Islami i pastër përkujdeset për pastrimin e secilit njeri, si nga aspekti i jashtëm ashtu edhe nga aspekti i brendshëm. Ashtu siç ka ndaluar keqpërdorimin e pasurisë së jetimit (me padrejtësi), vrasjen e njeriut, të cilat janë dukuri (vepra) të jashtme, për të pastruar anën e jashtme dhe konkrete, njësoj ka ndaluar edhe atë çka gjendet në brendi të shpirtit prej sëmundjeve të brendshme të dëmshme si f.v., zilia, urrejtja, nënçmimi, etj., po ashtu ka ndaluar lakminë, begatitë dhe të mirat të cilat i posedon ndonjë njeri tjetër, me çështje të cilat Allahu i ka dalluar disa individ nga të tjerët siç janë: fama dhe pasuria. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 32:
Mos lakmoni në atë, që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. Allahut kërkoni nga të mirat e Tij. Allahu është i dijshëm për çdo send. (32)
Ky ajet ka zbritur për shkak:
– Të grave të cilat kanë thënë: Mjerë për ne, po të ishim të barabarta me meshkujt në trashëgimi, të merrnim pjesë në luftëra ose në xhihad, ndërsa:
– Të burrave të cilët kanë thënë: Sikur të kishim në botën tjetër fatin shtesë nga gratë ashtu siç kemi në këtë botë, atëherë ka zbritur ky ajet.
Ibn Abasi ka thënë: Shkon gruaja e pejgamberit a.s. te pejgamberi i Allahut dhe i thotë: O i dërguar i Allahut, mashkulli të merr pjesë më shumë se dy femra, dëshmia e dy grave e barabartë me dëshminë e një burri. A është e njëjtë edhe në veprime? Ashtu që nëse një grua e kryen një vepër dhe për atë vepër ka gjysmë shpërblimi? Atëherë ka zbritur ajeti:
“Mos lakmoni në atë, që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë.” (En-Nisa: 32)
Nga shkaku i zbritjes së ajetit shihet se në zemrën e njeriut mbizotëron lakmia. Gruaja dëshiron që të jetë e barabartë me burrin në çdo gjë edhe pse nga natyrshmëria njerëzore ndryshon prej burrit edhe pse bëhet padrejtësi dhe prishet kandari për përkujdesje dhe për shpenzim të familjes me ligj sepse burri është i obliguar të jetë bartës për furnizimin e familjes, ndërsa gruaja nuk është përgjegjëse për furnizimin e familjes.
Duke u bazuar në atë se ligji parasheh drejtësi në mënyrën e vet, Allahu i Madhërishëm na ka ndaluar që çdo njeri, pa marrë parasysh a është mashkull apo femër që të lakmon atë që Allahu e ka dalluar ndaj të tjerëve, bile është obligim që secili nga ta të punojë, të fitojë, të prodhojë, të angazhohet, të jetë produktiv, të përsosë punën e tij, të ketë qëllim të pastër, të punojë në fushën e cila i përshtatet natyrshmërisë së tij.
Burri nga konstrukti i tij është ai i cili angazhohet. Gruaja për shkak të feminitetit të saj ka angazhime tjera, për të edukuar dhe përgatitur breza, për t’i monitoruar fëmijët për të mos devijuar. Në këtë nuk duhet pasur zili sepse ky është dallimi në mes burrit dhe gruas, dallim i cili është përcaktuar prej Allahut dhe buron nga Urtësia e Tij dhe planifikimi i Tij, nga dituria e Tij për robërit e Tij, se çka është e përshtatshme për secilin person se për çka është produktiv dhe për çka është konsumues. Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu po të zgjeronte furnizimin e Tij për robërit e Tij, ata do të bënin krime në tokë mirëpo e zbret në masë sa Do Ai. Allahu është i informuar dhe i Ditur për robërit e Tij.” (Esh-Shura: 27)
Secili njeri duhet të jetë i kënaqur me atë çka i ka përcaktuar Allahu, të mos e xhelozojë tjetrin, ngase zilia i ngjanë refuzimit të Atij i cili e ka përsosur çdo send dhe e ka përcaktuar çdo gjë. Dallimi në mes të dy gjinive, mashkullit dhe femrës, përfshinë aspektin fizik, mundësitë (kapacitetet), begatitë dhe eksperiencën. Nuk është logjike që njeriu të lakmojë të jetë sikurse tjetri i fuqishëm ose të ketë konstrukt të trupit sikurse tjetri, qoftë mashkull, qoftë femër, ose të ia merr aftësinë tjetrit. Nuk është e drejtë të kërkohet barazi në dhunti, në begati, apo në profesion si f.v., në arritje të pasurisë ose famës, që tjetri mos t’i realizoj ato, mirëpo njeriu duhet të kërkojë nga Allahu vetëm të mirën dhe begatitë e shumta: “Dhe kërkoni nga Allahu të mirat.” Allahu e di më së miri për secilin njeri se çka është e dobishme për të, nuk lejohet nga asnjëri që të lakmojë që t’i hiqet tjetrit ndonjë begati dhe të zëvendësohet në veten e tij.
“Zili” është: Të lakmosh atë që është tek të tjerët prej begative, përderisa,
“Gabta” është që te secili të ketë çka kanë të tjerët pa iu hequr prej tyre begatitë, e kjo është e lejuar. Ai (Allahu) është burim i begative dhe të mirave. Me urtësinë e Tij dhe me atë çka është e dobishme për robërit e Tij, Ai i jep cilit do dhe nuk i jep cilit do.
Pastaj Allahu i Madhërishëm porositë që t’i jepet e drejta pronarit të vet: “Ne u kemi caktuar për secilin trashëgimtarë, pjesën e pasurisë që e lënë prindërit ose të afërmit. E atyre që ju keni premtuar, jepuni pjesën e tyre. All-llahu është dëshmues mbi çdo send.” (En-Nisa: 33)
Ky ajet ka zbritur për ata të cilët i adoptonin fëmijët dhe trashëgonin pasurinë e tyre, atëherë Allahu ka zbritur ajetin për ta, që të ndajnë për ta një pjesë me testamente. Allahu ka reaguar për trashëgiminë e cila u takon të afërmve dhe familjarëve, me fjalë tjera trashëgimtarëve, dhe e ka ndaluar që i adoptuari të trashëgojë nga adoptuesi, mirëpo e ka lejuar të merr pjesë alternative nëpërmjet testamentit.
Koncepti i ajetit:
Gjithsecili trashëgon, mashkull apo femër, ata kanë të drejtë nga pasuria e të vdekurit.
Termi “Mevalij” nënkupton: prindërit, të afërmit dhe bashkëshortet.
O ju të trashëguar, jepuni të drejtën e trashëgimisë së plotë secilit pa ua pakësuar, përderisa ata të cilët i keni adoptuar – në kohën e injorancës dhe tani Allahu e ka ndaluar për ju adoptimin, ju duhet t’u jepni diçka nëpërmjet institucionit të testamentit, jo nëpërmjet institucionit të trashëgimisë.
Allahu monitoron veprimet tuaja.
Allahu është dëshmitar i punëve tuaja dhe do të ua jep meritën në Ditën e gjykimit, mos të ju mbizotërojë lakmia dhe xhelozia, ashtu që ndonjëri të merr pjesën e tjetrit në trashëgimi pa marrë parasysh se a është mashkull apo femër.
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani