“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”
Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Zoti Famëlartë thotë:
“Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vete), e ata iu përulën atij, e ai tha: “O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve u solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im me mjeshtri e butësi realizon dëshirën e vet për çka do, vërtet Ai është më i dijshmi, i urti.” (Jusuf: 100).
Jusufi i ka ngritur prindërit në front sepse nuk ka dashur të dallohet prej tyre. Kjo e dëshmon edukatën, dashurinë, vlerësimin dhe nderimin.
Front është pozita (vendi) e mbretit nga ku qeverisë vendin. Ata kanë rënë në sexhde për shkak se janë mbledhur e gjithë familja, ndërsa nuk i kanë bë sexhde Jusufit, por i kanë rënë në sexhde Atij të Cilit i bëhet sexhde, e Ai është Allahu.
Atyre të cilët tentojnë t’i japin kahje tjetër, ashtu që familja e Jakubit i kanë rënë në sexhde Jusufit u themi: A ju mund të keni dashuri ndaj Allahut më shumë se Jusufi a.s.?
Përderisa Jusufi a.s. në atë rast është lutur si në vijim: “Ti je Zoti im në këtë botë dhe në botën tjetër.” (Jusuf: 102).
E vërteta është se Zoti Famëlartë e ka caktuar ministër në këtë botë, e ka ndihmuar, e ka afruar, e ka mbështetur nga çdo vështirësi të kësaj bote, pastaj Jusufi a.s. është lutur që të mirat e Allahut të mos kufizoheshin vetëm në këtë botë kalimtare, por ta shpërblejë edhe në botën e përgjithmonshme, në botën tjetër. Përderisa Zoti e ka dashur edhe në këtë botë dhe e do edhe në botën tjetër, Jusufi a.s. është lutur: “Më bëj të vdes musliman dhe më bashkëngjit në radhët e të mirëve.” (Jusuf: 101).
Pasazhi: “Më bëj të vdes musliman” është që të jetë prej atyre që Allahu i jep të mira në botën tjetër. Jusufi a.s. i ka përfituar të mirat në këtë botë, i ka përdorur ato mirësi, por ka shkuar edhe më tej, që Allahu të jetë i kënaqur me të. Për atë se Jusufi e ka dëshiruar vdekjen. Dijetarët kanë dhënë mendim: “Askush tjetër nuk e ka dëshiruar vdekjen pos Jusufit”.
Njeriu kur arrin sukses kulminant në këtë botë, ai ka ambicie edhe më shumë, dëshiron të mira dhe suksese edhe më shumë.
Historia na e përkujton rastin e Emirit të besimtarëve. Kur ishte me rrobë të mirë, kërkonte rrobë edhe më të mirë, kur kishte ushqim të mirë, kërkonte ushqim edhe më të mirë.
Pasi është bërë udhëheqës, i sillnin rroba, ndërsa ai dëshironte rroba të thjeshta. Ata të cilët ishin afër tij, mendonin se ai ishte irracional me veten e tij, dhe nuk e kuptonin se ai e dëshironte më të mirën, e dëshironte gjithmonë edhe më të mirën. Kur e ka dëshiruar udhëheqjen, e ka realizuar. Kur e ka dëshiruar hilafetin, e ka arritur. Pas kësaj nuk i kishte mbetur asgjë përpos xhenetit. Mejmun bin Mervani ishte shoqërues i tij. Një ditë hyn në dhomën e tij, kur e dëgjon se ai e kërkonte vdekjen. Mejmun bin Mervani i thotë: O udhëheqës i besimtarëve, po e dëshiron vdekjen, përderisa Allahu të ka dhënë të gjitha të mirat, e ka ngjallur sunetin, e ke varrosur bidatin, dhe qëndrimi yt në këtë pozitë është mirësi për muslimanët.
Omer bin Abdul Azizi i thotë: E pse të mos bëhem rob i mirë, i cili pasi i ka kompletuar të mirat ka thënë: “Më bëj të vdes musliman, dhe më bashkëngjit me të mirët.” (Jusuf: 101).
Thënia “Më bëj të vdes musliman” përbëhet prej dy pjesëve:
Pjesa e parë: Kërkesa për të vdekur.
Pjesa e dytë: Që të vdes musliman.
Çdo njeri do të vdes edhe pa e kërkuar vdekjen. Për këtë arsye, pjesa e dytë duhet të jetë e kundërta e të parës – të vdiste musliman.