Parimet e trashëgimisë në sheriatin islam

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Sheriati islam, parimet e trashëgimisë i ka organizuar në bazë të parimeve të drejtësisë dhe barazisë dhe në bazë të moslejimit të padrejtësisë në mes trashëgimtarëve, duke e marrë si bazë:

– Lidhjen e fortë të familjarit me të vdekurin;

– Shpërndarjen e përgjegjësisë dhe

– Peshën e shpenzimit në familje.

Trashëgimia konsiderohet si e drejtë ligjore e shpërndarjes së kapitalit dhe si masë për pengimin e përqendrimit të pasurisë në duar të një grupi të vogël të njerëzve. Kjo, bazuar në atë se islami e pranon parimin e pronës private dhe duke pasur parasysh ligjet e natyrshmërisë dhe angazhimit të vet njeriut. Njeriu ka dëshirë që kapitali i tij të shkojë tek njerëzit më të dashur dhe më të afërm të tij.

Parimet e trashëgimisë janë rregulluar në tri ajete:

– Në ajetin e 11 të suretu Nisaë;

– Në ajetin e 12 të suretu Nisaë dhe

– Në ajetin e “Kelales” (Kelale quhet personi i cili nuk ka paraardhës dhe as pasardhës gjallë) i cili ajet është ajeti i fundit i suretu Nisaë, pra ajeti i 176-të.

Përpos këtyre tri ajeteve, suneti pejgamberik i ka sqaruar këto parime në bazë të inspirimit nga shpallja e Zotit.

Shkaqet e zbritjes së ajeteve të trashëgimisë

Gruaja e Sead bin Err-Rrebiut shkon te pejgamberi a.s. dhe i thotë: “O i dërguar i Allahut, këto dy vajza janë të Sead bin Err-Rrebiut, babai i tyre është vrarë në Uhud, ka rënë dëshmorë, ndërsa axha i tyre e ka marrë pasurinë e tyre dhe nuk u ka lënë pasuri, ata nuk mund të martohen pa pasur pasuri. Atëherë i përgjigjet: “Për këtë do të gjykojë Allahu” dhe zbresin ajetet e trashëgimisë. Atëherë pejgamberi a.s. dërgon fjalën te axha i tyre. Vajzave të Seadit u takojnë dy të tretat, nënës së tyre një e gjashta dhe çka mbetet u takon juve”. Ky është procesi i trashëgimisë në islam.

Ajetet e trashëgimisë përmbajnë:

– Të drejtat e fëmijëve;

– Të drejtat e prindërve;

– Të drejtat e bashkëshortëve;

– Të drejtat e kelales (ai i cili vdes dhe nuk e ka gjallë as lozën e epërme dhe as lozën e poshtme);

dhe kjo në ajetet si në vijim:

Ajetet 11 dhe 12:

Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, iu takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti. (11) ۞ Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që e lënë gratë tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi. Atyre (grave) ju takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që leni pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit. Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (pse s’ka as prindër as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta, e në qoftë se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë), pas testamentit të porositur ose borxhit, e duke mos dëmtuar (trashëguesit). Ky përcaktim është porositur prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshmi, jo i ngutshëm. (12)

Sa i përket të drejtës së fëmijëve, Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra…” (En-Nisa: 11) që nënkupton djalit mashkull dyfishin e vajzës, nga shkaku se ai është përgjegjës për veten e tij, fëmijët e tij, bashkëshorten e tij dhe motrën e tij të pamartuar. Femrës nuk i kërkohet që të shpenzojë për askënd, qoftë nënë, qoftë bashkëshorte, qoftë vajzë, qoftë motër.

Vajza e merr një të tretën me vëllanë e saj dhe atë pjesë, pra një të tretën, e ndalë për vete.

– Dy vajza ose dy motra, ose vajza me motrën i meritojnë dy të tretat;

– Vajza e vetme e meriton një të dytën e pasurisë së prindit të saj, ndërsa pjesën tjetër e marrin të tjerët, nëse i plotësojnë kushtet me fëmijën;

– Dy vajza i mbulojnë nga trashëgimia vajzat e djalit.

Sa i përket të drejtës së prindërve:

– Secili, edhe baba edhe nëna e meritojnë një të gjashtën, nga shkaku se raportet dhe dashuria ndaj të vdekurit është e njëjtë, kjo nëse i vdekuri ka fëmijë.

– Nëse nuk ka fëmijë dhe as fëmijë të fëmijëve dhe e trashëgojnë prindërit, atëherë nëna e trashëgon një të tretën, ndërsa pjesa tjetër i takon babës;

– Nëse i vdekuri ka vëllezër, qoftë meshkuj, qoftë femra (motra), nëna zmbrapset nga një e treta në një të gjashtën, pa marrë parasysh a janë vëllezërit nga nëna e baba, ose vëllezër nga baba ose vëllezër nga nëna.

Në rend të parë, nga pasuria e të vdekurit shpenzohet për kefinin dhe shpenzimet tjera të varrimit, pastaj i zbatohet në kryerjen e borxhit, të cilin e ka pasur para vdekjes, pastaj i zbatohet testamenti i të vdekurit, deri në një të tretën, pastaj ndahet pasuria.

Pasi sqaron të drejtat e fëmijëve dhe prindërve, Allahu i Madhërishëm thotë: “(kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti.” (En-Nisa: 11)

Me përmendjen e testamentit para borxhit, është për qëllim përkujdesi për zbatimin e tij, nga shkaku se trashëgimtarët e neglizhojnë zbatimin e testamentit dhe pastaj ata nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet e borxhliut i cili e kërkon të drejtën e borxhit.

Ky është argument i qartë për largimin nga traditat e kohës së injorancës ku ndalonin femrën dhe fëmijët e fëmijës nga trashëgimia.

Sa i përket të drejtës së bashkëshortëve:

Burrit i takon një e dyta e pasurisë së gruas së vdekur nëse ajo nuk ka fëmijë dhe fëmijë të djalit, qoftë nga burri, qoftë nga ndonjë (burrë) tjetër, qoftë të ketë kontaktuar me të, qoftë vetëm e ka regjistruar aktin e martesës dhe nuk ka kontaktuar me të.

– Nëse gruaja ka fëmijë, ose fëmijë të djalit, atëherë burrit të saj i takon një e katërta, ndërsa pjesa tjetër u takon familjarëve pasi që të kryhet borxhi ose të zbatohet testamenti.

– Bashkëshortes i takon një e katërta e burrit të saj nëse ai nuk ka fëmijë dhe fëmijë të djalit.

– Bashkëshortes i takon një e teta nëse burri i saj ka fëmijë, ndërsa pjesa tjetër u takon trashëgimtarëve tjerë, pasi që të kryhet borxhi ose të zbatohet testamenti.

Sa i përket “kelales”, është ai i cili ka vdekur dhe nuk ka trashëgimtarë, babë ose gjysh, dhe as lozë të poshtme, fëmijë apo fëmijë të djalit, por ka vëllezër ose motra prej nëne, secilit prej tyre i takon një e gjashta. Vërehet se këtu ekziston barazia në mes të mashkullit dhe femrës, nga shkaku se afërsia me të vdekurin janë të një shkalle të vetme, sepse ata ndërlidhen nga një drejtim i njëjtë dhe lidhje e njëjtë, e ajo është nëna.

I gjithë ky proces realizohet atëherë kur të kryhet borxhi dhe të zbatohet testamenti.

– Nëse ky i vdekur burrë në cilësinë “kelale” ka motër ose motër prej babe, asaj i takon një e dyta, ndërsa dy motrave ju takojnë dy të tretat, ndërsa një motre me vëllanë e saj i takon një e treta.

Këto rregulla të trashëgimisë në ligjin e Allahut ose në fenë e tij janë në kulminacion të drejtësisë dhe barazisë dhe mëshirës dhe janë vendosur duke shikuar përgjegjësitë në jetë, andaj këto duhet zbatuar dhe nuk duhet anashkaluar. Kush i tejkalon ligjet e Allahut, ai i ka bërë padrejtësi vetes së vet.

Lini një koment