Kopshti i shkrumbuar

Kopshti i shkrumbuar

Ishte një pronar i një kopshti.

Kopshti i tij ishte përplot me pemë e perime.

Kopshti i tij ishte përplot me fryte e begati.

Çdo herë kur i mblidhte pemët, i thërriste të varfrit dhe u jepte pjesën e tyre apo zekatin.

Çdo herë kur i korrte të lashtat, i thërriste të varfrit dhe u jepte pjesën e tyre apo zekatin.

Pas një kohe ai vdes dhe e trashëgojnë tre djemtë e tij.

Vëllezërit trashëguan parcelë toke pjellore nga babai i tyre.

Ata ishin koprracë dhe zemërngushtë.

Kur vjen koha e mbledhjes së pemëve vendosin që mos t’i lajmërojnë të varfrit.

Vendosin që të mos u japin hisen (zekatin) që u takonte.

Kështu që vendosën që të shkojnë në mbrëmje dhe para mëngjesit t’i mbledhin frytet dhe të kthehen me të shpejtë në shtëpitë e tyre.

Gjatë natës, Zoti kishte lëshuar një zjarr dhe kopshtin e kishte djegur, e kishte bërë shkrumb e hi.

Kur arritën para mëngjesit në kopshtin e tyre, nuk e njohën.

Menduan se e kanë humbur rrugën gjatë natës dhe kanë shkuar në një kopsht të lënur pas dore.

Pas një kohe e vërtetuan se kopshti i tyre ishte bërë shkrumb e hi dhe nuk kishte mbetur asnjë fryt në të.

Ata e kuptuan se zemërngushtësia dhe mosdhënia të varfërve hisen e tyre ishte shkak që Zoti i kishte dënuar dhe kopshtin e tyre e kishte bërë gërmadhë.

Ata janë penduar, por ishte vonë.

Kështu është dënimi në këtë dunja për mosfalënderimin e Zotit.

Kështu është dënimi për mosnjohjen e begative të Zotit.

Kështu është dënimi për mosdëgjimin e urdhrave të Zotit.

Dënimet në ahiret janë shumë më të mëdha dhe shumë më të rënda.

–

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një Përgjigje