A I FSHIN PENDIMI MËKATET?
Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:
“Allahu nuk i dënon ata derisa ti je në mesin e tyre, Allahu nuk i dënon derisa ata kërkojnë falje”.
A do të thotë kjo se Istigfari i fshin gabimet?
Përgjigjja: Shjejh Shaëraviju përgjigjet: Ky ajet fisnik na sqaron kuptimin e Istigfarit. Po si të mos ndodhë kjo, kur në zemrën e njeriut ka besim? Kuptimi i ajetit është se Allahu nuk i dënon ata derisa të jesh në mesin e tyre, sepse Unë ty të kam dërguar mëshirë për botët dhe mëshira Ime i paraprin dënimit. Për këtë arsye Unë nuk i dënoj ata duke qenë ti në mesin e tyre i mëshirshëm dhe udhëzues. Pastaj, ajeti fisnik vazhdon të sqarojë se çka do të ndodhë pasi që i
Dërguari të kalojë në botën tjetër dhe këtu përfundon teksti: “Allahu nuk i dënon ata derisa ata pendohen”. Pra, kur ti, o Muhamed, kalon në praninë Time, atëherë Unë nuk do t’i përfshij me dënim pendimtarët. Pse? Sepse pendimi është nënshtrim ndaj Allahut dhe nuk ka nënshtrim vetëm se në zemrën e besimtarit; dhe derisa Imani zë vend në zemrën e besimtarit, atëherë mëshira e Allahut është mbi të.
Kështu, Zoti i Lartmadhëruar na tregon vlerën e pendimit tek Ai, se si nuk ndëshkon dhe i fshin gabimet dhe se çfarë vlere ka pendimi te Ai. Allahu thotë:
“Dhe nëse ata i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, e vijnë te ti, pendohen te Allahu dhe kërkojnë falje, e nëse ata i fal i dërguari, do të shohin se me të vërtetë Allahu është Pendimpranues dhe i Mëshirshëm”.
Pra, faza e parë e faljes së mëkatit dhe më e rëndësishmja është pendimi. Nënshtrimi ndaj Allahut dhe përkushtimi ndaj Tij janë prej shenjave më të fuqishme të pranimit të pendimit. Zemra e jobesimtarit nuk ka mëshirë, nuk ka falje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vazhdimisht e ftonte umetin e tij për të kërkuar falje. Në një rast ka thënë:
“Pendohuni te Allahu se, vërtet, unë kërkoj falje prej Tij njëqind herë në ditë”.
Përderisa të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i janë falur gabimet e mëhershme, ato të mëvonshmet dhe ai është penduar njëqind herë në ditë, po atëherë si është puna me ne?!
Pra, pendimi është shkallë prej shkallëve të Imanit e të nënshtrimit ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe nuk hyn pos në zemrën e besimtarit, nuk flet sinqerisht pos njeriu, i cili i frikësohet vetëm Allahut, nuk nxiton në pendim, pos ai i cili i frikësohet Zotit të Tij dhe Ditës së Gjykimit. E, ndoshta Allahut pranon lutjen, fal gabimin dhe zbret mëshirën e Tij.
Përderisa Allahu i Lartmadhëruar urdhëron të Dërguarin e Tij fisnik për kërkimfalje, nëpërmjet tij, Ai na ka urdhëruar të gjithë neve, dhe përderisa Allahu i Lartmadhëruar ka urdhëruar të Dërguarin për Istigfar, të cilit ia ka falur gabimet e mëhershme dhe të mëvonshmet. Kjo është një çështje, e cila kërkon nga ne të kërkojmë falje vazhdimisht.
Pendimi dhe falja e gabimeve prej Allahut, i fshin gabimet tona. E, kush mund t’i falë gabimet pos Allahut? Të gjithë, së bashku, duhet të kërkojmë falje dhe vazhdimisht, të hiqet e padrejta, të pendohemi tek Allahu dhe të zbuten zemrat tona. Pra, Istigfari gjithmonë na përkujton fuqinë e Allahut dhe mundësinë e Tij, ndërsa dobësinë e robit dhe paaftësinë e Tij. Dhe gjithmonë kur të harrojmë, kjo na bën që ta kujtojmë Allahun. Gjithmonë kur kjo botë na tërheq në vete dhe na largon prej urdhrave të Allahu, llogarisë para Tij, na bën që t’i nënshtrohemi fuqisë së tij të madhe dhe mundësisë së Tij të pakufishme, të Cilin e adhurojmë, e Ai është Allahu i Lartmadhëruar.
Zoti i Lartmadhëruar i ka thënë të Dërguarit të Tij: “Dhe kërko falje për gabimin tënd.”
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”