Urtësia e ndryshimit të kibles

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Sqarimi i hadithit të lartpërmendur është se pejgamberi a.s. e dëshironte ndryshimin e kibles nga Mesxhidi Aksaja në drejtim të Qabes për të përforcuar fenë islame, sepse kjo ishte kibleja e Ibrahimit dhe se kjo kërkonte besimin e arabëve te të cilët duhej të përhapej islami.

Ndryshimi i kibles nuk paraqet kundërthënie në urdhrin e Allahut, nga shkaku se kjo paraqet atë që është më e dobishme dhe mendohet se në të është kënaqësia e Allahut, e mira dhe interesi i përgjithshëm. Për këtë, Allahu i Madhërishëm i është përgjigjur kërkesës së Muhamedit a.s.:

Ajeti 144:

Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E, Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata. (144)

Pastaj, Allahu tregon shkakun e çrregullimeve dhe kundërshtimeve të shumicës së pasuesve të librit ndaj islamit dhe ndaj besimit të tyre dhe ndaj njëri-tjetrit.

Ajetet 145-147:

Po edhe sikur t’u sillje çdo lloj argumenti atyre që u është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor. (145) Atyre që u kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhamedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën. (146) E vërteta është nga Zoti yt, pra kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë. (147)

Nëse jehudëve dhe të krishterëve ua paraqet të gjitha faktet dhe argumentet se ndërrimi (ndryshimi) i Kibles është e drejtë prej Zotit të tyre – me shpresë se do të pasojnë kiblen tënde – nuk do të pajtoheshin dhe nuk do të besonin dhe nuk do të pasonin nga shkaku i zilisë dhe kryelartësisë së tyre.

Ata nuk do të pasojnë kiblen tënde dhe pas kësaj dite ti nuk do të pasosh kiblen e tyre asnjëherë, në mënyrë që të mos përmbushësh apetitet dhe ambiciet e tyre duke u orientuar (në namaz) në drejtim të Mesxhidi Aksasë. Si është e mundur të shpresojnë në këtë kur ata nuk e kanë vetëm një kible?

 O i dërguar, nëse ti i pason apetitet dhe dëshirat e tyre, me shpresë se do të pasojnë besimin tënd, pasi që të është dhënë e vërteta e qëndrueshme dhe dituria e prerë, të cilat argumentojnë bindshëm, atëherë do t’i bëje padrejtësi vetes tënde, atëherë do të meritoje dënim në këtë botë dhe në botën tjetër.

Fakti se pasuesit e librit e dinë të vërtetën është se, ata e dinë se pejgamberi ka qenë i paralajmëruar në librat e tyre, kanë qenë të përshkruara tiparet dhe cilësitë të cilat nuk kanë harmoni te të tjerët (pos te Muhamedi a.s.). Ata e njohin plotësisht pejgamberin a.s. ashtu siç i njohin fëmijët e tyre dhe një grup prej tyre kanë krijuar urrejtje dhe e kanë fshehur të vërtetën e qartë, të cilën e kanë mësuar nga librat e tyre. E vërteta e qartë për pejgamberinë e Muhamedit a.s. dhe kibleja e Qabes për të.

E vërteta është ajo çka është vetëm te Allahu dhe jo te të tjerët. Këtë e ka treguar dhe e ka urdhëruar Allahu në Kur’anin e Tij. Mos hidhni dyshime në të vërtetën në të cilën jeni ju, e ajo e vërtetë është e vërteta e cila është dëshmuar te ti prej Allahut.

Shkaku i zbritjes së ajetit

Ky ajet ka zbritur për besimtarët e pasuesve të librit. Abdullah bin Selami dhe shokët e tij, në bazë të librave të tyre i kanë ditur tiparet, cilësitë dhe dërgimin e pejgamberit a.s., ashtu siç i kanë ditur dhe njohur fëmijët e tyre.

Pastaj, Allahu ka sqaruar se secili grup i shoqërive e ka kiblen në të cilën orientohen:

– Jehudët kanë kible,

– të krishterët kanë kible.

Nuk ka drejtim të njëjtë nga të gjithë popujt.

 Kibla nuk është pjesë përbërëse e besimit, por e rëndësishme është se prej saj rezultojnë të mirat, prej saj rezulton deklarimi i besimit në atë çka ka shpallur Allahu dhe respektimi dhe mbrojtja e saj, pa marrë parasysh ajo kible (ai drejtim) a është paraparë në ligjet e një populli apo në ligjet e popujve tjerë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 148 dhe 149:

Secili (popull) ka një anë, të cilës ai i kthehet, ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni Allahu ka për t’ju tubuar të gjithëve, Allahu ka fuqi për çdo send. (148) Kahdo që të shkosh ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë, kjo është e vërtetë nga Zoti yt. Allahu përcjell gjithçka veproni ju. (149)

Pastaj Allahu i Madhërishëm i ka sqaruar tri urtësi të ndërrimit të Kibles:

Urtësia e parë: Që për këtë çështje asnjë prej tyre të mos sjellë argumente në Allahun sepse pasuesit e librit e dinin se pejgamberi a.s. është i paralajmëruari prej tyre. Ata e dinin se kibla e tij është Qabja, ndërsa çështja që kibla gjithmonë të jetë në drejtim të Mesxhidi Aksasë do të tregonte dobësinë e pejgamberisë së tij.

 Idhujtarët arab kanë dashur që pejgamberi të jetë prej djemve të Ibrahimit dhe të jetë i dërguar për ta që ta zhvillojë popullin e tyre, ata nuk e kanë llogaritur çështje të logjikshme që të drejtohen në drejtim tjetër pos drejtimit drejt shtëpisë së Zotit, të cilën e ka ndërtuar Ibrahimi.

Ndërrimi i kibles u përshtatej që të dy taborëve:

– U përshtatej pasuesve të librit dhe

– u përshtatej idhujtarëve.

Pastaj, Allahu i Lartmadhëruar i ka specifikuar ata të cilët i kanë bërë padrejtësi vetes së tyre, ata janë të cilët nuk janë të udhëzuar me libër (të Allahut), po ashtu nuk i marrin parasysh faktet dhe argumentet. Ata nuk i frikësohen askujt sepse frika është për të drejtën dhe për logjikën e shëndoshë.

Urtësia e dytë e ndërrimit të kibles është realizimi dhe plotësimi për arabët musliman, nga shkaku se Muhamedi a.s. është arab prej fëmijëve të Ibrahimit. Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe, nëse arabët besojnë, ata kanë dëshirë që epiqendër e orientimit të jetë Qabeja dhe po ashtu të prosperojnë dhe avancojnë traditën e Ibrahimit (Halilë) në nderimin dhe madhështimin e Qabes. Kjo nga shkaku se ajo është qendër e adhurimit të tyre dhe qendër e lavdisë dhe krenarisë së tyre.

Urtësia e tretë: Parapërgatitja e muslimanëve se, me ndërrimin e Kibles (orientimi) rruga është më e fuqishme për të qenë të qëndrueshëm në të drejtën dhe pranimin e asaj çka dëshiron Allahu.

Duke i sqaruar këto urtësi Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 150:

Dhe kahdo që të dalësh, ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë (Qabja) dhe kudo që të gjendeni ktheni fytyrat tuaja kah ana e saj, ashtu që njerëzit mos të kenë argument kundër jush, përveç atyre që janë mizorë nga ata (që nga inati nuk pranojnë kurrfarë fakti), por mos ia keni frikën atyre, frikësohuni prej Meje (e bëra këtë) që të gjeni rrugën e drejtë dhe që të plotësoj mirësinë Time ndaj jush. (150)

Pastaj, Allahu i Madhërishëm ka treguar se me ndërrimin e Kibles realizohen dhe plotësohen begatitë e Tij si, f.v., prej begative të Tij ndaj tyre është se i dërguari është arab dhe i cili e lexon Kur’anin (ka zbritur) në gjuhën e pastër arabe. I Madhërishmi thotë:

Ajetet 151 dhe 152:

(sikurse plotësova mirësinë Time ndaj jush) Ashtu siç dërguam nga gjiri i juaj të dërguar t’u lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë, e t’ju mësojë librin dhe traditën, e edhe t’ju mësojë atë që nuk e dinit. (151) Pra më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve, Më falënderoni e mos Më mohoni. (152)

Lini një koment