SUREJA JASINË: HUTBEJA E NËNTË

Komentim në formë hutbeje e sures Jasinë

–

Ajetet 69–76:

69. Ne atij (Muhamedit) nuk i mësuam poezi, se ajo nuk i përket atij. Vërtetë ky Kur’an është përkujtim dhe Kur’an i qartë.

70. T’i tërheq vërejtjen atij që është i gjallë, e të zbatohet premtimi ndaj jobesimtarëve.

71. A nuk po shohin (ata) se Ne, për ata kemi krijuar kafshë, në të cilat vet ata hipin (i shfrytëzojnë).

72. Ua kemi nënshtruar atyre, në disa prej tyre të hipin, e në disa prej tyre ushqehen.

73. Prej tyre kanë edhe dobi tjera (e prej atyre dobive) edhe pije. A nuk po falënderojnë.

74. E, adhurojnë zota tjerë përpos Allahut, se ndoshta do të jenë të ndihmuar.

75. Ata (zota) nuk mund t’u ndihmojnë atyre. ata për ato, ata janë ushtri e verbëruar.

76. E mos të të pikëllojnë fjalët e tyre. Ne padyshim e dimë se çka fshehin e çka publikojnë.

Vëllezër të nderuar!

Kurejshitët e kuptonin se çështja që ua solli Muhamedi a.s. nuk është e rëndomtë në gjuhën e tyre.

Edhe pse e dallonin Kur’anin prej poezisë, ata, vetëm për ta luftuar fenë e re dhe Muhamedin a.s. para masës së popullit, pretendonin se Kur’ani është poezi.

Edhe sot ka pretendime se Kur’ani është poemë, poezi apo prozë, apo libër i shkruar nga njeriu.

Edhe sot ka veprime të cilat e kundërshtojnë Kur’anin duke e quajtur proverbë, përrallë e magji.

Edhe sot ka qarqe antikur’anore.

Zoti i Madhërishëm thotë:

69. “Ne atij (Muhamedit) nuk i mësuam poezi, se ajo nuk i përket atij.”

(69) Ve maa ‘al-lemnaahush-shiëre vemaa jenbegii

Ajeti tregon se Kur’ani nuk është poezi.

Allahu i Madhërishëm tregon për pozitën e Pejgamberit të Tij.

Tregon se ai është i dërguar prej Allahut.

Tregon se Pejgamberi i Tij nuk është poet.

Zoti i Madhëruar mohon se Pejgamberi e ka njohur poezinë.

Zoti nuk ia ka mësuar poezinë, sepse njeriu di vetëm atë që ia mëson Zoti xh.sh.

Allahu nuk ka lejuar që Pejgamberi i Tij të përdorte poezi, për ta larguar idenë se ajo është poezi, imagjinatë dhe thurje vargjesh.

Kur’ani Fisnik paraqet fakte dhe argumente, nuk është poezi prej ndonjë poeti.

Kur’ani nuk është as proverbë e as imagjinatë e ndonjë fallxhori.

Kur’ani nuk është as imagjinatë e ndonjë magjistari.

Vëllezër të nderuar!

Pastaj, Zoti i Madhërishëm mohon lidhjen e Pejgamberit me poezinë:

69. “…se ajo nuk i përket atij.”

vemaa jenbegii

Poezia nuk i takon Pejgamberit a.s., sepse metoda e poezisë ndryshon nga ajo e pejgamberisë.

Poezia është ndjenjë emocionale dhe njoftim për këtë ndjenjë.

Ndjenja emocionale ndryshon prej një gjendjeje në një gjendje tjetër.

Pejgamberia është në rrugë të drejtë, përcjell ligjin e pandryshueshëm të Zotit që mbizotëron në mbarë ekzistencën.

Pejgamberia është shpallje, ka metodë konstante.

Shpallja nuk ndryshon ashtu siç ndryshojnë ndjenjat dhe poezia nën ndikimin e emocioneve.

Shpallja nuk ndryshon ashtu siç ndryshojnë ndjenjat e përtërira dhe epshet urgjente, të cilat nuk janë stabile.

Pejgamberia është lidhje e përhershme me Zotin, kurse poezia është anim njerëzor.

Pejgamberia është mësim i drejtpërdrejtë nga shpallja e Zotit, kurse poezia është anim njerëzor kah bukuria me forma dhe parafytyrime të kufizuara, për shkak të kufizimit të njohurive dhe prirjeve të njeriut.

Natyra e pejgamberisë dhe ajo e poezisë ndryshojnë që në esencë.

Poezia është ndjenjë që ngrihet prej toke, kurse pejgamberia në esencë është udhëzim i zbritur nga qielli.

Allahu nuk i ka mësuar Pejgamberit të Tij poezi dhe nuk ka nevojë për poezi prej tij.

Pejgamberi nuk thurte poezi, por përkundrazi, në të shumtën e rasteve kur fliste nuk përdorte rima, por transmetonte vetëm kuptimin e fjalëve.

Vëllezër të nderuar!

Kur’ani nuk është poezi, përkundrazi është mësim i mësimeve.

Kur’ani nuk është poezi, përkundrazi është këshillë e këshillave dhe Libër i Zotit.

Zoti i Madhërishëm thotë:

69. “…Ai (Kur’ani) nuk është tjetër veçse këshillë…”

lehu in huve il-laa dhikrun

Këshilla dhe Kur’ani janë dy cilësi të një çështjeje:

  • Këshillë sipas funksionit; dhe
  • Kur’an sipas leximit.

Kur’ani është këshillë e Zotit për në zemër dhe Kur’an për shkak se lexohet me gjuhë.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

69. “…dhe Kur’an i qartë.”

…ve kur’aanun mubiin.

Kur’ani është i qartë për atë i cili e analizon dhe e studion.

Kur’ani është i qartë për atë i cili udhëzohet në jetë me programin e tij.

Vëllezër të nderuar!

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

70. “Për t’i tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë…”

(70) Lijundhire men kaane hajjen

Specifikat e misionit pejgamberik janë:

Këshillues; dhe

Për t’ia tërhequr vërejtjen çdo njeriut i cili e ka zemrën e gjallë dhe është vizionar;

Për t’ia tërhequr vërejtjen çdo njeriut i cili nuk është i vdekur me pabesimin e tij, përmes paraqitjes së fakteve, njohurive për ato fakte dhe vërtetimit të atyre fakteve.

Shumë njerëz ecin në tokë, por janë të vdekur.

Shumë njerëz veshin rrobat e të gjallëve, por janë të vdekur.

Janë të vdekur dhe jetojnë jetë rrenash.

Janë të vdekur sepse nuk kanë ndjenja, nuk dinë dhe nuk kuptojnë.

E sheh të gjallë, por në fakt është i vdekur, sepse zemrën e ka të vdekur.

Ata, kurejshitët, e kanë mohuar Pejgamberin edhe pse kanë jetuar në mesin e tij për dyzetë vjet. Edhe pse është shoqëruar me ta, zemrat e tyre kanë qenë të vdekura. Kanë qenë të forta si guri, siç e përshkruan Zoti:

“Ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj;

Ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë;

Ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës).” (El Bekare, 74)

Ka gurë të cilët përfitojnë jetë nga uji i jetës.

Kur’ani mosbesimin e bën vdekje, kurse aftësinë e zemrës për besim, jetë.

Kur’ani e vë mosbesimin përballë jetës.

Funksioni i Kur’anit është për t’ia tërhequr vërejtjen të gjallit sepse në të ka sukses, kurse mosbesimtarët janë të vdekur dhe nuk e dëgjojnë tërheqjen e vërejtjes.

Besimtarë të nderuar!

Kur’ani është i zbritur për të kryer një funksion të posaçëm:

Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend e me zemër); dhe

Dënimi të jetë meritor për jobesimtarët.

Zoti i Madhërishëm thotë:

70. “…e të zbatohet premtimi ndaj jobesimtarëve.”

…ve jehikkal kavlu ‘alel kaafiriin.

Specifikë e misionit pejgamberik është se u konfirmohet dënimi pabesimtarëve dhe se ata do të dënohen në Xhehenem përgjithmonë.

Kjo nëse nuk i marrin parasysh vërejtjet dhe paralajmërimet, si dhe nuk i pranojnë faktet dhe argumentet.

Sa u përket këtyre, detyra e Kur’anit është të regjistrojë meritën për dënim, sepse Allahu nuk e dënon askënd derisa t’i vijë shpallja e pastaj vendos e shkatërron pa argument e pa falje!

Kështu i mëson njerëzit se ata para këtij Kur’ani janë në dy grupe:

  • Grupi që përgjigjet e që është i gjallë; dhe
  • Grupi që nuk përgjigjet e që është i vdekur.

Besimtarë të nderuar!

Shenja e Zotit është e qartë para tyre, nuk është e fshehtë, as e largët.

Shenja e Zotit nuk është e pakuptuar.

Zoti i Madhërishëm thotë:

71. “A nuk po shohin (ata) se Ne, për ata, kemi krijuar nga ajo që e punuan duart Tona kafshë, të cilat i sundojnë (i shfrytëzojnë)?”

(71) Evelem jerev enna haleknaa lehum mim-maa ‘amilet ejdiinaa en’aamen fehum lehaa maalikuun.

Mbarështimi i kuajve: kjo lëmi merret me kultivimin e kalit si kafshë shtëpiake. Ndahet në:

  • Mbarështimin e kuajve për kalërim;
  • Mbarështimin e kuajve për pesha të lehta;
  • Mbarështimin e kuajve për pesha të rënda (tërheqje).

Besimtarë të nderuar!

Begatitë e bagëtive janë të shumta: më e rëndësishmja është se kafshët shtëpiake u nënshtrohen dhe e dëgjojnë njeriun, ashtu që:

Disa prej tyre i përdorin si mjete transportuese për vete dhe për mallrat e tyre; ndërsa

Disa prej tyre i përdorin për mish dhe produkte mishi.

Prej tyre ka edhe dobi të tjera, përpos përdorimit për transport dhe për konsumim mishi, si p.sh.: shfrytëzimi i leshit të tyre, i lëkurave të tyre, i brirëve të tyre. Po ashtu i ka bërë që të jenë burim i qumështit, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

72. “Ua kemi nënshtruar atyre; në disa prej tyre hipin, e me disa prej tyre ushqehen.”

(72) Vedhel-lel naahaa feminhaa rekuubuhum ve minhaa jeëkuluun.

Rritja e kafshëve shtëpiake bëhet me qëllim të përfitimit të të mirave materiale.

Blegtoria merret me rritjen e kafshëve shtëpiake për të ushqyer njerëzit.

Blegtoria merret me lëndë të para të ndryshme, plehun e stallës etj.

Aty janë kafshët që i krijoi Zoti për ta dhe i bëri në shërbim të njerëzve: u hipin, i hanë, pinë qumështin e tyre etj.

E gjithë kjo është me fuqinë dhe krijimin e Zotit.

Ai i krijoi karakteristikat specifike të njerëzve dhe të kafshëve.

Ai i aftësoi njerëzit t’i nënshtrojnë, t’i shfrytëzojnë dhe të kenë dobi prej tyre.

Kafshët i krijoi për t’i plotësuar nevojat e njeriut.

Njerëzit s’kanë aftësi të krijojnë diçka nga e gjithë kjo, bile as edhe një mizë!

Ata nuk mund ta nënshtrojnë as edhe një mizë, sepse Zoti nuk i ka dhuruar asaj karakteristika të tilla…

Pejgamberët kanë qenë barinj. Musai a.s. ka qenë bari. Shuajbi a.s. ka qenë bari. Edhe Muhamedi a.s. ka qenë bari. 

Mjaftojnë këto ajete që të jenë përgjigje e prerë ndaj besimit të idhujtarëve, mirëpo Allahu Famëlartë, me Urtësinë e Tij, ka përmendur shumë herë, ka përsëritur konceptet dhe ka paraqitur argumente të shumta në raste të ndryshme.

Kjo, që askush të mos ketë arsye për të mbetur në devijimin e vet dhe në idhujtarinë e vet.

Këto ajete dëshmojnë Njëshmërinë e Allahut, fuqinë absolute të Tij.

Në këto ajete sqaron mirësitë e shumta të Tij për robërit e Tij.

Me këto mirësi Zoti motivon për vepra të mira dhe që t’i kujtojnë begatitë e Allahut, si dhe nxit për të dëshmuar Njëshmërinë e Tij e për të respektuar fjalën e Tij në Kur’anin Famëlartë.

Besimtarë të nderuar!

Njerëzit duhet të falënderojnë Zotin për të mirat.

Zoti i Madhërishëm thotë:

73. “Prej tyre kanë edhe dobi të tjera, si dhe pije. A nuk po falënderojnë?!”

(73) Velehum fiihaa menaafi’u ve meshaaribu efelaa jeshkuruun.

Nëse njeriu e vëren këtë fakt nga ky prizëm që theksohet në Kur’an, atëherë do të bindet se është i rrethuar plot me begati nga Zoti.

Do të bindet me begatitë që gjenden rreth e përqark tij.

Çdo herë kur i hipën kafshës, e ndien në vete mëshirën dhe begatinë e Zotit.

Çdo herë kur konsumon mish, e ndien në vete mëshirën dhe begatinë e Zotit.

Çdo herë kur konsumon produktet e qumështit (p.sh. kos, gjalpë, djathë), e ndien në vete instinktivisht ekzistencën e Krijuesit.

Çdo herë kur vesh rroba nga leshi, lëkura etj., e ndien mëshirën dhe begatinë e Krijuesit të Madhëruar.

Këtë njeriu e përjeton në çdo gjë që e prek me dorë rreth vetes dhe në çdo gjë që e shfrytëzon në këtë gjithësi, qoftë e gjallë apo jo.

Kështu, tërë jetën i falënderohet Allahut dhe e adhuron natë e ditë.

Për të gjitha këto mirësi, pse nuk po e falënderojnë Krijuesin e tyre?!

Për të gjitha këto mirësi, pse nuk po e falënderojnë Atë i cili ua ka nënshtruar e i ka bërë për ta, si dhe ua ka mundësuar që të kenë dobi të shumta prej tyre?!

Falënderimi shprehet:

  • Duke e adhuruar Allahun;
  • Duke e respektuar Allahun; dhe
  • Duke hequr dorë nga idhujtaria.

Këtu vërejmë motivim për të falënderuar Krijuesin e atyre mirësive dhe për të qenë mirënjohës për ato mirësi.

Vëllezër të nderuar!

Pabesimtarët kurejshitë kanë refuzuar ta kryejnë obligimin e falënderimit për mirësitë e Zotit.

Pabesimtarët kurejshitë i kanë mohuar mirësitë e Allahut.

Edhe sot ka njerëz të cilët i mohojnë mirësitë prej Zotit dhe nuk falënderojnë.

Por njerëzit nuk falënderojnë, bile disa prej tyre këto i kanë marrë si zota përveç Allahut. Zoti i Madhërishëm thotë:

74. “E, adhurojnë zota të tjerë përpos Allahut, se ndoshta do të jenë të ndihmuar.”

(74) Vettehadhuu min duunil-laahi aaliheten le’al-lehum junsaruun.

Pabesimtarët kurejshitë adhuronin idhuj në vend të Allahut, me qëllim që të ndihmoheshin prej tyre.

Sipas pretendimit të idhujtarëve, ata idhuj ndërmjetësonin për t’i afruar sa më afër te Zoti.

Duhet ditur se ato adhurime nuk sjellin kurrfarë dobie.

Idhujt as nuk mund t’u ndihmojnë adhuruesve të tyre, e as vetvetes, përkundër asaj se ata ishin ushtri e cila i dëgjonte dhe i respektonte ata.

Idhujtarët u shërbejnë idhujve dhe u ndihmojnë atyre, si dhe hidhërohen për ta. Pra, ata janë gardianë besnikë të tyre.

Kur Zoti i Madhërishëm thotë: “E, adhurojnë zota të tjerë përpos Allahut, se ndoshta do të jenë të ndihmuar”, i drejtohet Muhamedit a.s., i cili u gjend ballë për ballë me ata të cilët besojnë zota të tjerë përveç Allahut, nuk falënderojnë e as që e përmendin Zotin, me qëllim që të qetësohet.

Besimtarë të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

75. “Ata (zota) nuk mund t’u ndihmojnë atyre, por ata vetë do të jenë ushtri e gatshme kundër tyre.”

(75) Laa jestetii’uune nesrehum ve hum lehum xhundun muhdaruun.

Në të kaluarën, zota ishin putat, idhujt, drunjtë, yjet, engjëjt, xhinët.

Idhujtaria edhe sot e kësaj dite ekziston në disa vise të tokës.

Nuk do të thotë se ata të cilët nuk i adhurojnë këto puta janë të sinqertë ndaj monoteizmit; përkundrazi, idhujtaria e tyre sot paraqitet në besimin në forca të rreme përpos forcës së Zotit dhe në mbështetjen në gjëra të tjera përpos mbështetjes në Zotin xh.sh.

Idhujtaria është e llojllojshme dhe ndryshon me ndryshimin e kohës.

Idhujtaria është e llojllojshme dhe ndryshon me ndryshimin e vendit.

Ata i adhuronin ata zota me qëllim që të fitojnë, mirëpo ndodhte e kundërta: ata i mbronin zotat e tyre nga sulmi eventual i armikut ose nga dëmtuesit; pra, ata ishin bërë ushtri e gatshme e tyre për t’i mbrojtur. 

Ky ishte kulmi i konceptit dhe i mendimit të marrë, mirëpo edhe sot e kësaj dite shumica e njerëzve nuk largohen nga kjo marrëzi; pra ka ndryshuar vetëm forma e idhujtarisë.

Ata të cilët i hyjnizojnë sot tiranët nuk dallohen shumë nga adhuruesit e atyre idhujve.

Ata të cilët i hyjnizojnë sot diktatorët nuk dallohen shumë nga adhuruesit e atyre idhujve.

Këta janë ushtarë të gatshëm për diktatorët; ata mbrojnë edhe ata, edhe tiraninë e tyre, e në të njëjtën kohë u përkulen!

Idhujtaria me të gjitha format e saj mbetet idhujtari.

Kudo që tronditet besimi i sinqertë monoteist, vijon idhujtaria dhe injoranca!

Njerëzimin e mbron vetëm monoteizmi i sinqertë, i cili ia kushton hyjninë, adhurimin, animin, mbështetjen, nënshtrimin dhe madhërimin vetëm Zotit xh.sh.

Përfundim

Brenga e Pejgamberit a.s. nuk ishte që ta vërtetonte atë se ai kishte të drejtë, por qëllimi i tij ishte të udhëzonte njerëzimin.

Allahu e inkurajon Pejgamberin e Tij për pengesat me të cilat ballafaqohej nga populli i tij gjatë thirrjes së tij.

Allahu e inkurajon Pejgamberin e Tij për pengesat të cilat ishin të llojllojshme.

Allahu e inkurajon për pengesat e llojllojshme me të cilat ballafaqohet çdo njeri nga populli, ku thotë:

76. “E mos të të pikëllojnë fjalët e tyre. Ne padyshim e dimë se çfarë fshehin e çfarë publikojnë.”

(76) Felaa jehzunke kavluhum, innaa ne’alemu maa jusirr-rruune  ve maa juëlinuun.

O Pejgamber, mos u brengos për atë se të përgënjeshtrojnë!

O Pejgamber, mos u brengos për atë se e mohojnë Allahun!

Mos u brengos nga thëniet e tyre shpifëse se: “Këta janë zotat tanë, këta janë ortakë me Allahun, të cilët meritojnë adhurim”, sepse Allahu e di çdo gjë për ta: atë që shfaqin haptazi dhe atë që mbajnë sekret.

Mos u brengos nga thëniet e tyre, sepse Allahu e di se çfarë i gëzon kur të sulmojnë ty.

Mos u brengos nga shpifjet; Allahu e di se si do të dënohen.

Ju, vëllezër besimtarë, mos u brengosni për shpifjet e të tjerëve, se Allahu sheh, dëgjon dhe di për shpifjet e trillimet e të tjerëve ndaj jush.

–

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment