Saëji (ecja) në mes të kodrinës Safa dhe Merva dhe dispozita për ata të cilët i fshehin ajetet e Allahut

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Dihet se Saëji (ecja) në mes të kodrinës Safa dhe Merva janë prej simboleve të Haxhit dhe dispozitave të saj.

Te disa dijetarë, Saëji llogaritet pjesë përbërëse e haxhit. Kjo, në bazë të thënies së pejgamberit a.s. të cilën e ka transmetuar Hakimi dhe të tjerët: “Ecni (bëjeni saëjin) sepse Allahu ua ka bërë obligim saëjin (ecjen në mes Safas dhe Merves).”

Po ashtu, Saëji (ecja) në mes të kodrinës Safa dhe asaj Merva është prej veprimeve (rregullave) të Umres.

 Kush ka për synim Haxhin ose Umren, nuk bën kurrfarë mëkati nëse e bën saëjin (ecjen) në mes të Safas dhe Merves.

Është e rregullt që të bëhet lutja nga aty, duke drejtuar fytyrën në drejtim të Qabes.

Haxhiu shkon lart në kodrinën Safa.

– Në Safa, në kohën e injorancës ka qenë një idhull (put) në formë të një burri.

– Në Merva, në kohën e injorancës ka qenë një idhull tjetër në formë të gruas (e quajtur Naile).

 Pasuesit e librit kanë pretenduar se ata kanë bërë dashuri (prostitucion) në Qabe, për këtë arsye Allahu i ka shndërruar në gur dhe i ka vendosur në Safa dhe Merve që të marrin mësim të tjerët. Pas një kohe janë adhuruar si idhuj në vend të Allahut.

Injorantët e kohës së injorancës kur i vizitonin këta idhuj, i lëmonin dhe u luteshin.

 Me ardhjen e islamit dhe me eliminimin e idhujve, muslimanët urrenin t’i vizitonin, për shkak se në të kaluarën kishin qëndruar ata dy idhuj. Për këtë arsye, Allahu i Madhërishëm ka zbritur ajetin:

Ajeti 158:

“Safa” dhe “Merve” janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut, e kush e mësynë shtëpinë për haxh (Qaben për haxh), ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat për të t’i vizitojë ato dyja (të ecë në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s’ka dyshim se Allahu është shpërblyes i gjithëdijshëm. (158)

Urvete bin Zubejri e ka keqkuptuar këtë ajet, duke menduar se Saëji (ecja) në mes të Safas dhe Mervas nuk është e kërkuar ligjërisht, kështu që hallës së tij Aishes r.a. i ka thënë: A nuk po e lexon thënien e Allahut:

“Safa” dhe “Merve” janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut, e kush e mësynë shtëpinë për haxh (Qaben për haxh), ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat për të t’i vizitojë ato dyja (të ece në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s’ka dyshim se Allahu është shpërblyes i gjithëdijshëm. (El-Bekare: 158)

Nëse askush nuk i bën tavaf (nuk sillet rreth tyre) nuk bën kurrfarë mëkati.

 Aisheja r.a. i thotë: Shumë e keqe është kjo që thua o djali i vëllait tim. Po të ishte ashtu siç e interpreton ti, do të ishte: Nuk është mëkat nëse nuk bëni tavaf te ato dy kodrina.

Shkaku i zbritjes së ajetit

Ky ajet ka zbritur për shkak të muhaxhirëve (mekasve). Muhaxhirët, para se ta pranonin islamin i kanë thirrur dhe u janë lutur atyre idhujve. Pasi që ishte rregull që të ecej në mes Safës dhe Merves, e kanë pyetur të dërguarin e Allahut: O i dërguar i Allahut, ne kemi bërë tavaf në Safa dhe Merve në kohën e injorancës. Atëherë Allahu ka zbritur ajetin: “Vërtetë Safa dhe Merve janë prej simboleve dhe rregullave të cilat i ka paraparë Allahu.”

Pastaj, Allahu i Madhërishëm sqaron ndëshkimin për rabinët jehud -dhe të ngjashmit me ta – për shkak të fshehjes së asaj çka kishte zbritur prej Allahut. Sqaron ndëshkimin:

– ose për shkak të fshehjes së fakteve dhe argumenteve të Allahut, kur njerëzit kishin nevojë më së shumti,

– ose për shkak se kanë vendosur pjesë të pavërteta dhe gënjeshtra në vend të atyre pjesëve të zbritura prej Allahut.

Ky ndëshkim është largimi prej mëshirës së Allahut dhe hidhërimi i Allahut, përpos atyre që pendohen dhe heqin dorë nga fshehja e fjalës së Allahut dhe e rregullojnë atë që e kanë çrregulluar, në mënyrën që të tërheqin atë çka e kanë vendosur prej vetes së tyre dhe e demantojnë publikisht dhe qartë dhe e transmetojnë atë çka ka zbritur prej Allahut, pa e devijuar dhe pa e deformuar.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 159-162:

Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë. (159) Përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u shpjegojnë njerëzve, (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues. (160) Ata, të cilët mohuan dhe vdiqën si pabesimtarë, kundër tyre është mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve. (161) Ata përgjithmonë janë aty (në zjarr), as nuk u lehtësohet dënimi, as nuk u jepet afat. (162)

Ky ligj është ligj gjeneral dhe i përgjithshëm për çdonjërin i cili fsheh ligj të sheriatit apo dituri dobiprurëse ose ide të sinqertë për Allah, e cila është në interes të atdheut. Nga shkaku se, fshehja e ideve shkencore dhe diturive llogaritet tradhti për umetin dhe shoqërinë.

Lini një koment