SUREJA JASINË: HUTBEJA E DHJETË

Komentim në formë hutbeje e sures Jasinë.

–

Ajetet 77–83:

77. A nuk po e sheh njeriu se ne e kemi krijuar nga një pikë lëngu, e ai bëhet kundërshtar i hapur.

78. Na sjell neve shembull, e, e harron krijimin e vet nga Krijuesi e thotë: “Kush i ngjallë eshtrat, pasi që janë të kalbur”.

79. Thuaj: “Ato i ngjallë Ai i cili i ka krijuar për të parën herë. Ai  njeh mirë çdo gjë që ka krijuar”.

80. Ai i cili nga druri e bën të mundshëm që ju të ndizni zjarrin.

81. A nuk është po Ai i cili ka krijuar qiejt dhe tokën (pa pasur mostër paraprake) e të mos ketë mundësi të krijojë ngjashëm si ata. Po si jo! Ai është Krijuesi i Gjithëdijshëm.

82. Çështja e Tij (Allahut) pa dyshim është se kur të dëshiron të krijoj diçka vetëm thotë: “Bëhu” dhe menjëherë bëhet.

83. I lartë është Ai që në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm te Ai ktheheni.

Besimtarë të nderuar!

Pejgamberi a.s. vazhdimisht ua kujtonte pabesimtarëve ringjalljen.

Disa idhujtarë kokëfortë e mohonin ringjalljen.

Edhe sot ka njerëz të cilët e mohojnë ringjalljen.

Idhujtarët publikonin mohimin e tyre për ringjalljen dhe për botën tjetër.

Edhe sot ka të tillë të cilët e publikojnë çështjen e mohimit të ringjalljes në botën tjetër.

Prej mesit të idhujtarëve të cilët e mohonin ringjalljen ishte As bin Vaili.

As bin Vaili ka shkuar te Pejgamberi a.s. me një kockë të kalbur dhe i ka thënë: “O Muhamed, a kjo mund të ngjallet pasi është kalbur?!”

Muhamedi a.s. thotë: “Po! Allahu e ringjall këtë.”

Pastaj prapë i ka thënë: “Po! Allahu bën që ti të vdesësh, pastaj të ngjall, pastaj të dërgon në zjarr të Xhehenemit.”

Duke përshkruar këtë ngjarje dhe duke i kthyer përgjigje thënësit, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: ‘Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur?’”

Pastaj, për këtë rast ka zbritur ajeti:

77. “A nuk po e sheh njeriu se Ne e kemi krijuar nga një pikë lëngu, e ai bëhet kundërshtar i hapur?”

78. Na sjell neve shembull, e, e harron krijimin e vet nga Krijuesi e thotë: “Kush i ngjallë eshtrat, pasi që janë të kalbur”.

 (77) Evelem jerel insaanu ennaa haleknaahu min nutfetin fe idhaa huve hasiimun mubiin.

(78) Ve darebe lenaa methelen ve nesije halkahuu kaale men juhjil ‘idhaame ve hije remiim.

Kështu Kur’ani paraqet krijimin dhe zhvillimin e njeriut ashtu siç e sheh njeriu në përditshmërinë e jetës së tij.

Njeriu e sheh këtë me sytë e tij për çdo ditë, mirëpo nuk e shikon me vëmendje argumentin e tij për ringjallje.

Njeriu e sheh këtë me shqisat e veta, mirëpo nuk e pranon premtimin e Zotit si të vërtetë për ringjallje pas vdekjes. Për këtë arsye Zoti i Madhërishëm thotë: “A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pikë uji kur qe, ai, kundërshtar i rreptë!”

A nuk po e di çdo njeri se Allahu e ka filluar krijimin e njeriut nga një ujë i dobët, nga një lëng i dobët?

“Pika e ujit”, për të cilën s’mund të dyshojë njeriu se është burim i tij i afërt, është një pikë uji e pavlefshme e që ka mijëra qeliza, prej të cilave vetëm një zhvillohet në embrion, e pastaj bëhet njeri që polemizon me Zotin e tij si dhe kërkon prej Tij fakt e argument për Zotin.

“Pika e ujit” është një pikë uji e pavlefshme e pastaj bëhet njeri që polemizon me Zotin e tij si dhe kërkon prej Tij fakt e argument për ringjalljen e njeriut.

“Pika e ujit”, e cila ka mijëra qeliza prej të cilave vetëm një zhvillohet në embrion, pastaj bëhet njeri që kundërshton Zotin e tij si dhe kërkon prej Tij fakt.

Njeriu ka qenë pikë uji e pastaj Zoti e ka bërë njeri të plotë, e pas gjithë kësaj ai e mohon Krijuesin dhe fillon të debatojë padrejtësisht, derisa tregohet kinse është intelektual.

Kjo pikë e ujit a u jep trupit të kalbur e të copëtuar fuqi?

Kjo pikë e ujit a u jep eshtrave të kalbur e të copëtuar jetë?

Kjo pikë e ujit a u jep mishit të kalbur e të copëtuar vlerë?

A s’është i aftë Ai që e shndërroi këtë pikë uji në njeri dhe njeriun në kundërshtar të rreptë t’i shndërrojë edhe eshtrat e kalbura në një krijesë të gjallë e të re?

Mohuesi i ringjalljes pse nuk po argumentohet me fillimin e krijimit të krijesave, se kanë mundësi prapë të rikrijohen?

Çështja e së krijuarës është që të jetë falënderuese për mirësitë.

Çështja e së krijuarës është që ta njohë Krijuesin e tij të fuqishëm e jo të debatojë pa të drejtë.

Çështja e së krijuarës është të mos dyshojë në mundësinë e Allahut për ta ringjallur atë edhe një herë tjetër.

Mohuesi i ringjalljes harron:

  • Ose për shkak të harresës psikologjike;
  • Ose për shkak se dëshiron që ta harrojë me qëllim.

Besimtarë të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

79. Thuaj: “Ato i ngjall Ai i cili i ka krijuar për të parën herë.”

(79) Kul juhjiihel-ledhii enshe-ehaa evvele merr-rretin

Allahu i Madhërishëm i përgjigjet: O Pejgamber, këtij idhujtari i cili e mohon ringjalljen, thuaji: Allahu e ngjall kockën e kalbur, i Cili e ka filluar krijimin e saj për herë të parë nga asgjëja, bile pa ekzistuar fare, dhe atëherë kur as që i është përmendur emri.

Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë, pa marrë parasysh a është e plotë apo e shpërndarë në ekzistencë.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

79. “…Ai njeh mirë çdo gjë që ka krijuar.”

ve huve bikul-li halkin ‘aliim.

Nga dituria e Zotit nuk mund të fshihet asgjë kudo që të jetë ajo e krijuar, qoftë në tokë, qoftë në det.

Nga dituria e Zotit nuk mund të fshihet asgjë kudo që të jetë ajo e krijuar, qoftë në brendi të gjallesave ose qoftë e përzier me dhe.

Nga dituria e Zotit nuk mund të fshihet asgjë kudo që të jetë ajo e krijuar, qoftë në shkretëtirë, qoftë nën pyje të dendura.

Nga dituria e Tij nuk mund të fshihet asgjë kudo që të jetë ajo e krijuar, qoftë mbi dhe, qoftë nën dhe.

Besimtarë të nderuar!

Argument për mundësinë e ringjalljes është se Zoti, lisin e ka krijuar prej ujit, derisa është bërë i njomë dhe i gjelbër, e pastaj bëhet i thatë, të cilin njerëzit e bëjnë lëndë djegëse të zjarrit.

A nuk formohet zjarri prej drurit?!

Zoti i Madhërishëm qartëson më tepër natyrën e fuqisë krijuese dhe krijimin e saj në bazë të asaj që e kanë para dhe prapa tyre, ku thotë:

80. “Ai i cili bëri që prej drurit të gjelbër të bëhet zjarri, e ju prej tij ndizni.”

(80) El-ledhii xhe’ale lekum minesh-shexheril ehdari naaren fe idhaa entum minhu tuukiduun.

Shikimi i parë e i rëndomtë e konfirmon me sinqeritet këtë çudi, gjegjësisht çudinë përreth së cilës kalojnë pa e vërejtur.

Është çudi se druri i gjelbër e i mbushur me ujë, në bazë të fërkimit formon zjarrin, e pastaj edhe vetë digjet pas gjelbërimit dhe lagështisë.

Njohja e thellë shkencore mbi natyrën e energjisë që është e deponuar në drurin e gjelbër nga thithja e energjisë diellore dhe që ruhet në të edhe pse është përplot ujë e gjelbërim dhe që formon zjarrin nga fërkimi ashtu siç formohet edhe gjatë djegies, e qartëson edhe më shumë këtë çudi para syve.

Krijuesi është Ai i cili ia dhuroi drurit këto karakteristika dhe i cili krijoi çdo gjë e pastaj e udhëzoi, mirëpo pasi që ne nuk i shohim syçelë këto gjëra e as që i analizojmë me vëmendje, ato nuk na zbulojnë fshehtësitë e veta të çuditshme dhe nuk na tregojnë Krijuesin e ekzistencës.

Sikur t’ua hapnim zemrat tona, atëherë do të na zbulonin fshehtësitë e veta dhe do të bashkëjetonim në adhurim e madhërim të përhershëm!

Ai i cili ka mundësi që ta transformojë nga elementi i njomë në element të nxehtësisë, Ai po ashtu ka mundësi edhe të vdekurën ta rikthejë të gjallë.

Ai i cili ka mundësi që të njomën ta rikthejë në të thatë, po ashtu ka mundësi edhe të vdekurën ta rikthejë të gjallë.

Kjo sepse transformuesi i të gjitha këtyre është fuqia e Zotit. 

Besimtarë të nderuar!

Pastaj vazhdon pasqyrimin e argumenteve të fuqisë dhe detajizimin e çështjes së krijimit dhe ringjalljes të të gjithë njerëzve.

Ai argument është krijimi i qiejve dhe tokës pa mostër paraprake, ku Zoti i Madhërishëm thotë:

81. “A nuk është po Ai i cili ka krijuar qiejt dhe tokën (pa pasur mostër paraprake) e të mos ketë mundësi të krijojë ngjashëm si ata?”

(81) Evelejsel-ledhii halekas semaavaati vel erda bikaadirin ‘alaa en jehluka mithlehum belaa

Ai i cili ka krijuar shtatë qiejt dhe çfarë ka në mesin e tyre, siç janë yjet, korridoret dhe rrugët qiellore — këto janë krijesa më të mëdha se krijimi i njeriut dhe rikrijimi i asaj kocke — Ai ka mundur të krijojë njeriun. Po ashtu Ai ka mundësi që trupat edhe një herë t’i kthejë në jetë; kjo është më e vogël dhe më e lehtë se krijimi i qiejve.

Ai i cili ka krijuar tokën dhe çfarë ka nën të, duke filluar nga mineralet, thesaret, malet dhe lumenjtë, kodrinat — këto janë krijesa më të mëdha se krijimi i njeriut dhe rikrijimi i asaj kocke — Ai ka mundur të krijojë njeriun. Po ashtu Ai ka mundësi që trupat edhe një herë t’i kthejë në jetë; kjo është më e vogël dhe më e lehtë se krijimi i tokës.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

81. “Po, si jo! Ai është Krijuesi i Gjithëdijshëm.”

ve huvel hal-laakul ‘aliim.

Allahu është Krijimtar, ka krijuar gjithçka.

Allahu është i Ditur, ka dituri gjithpërfshirëse.

Qiejt dhe toka janë krijime të çuditshme, të mëdha dhe të përpikta.

Kjo është toka në të cilën jetojmë e i shoqërojmë miliona lloje e lloje, pastaj nuk e njohim të vërtetën e saj, kurse ajo që e njohim deri më sot është shumë e paktë.

Kjo tokë është një planet i vogël prej planetëve të diellit dhe jeton nën dritën dhe energjinë e tij.

Ky diell është një prej miliona trupave qarkullues, të cilët përbëjnë botën tonë të afërt.

Në gjithësi ka edhe qarkullime të tjera apo botë të tjera të ngjashme me galaktikën tonë, të cilat, sipas astronomëve, janë afër me miliona në numër.

Ata presin që të zmadhohet ky numër pas zmadhimit të teleskopëve.

Mes galaktikës sonë dhe ndonjë galaktike tjetër ka përafërsisht qindra mijëra vjet dritë.

Kjo është një pjesë e vogël e njohurive tona të kufizuara!

Çdo diell prej diejve të panumërt ka galaktikën e vet dhe shumica prej tyre kanë satelitët e vet që rrotullohen rreth tyre, ashtu siç rrotullohet toka rreth diellit…

Të gjitha këto lëvizin me precizitet dhe përpikëri të plotë dhe në asnjë çast nuk ndalen e as nuk ngatërrohen, sepse në të kundërtën shkatërrohet gjithësia e përgjithshme dhe ndeshen këta trupa të mëdhenj që lundrojnë në atmosferën e gjerë.

Nuk bëjmë përpjekje ta paraqesim ose ta paramendojmë këtë gjithësi të gjerë, në të cilën lundrojnë miliona e miliona trupa qiellorë, sepse një gjë e tillë e habit mendjen!

“A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata?”

Si mund të krahasohen njerëzit me këto krijime të mëdha e të çuditshme? 

Besimtarë të nderuar!

Zoti i Madhëruar krijon çdo gjë pa mundim e lodhje dhe s’ka dallim mes krijesës së madhe dhe asaj të vogël:

82. “Çështja e Tij (Allahut) pa dyshim është se kur të dëshirojë të krijojë diçka, vetëm thotë: ‘Bëhu!’ dhe ajo menjëherë bëhet.”

(82) Innemaa emruhuu idhaa eraade shej-en en jekuule lehuu kun fejekuun.

Çështja e fuqisë së Zotit në krijimin e çështjeve është çështje shumë e lehtë. Kjo sepse kur dëshiron diçka vetëm thotë “bëhu” dhe ajo me shpejtësi bëhet, dhe kjo pa pasur nevojë për diçka tjetër.

Ky send bëhet qiell dhe tokë, mushkonjë dhe thnegël!

Kjo apo ajo, të gjitha janë të njëjta para fjalës: “Bëhu!”

Ato menjëherë bëhen!

Aty s’ka vështirësi apo lehtësi, afërsi apo largësi…

Mjafton të dëshirojë krijimin e ndonjë sendi, pa marrë parasysh se ç’është!

Përfundim

Përfundimi i sures Jasinë është përfundimi se çdo gjë kthimin e ka te Zoti.

Zoti i Madhërishëm thotë:

83. “I lartë është Ai që në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm te Ai ktheheni.”

(83) Fe subhaanel-ledhii bijedihii melekuutu kul-li shej-in ve ilejhi turxhe’uun.

Allahun duhet lavdëruar dhe duhet lartësuar nga çdo gjë që nuk i takon Atij.

Allahu posedon të gjitha atributet e përsosura.

Allahu mbizotëron çdo gjë.

Allahu ka mundësi për çdo gjë në ekzistencë.

Zoti vepron çfarë dëshiron, dhe vetëm tek Ai kthehen të gjithë robërit pas ringjalljes në botën tjetër, dhe çdo njeri e vlerëson në bazë të punës së tij.

Njerëzve nuk u mbetet gjë tjetër pos që të besojnë në Njëshmërinë e Tij.

Njerëzve nuk u mbetet gjë tjetër pos që të besojnë në fuqinë absolute të Tij në krijimin e botës tjetër.

Allahu është Ai i cili i ka krijuar kafshët për njerëzit;

Allahu është Ai i cili e ka krijuar njeriun prej një pikë uji, prej sperme, i ringjall eshtrat e kalbura ashtu siç i ka krijuar për herë të parë; po Ai ka pushtetin mbi çdo send në këtë ekzistencë;

Allahu është Ai i cili e ka formuar zjarrin prej drurit të gjelbër; po Ai ka pushtetin mbi çdo send në këtë ekzistencë;

Allahu është Ai i cili i ka krijuar qiejt dhe tokën; po Ai ka pushtetin mbi çdo send në këtë ekzistencë.

Po, Ai ka pushtetin mbi çdo send në këtë ekzistencë!

Termi “pushtet” në këtë formë e zmadhon dhe e madhëron të vërtetën e kësaj lidhjeje, gjegjësisht lidhjes së pushtetit absolut mbi çdo send dhe dominimit të plotë në ekzistencë.

Pas argumenteve të Zotit, të cilat manifestohen në krijesat e krijuara në këtë gjithësi, pasqyrohet gjendja në Ditën e Kijametit, pas fryrjes në Sur, pas ringjalljes e tubimit për veçimin e kriminelëve për në Xhehenem, të besimtarëve për në Xhenet, e përfundon me temën themelore, me ringjalljen. 

Në pjesën e fundit të Jasinit përmenden të gjitha çështjet që i shqyrtoi kjo sure:

  • Çështja e shpalljes dhe natyrës së saj;
  • Çështja e hyjnisë dhe njëjësisë së Zotit xh.sh.; si dhe
  • Çështja e ringjalljes dhe rilindjes.

E gjithë kjo pasqyron fuqinë që krijon dhe udhëzon çdo gjë në këtë gjithësi.

Lini një koment