“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Allahu i Madhërishëm ka paraqitur argumente të shumta se, Ai është Zoti një, i Vetëm. Ka paraqitur argumente të shumta për mëshirën e Tij, për të mos pasur hapësirë për dyshim. Këtë e kuptojnë ata të cilët janë të logjikshëm, të cilët e analizojnë saktësinë e fakteve dhe vërtetësinë e argumenteve. Atau ka thënë: Ky ajet ka zbritur në Medine për pejgamberin a.s.:
Ajeti 163:
Zoti juaj (që meriton adhurim) është një, Allahu, nuk ka zot pos Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron. (163)
Kurejshët pabesimtarë në Meke thoshin: Si është e mundur që njerëzit të kenë vetëm një Zot? Atëherë Allahu ka zbritur ajetin:
Ajeti 164:
Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente. (164)
Ebu Daha ka thënë: Kur ka zbritur ajeti “Zoti i juaj është Zoti një i Vetëm.” Idhujtarët janë habitur dhe kanë thënë: Zoti Një?! Nëse është i drejtë, le të na sjellë një ajet (argument). Atëherë Allahu ka zbritur ajetin e lartpërmendur: “Vërtetë në krijimin e qiejve dhe të tokës…” deri në fund të ajetit.
Ajeti i besimit në një Zot – i përmendur më lart – udhëzon për Zotin i Cili meriton të adhurohet, është Zoti Një, nuk ka ortak tjetër paralel me Të. Në këtë botë askush nuk mund të adhurohet pos Tij. Ai është bamirës i përgjithshëm ndaj krijesave të Tij, Mëshirues, i Butë për robërit e Tij, që nga fillimi apo prej lindjes së tyre deri në vdekje apo në zhdukje.
Madhështinë dhe mëshirën e Allahut nuk e percepton përpos njeriu me logjikë të shëndoshë, i cili e percepton paaftësinë e tij dhe nevojën për Zotin e Tij.
Përderisa edhe i sëmuri i cili gëzohet shumë kur i ndihmon tjetri – siç janë mjekët dhe infermierët – atëherë si qëndron çështja kur Allahu përkujdeset për njeriun në çdo çast prej çasteve dhe në çdo sekondë prej sekondave të jetës së tij dhe në çastet e vështira dhe të rrezikshme të jetës së tij.
Argumentet se Zoti është Një dhe argumentet e mëshirës së Tij janë të shumta dhe të qarta në horizonte:
– A nuk e di njeriu se Allahu është Ai i Cili i ka krijuar qiejt dhe gjithçka prej botës së yjeve dhe trupave qiellor dhe orbitat e tyre dhe sistemet e gjithësisë të cilat janë precize në qarkullimin (lundrimin) e tyre.
– Gjithë çfarë ka prej botës së yjeve dhe trupave qiellor qarkullojnë në rrugët e tyre dhe nuk ndeshen njëri me tjetrin me fuqinë e Allahut, i Cili ka vendosur ligjin e fizikës të ashtuquajtur gravitet.
– Allahu është Ai i Cili ka krijuar tokën dhe çka ka në të, prej njerëzve, gjallesave dhe bimëve, xehet, lumenjtë, kodrat dhe kodrat të cilat sillen si të ishin në një anije dhe qarkullojnë me sistem të përpiktë pa u ndeshur dhe pa u çrregulluar, gjë që dëshmon besimin në një Zot dhe mëshirën e tij të gjerë.
– Allahu ka caktuar natën dhe ditën dhe e ka bërë që të zëvendësojnë njëra-tjetrën e që ndryshojnë (dita dhe nata) për nga gjatësia dhe shkurtësia gjatë vitit. Ndryshojnë në ditë dhe net të ftohta dhe të nxehta, në lëvizje dhe qetësi. Ka caktuar stinët e vitit, gjë që dëshmon bamirësinë e Tij të përgjithshme dhe mëshirën e Tij.
– Allahu e ka inspiruar njeriun për prodhimin e varkave dhe anijeve, ia ka mësuar mënyrën e lundrimit në det, pasi që ia ka mësuar natyrshmërinë e ujit dhe ligjin e peshës së trupave – të gjitha këto e orientojnë në besimin e Zotit një, bamirës të përgjithshëm, mëshirues.
– Allahu e ka zbritur (dhe e zbret) shiun që të ngjall tokën pas tharjes (vdekjes) së saj, e që pastaj lulëzojnë bimët dhe jetojnë njerëzit. Kush analizon detarinë dhe mënyrën e mbledhjes së mjegullave dhe formimin e tyre, të cilat i sheh çdonjëri i cili fluturon me aeroplan, se si i bartin erërat për të rënë shi (ujë) gradualisht me urtësinë e Zotit, gjë që dëshmon Zotin një, Bamirës të përgjithshëm, Mëshirues.
Këto dukuri (fenomene), kjo krijimtari dhe fshehtësi, të shpjeguara në lëndën e ajeteve, dëshmojnë për besimin në Zot Bamirës të përgjithshëm në robërit e Tij. Këtë nuk e kupton askush pos të logjikshmëve.