–
Një njeri shkon te Imam Husejni r.a. dhe i tha:
– Kam huazuar njëmijë dinarë dhe nuk po mundem t’i kthej në afatin e caktuar.
Imam Husejni r.a. i thotë:
– Do të ndihmoj, por më parë do t’i bëj tri pyetje:
Nëse përgjigjesh në një pyetje do ta paguaj një të tretën e borxhit tënd.
Nëse përgjigjesh në dy, do të paguaj dy të tretat.
Nëse përgjigjesh në tri pyetjet, do ta paguaj tërë borxhin tënd.
Njeriu tha:
– Në rregull, ti di më mirë se unë. Do të përgjigjem në atë që di.
Imam Husejni r.a. filloi me pyetjet:
– Çfarë është gjëja më e mirë për njeriun?
– Të besojë Allahun xh.sh.
– Cili është zbukurimi më i mirë për njeriun?
– Dituria me durim.
– Por, nëse nuk ka dituri?
– Aftësia me bujari.
– Nëse nuk e ka këtë?
– Varfëria e shoqëruar me durim dhe shpresë në Allahun xh.sh.
– Nëse nuk e ka këtë?
– Atëherë ai është sikurse dega e tharë e cila ka rënë nga pema dhe përdoret për ndezjen e zjarrit, ngase nuk mund të shfrytëzohet për asgjë tjetër.
Imam Husejni r.a. qeshi, i ofroi qesen me njëmijë dinarë dhe unazën si dhuratë duke i thënë:
– Me para paguaje borxhin, ndërsa unazën shite dhe ndihmoje familjen tënde.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”