpamës, të verbër ndaj esencës së pejgamberisë dhe shpalljes. Po a nuk mund t’i analizonin dhe t’i studionin kuptimet e Kur’anit dhe shprehjet e mrekullueshme të tij. Ka mjaftuar që Kur’ani t’i përmirësojë gabimet e tyre dhe rrugën e tyre. Kur’ani ju ka treguar se nuk ka kundërthënie në Kur’an, nuk ka lajthitje dhe nuk ka mospajtime brenda Kur’anit nga shkaku se është libër i zbritur nga i Urti, i Mençuri. Është i vërtetë nga i Vërteti. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 82:
A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie. (82)
Po të ishte Kur’ani i dikujt tjetër pos Allahut, ashtu siç pretendojnë idhujtarët dhe hipokritët fshehtazi, do të gjenin në të kundërthënie të shumta, pra mospërputhje dhe kontradikta të shumta. Kur’ani është i garantuar dhe i siguruar nga kontradiktat nga ajo se është prej Allahut të Madhërishëm.
Sigurimi i Kur’anit nga kundërthëniet përfshinë:
-Sigurimin shprehimorë dhe
– Sigurimin kuptimorë.
Shprehjet janë të nivelit të lartë sintaksorë.
Kuptimet në çështjet e besimit, ligjeve, moralit dhe çështjeve shoqërore, ekonomike dhe politike i shërbejnë një qëllimi dhe kanë vetëm një qëllim, ndërtimin e një shoqërie (umeti) dhe pikësynon realizimin e një suksesi. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Është e vërtet se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra: 9)
Po ashtu i Madhërishmi ka thënë:
“Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (Ez-Zumer: 23)
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani